Mbulesa dhe legjislacioni shqiptar

46

Nga av. Eglantina Farruku

Në fillimin e viteve ’90, si shoqëri shqiptare kaluam në një periudhë tranzicioni në përqafimin e një sistemi të ri, të padëgjuar dhe jetuar më parë. Konkretisht bëhet fjalë për demokracinë, një sistem i ndërtuar me parime universale mbi bazën e së cilës janë hartuar liritë dhe të drejtat thelemore të njeriut, të pasqyruara në çdo legjislacion të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar. Në plan të parë duket sikur gjithçka funksionon mësë miri, ku çdo e drejtë e garantuar me ligj gëzohet, jetohet dhe nuk cënohet nga askush. Mirëpo menjëherë më lind pyetja, a po funksionon kjo demokraci sikurse pretendohet?

Fatkeqesisht përgjigja është jo, sepse kur të gjithë zhurmshëm thërrasin për një shoqëri demokratike me të drejta të barabarta, në anë tjetër realiteti pasqyron se praktika bie ndesh me teorinë dhe mohon frymën e bashkëpunimit në unitet midis njera-tjetrës. Një problematikë të tillë e hasim tek liria e fesë e konsideruar si çeshtje themelore për zhvillimin e të drejtave të tjera të njeriut. Provat po bëhen gjithnjë e më të qarta se jeta fetare nuk venitet. Nëse shpirti fetar mundi të mbijetojë këtu në Shqipëri, në atë që ishte padyshim një nga më ateistët e të gjithë regjimeve, ka të ngjarë të mbijetojë kudo dhe në çdo vend.

Besimi fetar është një ndenjë ku mishëron pastërti, qetësi, dhe mbrojtje shpirtërore në jetën e secilit pa dëmtuar askënd. Mirëpo çdo besim mbështetet në një praktikë të caktuar fetare e cila kërkon mbrojtje ndaj diskriminimeve që bëhen në kuadër të shfaqjes së saj publike. Në fenë islame ky lloj diskriminimi vazhdon ende të persekutojë jetën e besimtareve myslimane kudo që ndodhen. Besimi në fenë islame përcjell një mesazh, një deklaratë e cila manifestohet në çdo pjesë të trupit. Në momentin kur një besimtare myslimane dëshmon për besimin e saj të lirë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij (a.s.) ai besim ndër të tjera dëshmohet gjithashtu me uniformën e veshjes që ajo mban, që nënkupton një adhurim të vazhdueshëm e cila i vendos vulën besimit të saj.

Mirëpo çfarë po ndodh sot me këtë një krijesë të Zotit, e cila po privohet nga pjesa tjetër e  shoqërisë për të pasur të drejta të plota dhe të barabarta në shumë aspekte të përditshme jetësore. Me dëshirën dhe vullnetin e lirë ajo nuk po bën gjë tjetër përveçse po mbron dinjitetin e saj dhe të shoqërisë në anën tjetër. Me bindjen e tyre personale, këto gra dhe vajza kanë arritur të pranojnë dhe të praktikojnë ligjin e Krijuesit.  Mbulesa që ajo mban nuk është diçka e trashëguar as nga arabët, as nga turqit, as nga pakistanezët etj, por është një obligim nga Allahu i Madhërishëm, respektimi dhe zbatimi i një dispozite hyjnore, sqarimet e së cilës janë dhënë në Kuran si dhe në Sunetin e Profetit Muhamed (a.s.), për t’i dhënë gruas mbrojtje dhe siguri.

Fakte të ndryshme vërtetojnë gjithashtu se mbulesa e femrës myslimane nuk është risi pasi ajo daton që nga njeriu i parë në tokë, Ademi a.s. dhe bashkëshortja e tij Hava, ku Allahu atyre u dha mundësi dhe udhëzime se si duhet të vishen e mbulohen. Dispozita fetare në lidhje me mbulesën gjejmë gjithashtu edhe të Ithtarët e Librit (të krishterët dhe çifutët). Këtë e dëshmojnë shumë citate nga Dhiata e Vjetër dhe e Re. Praktika e veshjes së murgeshave dhe motrave të nderit është një tjetër shembull. Fakte të tilla i japin mbulesës peshë dhe legjitimitet të pakontestueshëm i cili mund t`i kundërshtojë vetëm ai njeri që nuk dëshiron të shohë dhe të lexojë argumentet me syrin e së vërtetës. A është ky njeri më i ditur, më i madhërishëm, më i plotfuqishëm se vet Krijuesi i Tij për të dalë në tribunën e kundërshtimeve??

Presentation1Parë në një këndvështrim tjetër, mbulesa ka qenë pjesë e jetës se grave gjatë gjithë historisë tonë, dhe këtë më së miri e dëshmon veshja jonë kombëtare. Atëherë nuk mund të mohojmë vlerat e traditës të cilat janë personifikimi më i qartë i këtij populli që i ka mbijetuar çdo stuhie e sprove me vullnetin e të Madhit Zot.

Si popull lamë pas një periudhë totalitarizmi që u përpoq të eliminonte çdo shfaqje të mendimit fetar duke shkelur haptazi një të drejtë të rëndësishme të jetës së njeriut. Sot, të gjithë kërkojmë përparimin drejt europës, përqafimin e gjithçkaje perëndimore por duke shmangur në çdo aspekt portretizimin e një femre besimtare ku nënçmimi dhe gjërat e ngjashme me këtë, nuk janë të lira dhe vazhdojnë të sulmohen në mënyrë të përsëritur.

Çështja e mbulesës së femrës myslimane diskutohet jo vetëm në Shqipëri por dhe në shumë vende të tjera në botë, e sidomos në Evropë, pasi që mbulesa shikohet si simbol i pabarazisë gjinore dhe nje diskriminim i tillë pasqyrohet më së shumti në arsim dhe punësim. Shkollimi i vajzave është parësore dhe në Kuran shkruhet fjala “ikra” që do të thotë mëso, studio. Pra, në rastin e një vajze të re myslimane që dëshiron të mbajë shami në shkollë, ky institucion nuk mund të kufizojë shprehjen e saj të fesë duke mos pranuar këtë veshje sepse do të dhunoje të drejtën e  lirisë së fesë. Gjithashtu, arsimimi fillor dhe i mesëm me Kushtetutë dhe ligjin për Arsimin Parauniversitar janë të detyrueshëm, që do të thotë se ka masa ndëshkuese për institucionin edhe për prindërit nëse nuk e arsimojnë një fëmijë. Kjo do të thotë që çdo udhëzim administrativ i nxjerrë në kundërshtim me ligjin konsiderohet i pavlefshëm. Parë në një prizëm tjetër të rinjtë e moshës 18 vjeçare definohen si të rritur dhe është mosha kur kanë të drejtë të marrin vendime të rëndësishme në jetën e tyre, atëherë përse nuk janë të lirë në gëzimin e një vendimi për mënyrën se si vendosin të vishen, dhe kjo ndodh vetëm sepse i përkasin një indentiteti fetar??? Pra, mbulesa e femrës myslimane, pa të drejtë po përjeton shtypje dhe cungim të të drejtave të veta legjitime, dhe, për të qenë ironia më e madhe jo nga ligji por nga individë e njerëz të caktuar të cilët mohojnë kuptimin e vërtetë të ligjit.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë shprehet qartazi në nenin 10 të saj “ Shteti është asnjëanës në çeshtjet e besimit dhe të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike”.

Ky nen nënkupton se mbajtja e një sistemi të asnjanësisë lejon dallimet vetjake të mbështetura në besime të ndërgjegjshme dhe ruajtja e marrëdhënieve të bashkëpunimit me shtetin, ndërkohë që nuk preket pavarësia e ndërsjelltë. Institucionet fetare nuk kanë një ndikim në proçesin e vendimarrjes së shtetit dhe nga ana tjetër shteti garanton lirinë e besimit dhe aktivitetiteve të institucioneve fetare.

Më tej, në nenin 18 të saj përcakton se “Askush s`mund të diskriminohet padrejtësish për shkaqe të tilla si: gjinia raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale dhe përkatësia prindërore. Neni 24 gjithashtu ka të shkruar se“Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve”.

Në rrafsh ndërkombëtar Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 76 citon se: ”Garantohet liria e ndërgjegjes, besimit fetar dhe e manifestimit të fesë.” Konventa Evropiane e të drejtave të njeriut miraton ligjin mbi mbrojtjen e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit. Ndërsa Deklarata e Kombeve të Bashkuara shprehet “Meqënëse feja dhe bindja për secilin që i praktikon janë një prej elementeve thelbësore të kuptimit të tij të jetës dhe që e drejta për lirinë e bindjes ose të fesë duhet të garantohet dhe të respektohet plotësish”. Askush nuk duhet të detyrohet të bëjë diçka që i shkakton dëm lirisë së tij të besimit dhe bindjes që e zgjedh vetë. Thuhet gjithashtu se asnjë shtet, institucion apo grup individësh ose individë nuk guxon të diskriminojë askënd në bazë të bindjes dhe besimit”.


IMG_3627-533x800
Në rastin Hudoyberganova kundër Uzbekistanit, Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara konsideroi që liria për manifestimin e fesë përfshin të drejtën për veshje, ose rroba në pajtim me besimet e individit dhe ndalimi i individit për ta bërë këtë mund të shkaktojë shkelje të nenit 18, paragrafit 2 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (KNDCP).

Gjithashtu bashkësia ndërkombëtare ka zhvilluar një tërësi normash ligjore që mbrojnë lirinë e fesë dhe të besimit. Instrumentet kryesore, që kanë të bëjnë me Shqipërinë përfshijnë:

  1. Deklarata e Përbotshme e të Drejtave të Njeriut, 1948 (sidomos neni 18)
  2. Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Politike dhe Qytetare, 1966 (veçanërisht neni 18)
  3. Deklarata e KB mbi Heqjen e të Gjitha Formave të Intolerancës dhe të Pabarazisë mbi bazën e Fesë apo Besimit, 1981
  4. Konventa e të Drejtave të Fëmijës 1989 (veçanërisht neni 14)
  5. Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore 1950 (sidomos Neni 9)
  6. Akti Përfundimtar i Helsinkit i 1975 dhe norma të ndryshme shtesë të miratuara nën kujdesin e OSBE.

Prania e një pakete të tillë legjislacioni vërteton domethënien themelore të lirisë së besimit. Mendimtarët e mëdhenj të teorisë politike kanë njohur vazhdimisht rëndësinë e kësaj të drejte. Disa nga mendimtarët më të thellë, nga Madison midis themeluesve të Kushtetutës amerikane, deri tek filozofët bashkëkohorë si John Raëls, kanë qenë të ndërgjegjshëm se për shkak të rëndësisë frymëzuese të fesë në jetën vetjake, është vështirë të përfytyrosh se një besimtar do të pajtohej me një sistem ligjesh, që nuk do të mbronte urdhërimet e ndërgjegjes.

Ndërsa Shqipëria vazhdon të përparojë në arritjet e saj të demokracisë dhe të  pluralizmit secili nga identitetet tona le të arrijë të përfshijë një përmasë të qytetarisë botërore, të hapur ndaj dialogut dhe kulturës së të drejtave të njeriut që është e aftë për mirëkuptim të mirëfilltë, duke nderuar dhe respektuar atë çka ne duam të përfaqësojmë e të garantuar me ligj, përveçse një tolerance, një nderim do të ishte një vlerë më shumë e shoqërisë sonë. Brenda këtij kuadri do të njohin dhe respektojnë lirinë e individit për të pranuar dhe ushtruar, vetëm apo në bashkësi me të tjerë, fenë apo besimin, gjithmonë duke vepruar në përputhje me vullnetin e ndërgjegjes sonë. Në këtë pikë respektojmë kufijtë e njëri-tjetrit pa prekur lirinë e askujt, parime këto për një shoqëri të emancipuar ku harmonia dhe toleranca do ndikonin pozitivisht në jetën e secilit prej nesh.

Rev. Familja, mars 2015