Mbulesa, dje dhe sot – Sfidat e urdhrit hyjnor

366

 Brunilda Basha

Nëse dikur (vite më parë) sfida më e madhe e një femre ishte të mundej të vendoste mbi kokë urdhrin hyjnor, sot sfidë akoma më e madhe është ta mbash atë me korrektesë, brenda kornizës së modestisë siç edhe urdhërohet nga Zoti i Madhërishëm.

Jemi dëshmitar se kohëve të fundit, tregu i veshjeve perëndimore të frymëzuara nga mbulesa islame  po rritet dita ditës. Modelet që serviren, fokusohen kryesisht se si ta bëjnë mbulesën islame më atraktive. Çfarë stili, çfarë ngjyre, ç’kombinim duhet, me qëllim që të përqafohet lehtësisht në shoqërinë tonë moderne, e cila deri dje (dhe vazhdon akoma) e konsideronte mbulesën islame të dalë mode, prapambetje dhe për më tepër shtypje të lirisë femërore. Ky trend i përfshirjes së mbulesës islame në tregun e industrisë së veshjes pikënisjen e ka nga blogje të thjeshta të ideuara nga vetë besimtaret që praktikonin këtë veshje. Dalëngadalë femrat muslimane (nga cdo cep i globit) filluan të krijojnë bizneset e tyre private të stilimit të veshjeve islame, stil i cili po përhapet dita ditës dhe nga firma të njohura perëndimore, si Dolce Gabana etj. Dashje padashje të gjithë kemi rënë në grackën e medias së sotme, e cila të fton të kesh një pamje perfekte, një mënyrë jetese të përcaktuar nga ata vetë se cila duhet të jetë dhe ne duhet me patjetër ta përshtatim vetveten në atë model të servirur. Në këtë mënyrë, mbulesa islame e paraqitur si një fashion i ri në modë s’bën gjë tjetër veçse zbeh arsyen e vërtetë dhe hyjnore që fshihet pas kësaj veshjeje.

Qëllimi i shumë motrave fashionista në vetvete është absolutisht për të promovuar mbulesën si diçka normale, një veshje e cila nuk e shëmton femrën, përkundrazi nëse ke pak shije mund të dukesh po aq këndshëm dhe me stil si një e pambuluar, ose për të ftuar sa më shumë jomuslimanë ta pranojnë këtë vendim të femrave, pse jo t’i bashkangjiten atyre, ose të dëshmojnë se femra muslimane është kreative dhe mjaft e zonja.

Padyshim, ne duhet të vlerësojmë çdo përpjekje që çdonjëra prej nesh bën çdo ditë. Të gjitha jemi në një udhëtim drejt Zotit dhe gjatë këtij udhëtimi përballemi me sfida dhe luftëra nga më të ndryshmet. Jo rrallë herë ndodh të bëjmë kompromise të cilat s’duhet t’i lejojmë, ndaj çdo hap i marrë duhet të shoqërohet me përgjegjësinë se ç’impakt do të ketë në marrëdhënien tonë me Zotin dhe influencën në shoqëri.

A është mbulesa islame thjesht mbulimi i flokëve? Apo është shumë më tepër. Mbulesa më shumë se një pëlhurë është akt bindjeje, dashurie, përgjigjeje ndaj ftesës që Zoti na drejtoi për të mbrojtur vetveten. “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (Ahzab, 59).

Allahu (xh.sh.), i Cili na do më shumë se vetë prindërit tanë,  nderoi dhe lartësoi figurën tonë në këtë botë me mbulesën islame që të jemi në gjendje të përjetojmë erën e freskët të Xhenetit teksa na pushpurit flokët në botën e përtejme. Ajo që është shumë e qartë është se ne nuk e zgjedhim atë veshje për të tërhequr admirimin e njerëzve të tjerë nëpërmjet pamjes sonë, por për të mbuluar disa hire dhe bukuri që Zoti na i dhuroi vetëm ne, për më tëpër për të përmbushur urdhrin hyjnor.

Ndaj, ndonëse në një kohë ku përfaqësimi përballë një opinioni të gjerë ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër, ne si besimtarë jemi vigjilentë, që këtë përfaqësim ta bëjmë nëpërmjet rolit tonë si intelektuale, si familjare të zellshme, si kontribuese në ndërtimin moral e shoqëror. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë; Përfaqësimi vizual bazohet mbi relativizmin dhe si besimtar misioni ynë nuk është të synojmë të pranohemi atje ku na kërkohet të dalim jashtë vetvetes apo parimeve fetare. Nuk mund të promovosh vlera në një ambient ku virtyti është veshur me antivlerën (rasti kur një besimtare e mbuluar pranon të pozojë për një revistë playboy).

Si mbartëse të Mesazhit Absolut, duhet të përpiqemi të jemi kreativë dhe inovativë për të rivendosur në piedestal statusin që ne si muslimane përfaqësojmë. Është e domosdoshmë  të rishohim vetveten, të kuptojmë rolin që kemi, të analizojmë sjelljen e ndryshimit që ne duam të arrijmë. Le të përdorim në maksimum dhuratën e intelektit që Zoti na dhuroi, për të shprehur vlerat universale që secila besimtare mban në vetvete, duke mos rënë prȅ e propagandës mediatike dhe përpjekjeve të pafundta për të na larguar virtytet shpirtërore që feja të cilën e kemi rrënjosur në qenien tonë na kërkon t’i ruajmë me fanatizëm!

Revista “Familja”, dhjetor 2016