Mbrëmje andaluze

160

Nada Dosti

Málaga është një vend turistik, i njohur ndryshe dhe si “kryeqendra e Costa del Sol (bregut të diellit)”. Popullsia përbehet nga një numër prej rreth gjysëm milion banorësh, shumica prej tyre të fesë katolike, më pas muslimanët prej të cilëve ka dhe vendas por dhe të ardhur.

Pas sundimit të arabëve musliman në Spanjë qyteti i njohur asokohe me emrin Mālaka (مالقة) u rrethua me mure, m’u pranë vendbanimeve të tregtarëve gjenovezë dhe çifutë. Në vitin 1026 ajo u bë kryeqendra e Taifa of Málaga, një mbretëri e pavarur muslimane.

Filozofi dhe poeti hebre Solomon Ibn Gabirol do të ishte i pari që do ta emëronte vendlindjen e tij me termin “Qytet parajse”.

Një tjetër poet, shqiptar ky i fundit, e ka sjellë përjetimin e tij përmes rrjeshtave dedikuar “Bregut të Diellit”.

MBRËMJE ANDALUZE
Këtu mbrëmja bie e gjitha përnjëherë
Si një jehonë që shuhet thellë gjoksit.
Horizonti përskuqet me pak se sa zgjat
Rrëshqitja e lotit

Nata është një këngë
Që vjen nga matanë malit të dëgjohet
Një valltare që vishet ndërsa rrotullohet
Mbi hijen e trupit të saj të ngrohtë
Në një skenë që s’është
Në një botë që zhduket
Në mënyrë që të jetojë…
Befas perëndimi ka ikur pas kreshtash.
Andaluze është deri dhe heshtja e zogjve
Toka është e djegur. Njerëzit janë të ndezur.
Dhe malli si gjaku – i plotë…
Këtu mbrëmja bie si duart mbi kitare
Pëse yje për një qiell; frymë përmbi fytyra
Këngësh që vijnë të dëgjohen dhe endrra
Që dalin në det për të mos u mbytur…
Kjo është rruga nga na arrijnë zogjtë
Dhe nga ikin stinët…
Alban Bala

Për të zbuluar qytetin mendoj se dy ditë janë të mjaftueshme: njëra për t’ia dedikuar listës së vendeve të llojit “nëse shkon në Malaga është turp mos të vizitosh…” dhe tjetra për të bërë një tur të pa planifikuar duke e lënë veten të humbasësh nëpër “skutat” e qytetit antik. Për të vendosur një shenjë “u krye (√)” të listës së vendeve “me patjetër” duhet filluar me vendet historike si Alcazaba, Amfiteatri Romak dhe Kështjella e Gjilbraltarit. Shtëpia muze i Pablo Picassos është një tjetër vend që nuk duhet humbur.

Në Malaga ka një shumëllojshmëri lokalesh dhe restorantesh që orfojnë ushqime hallall sidomos të kuzhinës turke apo të Lindjes së Mesme. Lokalet më me emër dhe më të frekuentuara janë: Al-Yamal, Re-Pitta, El Rey del Shaëarma, Restaurante Marroqui Azahar, El Balneario, Al-Yasmin, El Tapeo, El Sultan and Restaurante Amador.

Qendra kulturore “Andalusí” është një mrekulli e veshur e tëra me të bardhë dhe që prej së largu duket më shumë si një konsullatë apo ambasadë e ndonjë vendi islam. Kutiza e bardhë e pozicionuar m’u në zemër të Malagës përbëhet nga një xhami, një oborr madhështor plot me palma dhe ndërtesa e qendrës kulturore. Pranë xhamisë mund të gjenden dhe dyqane apo supermarket hallall.

Takimi me komunitetit musliman

Nuk ke si të mos të vizitosh xhaminë kryesore të qytetit dhe mos takosh vendasit muslimanë. Në xhaminë andaluziane qëndrova prej kohës së faljes së akshamit deri për faljen e darkës (jacisë). Aty takova muslimane qoftë vendase qoftë dhe të ardhura. Dalloheshin nga tiparet dhe veshjet e tyre.

Koha paska kaluar goxha dhe me siguri do më ikë autobusi nëse nuk nxitoj: nëse autobusi linjës vjen në kohë kam për ta kapur me siguri. E pres për gjatë kohë por nuk vjen. Pendohem për lekët e shpenzuara në suvenire, ushqime dhe ujë, se tani as taksi nuk marr dot. Kalona ty pranë një çift muslimanësh të cilët më shohin që jam e vetmja që pres në stacion dhe me tipare jo vendase. Një femër esmere, me shami të madhe, më afrohet dhe më pyet nëse kisha nevojë për ndihmë dhe zemërgjërsisht u ofruan të më shoqërojnë me makinën e tyre për tek destinacioni im. Patëm një bisedë të shkurtër të këndshme ndërsa era e picës së sapo nxjerrë nga furra, vapa bregdetare dhe siluetat e palmave më kujtonin aromat dhe kujtimet e vendlindjes.

Mollina, fshati i këndshëm përtej kodrave

mollina

Rrugës për në Mollina tabelat e sinjalistikës rrugore janë të shkruara edhe në arabisht. Menjëherë m’u kujtoi ato tabelat kur shkon për ndonjë vend arab pasi dhe autostrada është e rrethuar me shkretëtirë ngjyrë të kuqe. Një kodër e vogël në mes të shkretëtirës ka formën e një fytyre të shtrirë me një hundë shkabë. Kur mbërrijmë në Mollina zhytem direkt në botën e magjishme të fëmijërisë: shtëpitë në formë kutie shkrepse të bardha, rrugica të ngushta me mure të bardha, meshkuj me mustaqe të gjata dhe vasha me fustane tradicionale verore të gufuara më bëjnë të ndihem si të isha në një episode të serialit Zorro. Kur një fshatar aty pari thërret: “Hola!” më çon direkt nga Zorro (i cili asokohe trasmetohej italisht tek ne) në një nga ato telenovelat spanjolle dhe aty kupton se leximi i titrave në shqip për gjyshen që nuk i shikonte dot shkronjat e vogla të ekranit, paska ndihmuar në përvetësimin e spanjishtes.

Atë natë kishte festë në fshatin e vogël gjyrë bardhë. Të gjithë të veshur me veshje tradicionale dolëm rrugicë më rrugicë për të thirur banorët përmes daulles të na përshëndesnin dhe të na bashkangjiteshin marshimit tonë. Marshimin e udhëhiqte një panda. Pse panda? Sepse panda është edhe aziatike edhe afrikane, ajo është edhe bardhë edhe e zezë.

Pas një mbrëmje plot me këmbime, takime, përshëndetje dhe përqafime fëmijësh ritkhehemi në kampusin tonë, të dehur nga nata andaluze.

Shkurt 2017