Lutja që bën fëmija për prindin e tij është e pranuar

19

Nga: Redaksia

Le të bëjmë edhe ne të gjithë shembuj të këtillë të ngjashëm për prindërit tanë të vdekur.

Një grua dëshironte të shkonte të mbante një ligjëratë në një qendër islame, por nuk kishte askënd që ta dërgonte atje. Mori një taksi, që e çoi deri në adresën e dëshiruar. Më pas në lidhje me këtë rast ajo tregon: “Kur desha të paguaj për shërbimin e transportit, ia ofrova 15 rijal, por shoferi, një djalë i ri rreth të njëzetave, refuzoi t’i marrë të hollat, duke më thënë: “Unë jam betuar se nga ata që i transportoj për në xhami, për në qendrën islame apo në spital nuk do të marr asnjë rijal. Vetëm do të doja që ata të luteshin për nënën time, e cila vdiq tre vjet më pare. Prandaj të lutem, lutu edhe ti për të. Emri i saj është Nura.”

Pasi u largova nga makina dhe hyra në sallën ku mbahej ligjërata, i informova të gjitha ato që ishin në ligjëratë dhe iu kërkova që të luteshin për atë grua. Ato, duke u solidarizuar dhe nga admirimi për atë djaloshin, mblodhën edhe donacione vullnetare mes vete për ta paguar gërmimin e një pusi të ujit në emrin e asaj gruaje. Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm! Kjo bamirësi i erdhi asaj gruaje për shkak të djalit saj të ndershëm. Gruaja tregon se këtë ngjarje e përmendte sa herë që mbante ligjëratë dhe gratë e pranishme bënin lutje për nënën e atij djaloshi. Ky është shembulli i një djaloshi të ndershëm, për të cilat na kujtohen fjalët e Pejgamberit (salAllahu alejhi ue selam): “…një fëmijë i mirë, i cili i lutet Allahut për të”.

Allahu ju dhëntë jetë fëmijëve tanë dhe i bëftë të dëgjueshëm ndaj nesh! Allahu i faltë prindërit tanë, prindërit tuaj dhe të gjithë muslimanët! AMIN.

Ka thënë dijetari i nderuar, Sulejman Er-Ruhejli, Allahu e ruajtë: “Duaja që bën fëmija për prindin e tij, sidomos kur fëmija është besimtar i mirë, është e pranuar dhe i bën dobi prindërve të tij!” Ashtu siç ka ardhur në hadith se një personi do t’i ngrihen gradët në Xhennet dhe do të thotë: “Prej nga i kam këto?!”, sepse e di që kjo ngritje në grada nuk është prej punës së tij.
Do t’i thuhet atij: “Kjo është për shkak të kërkimit të faljes që ka bërë fëmija yt për ty”.[1]

[1] Hadithin e ka Saktësuar imam Albani, Allahu e mëshiroftë, në Silsiletu Es Sahiha 1598.
Sherh El Uesijjetu Es Sugra i Shejkhul Islam Ibn Tejmijjete, Allahu e mëshiroftë.

 

Revista “Familja”, Janar 2022