Menaxhimi i stresit dhe ankthit sipas Islamit

403

Depresioni dhe ankthi janë dy kushte të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën që prekin shumicën prej nesh kohë pas kohe. Patjetër që është e kuptueshme që të gjithëve na prek ndonjëherë depresioni ose ankthi, kjo gjë është pjesë e jetës që mund të kurohet me lutje, namaz dhe mendim pozitiv. Për ato që që ndonjëherë kalojnë apo futen në gjendje depresive jonormale dhe ankthi, ka shpresë në Islam në mënyrë që të kalohen këto simptoma çrregulluese.

Ne duhet të kërkojmë shërim nga depresioni ose ankthi në një mënyrë të hollësishme duke iu referuar si aspektit fizik, mendor dhe shpirtëror. Këto simptoma ndodhin sepse ka diçka të gabuar në trupin tonë, në mendjen tonë ose shpirtin tone që duhet të rregullohet. Shumë shpesh muslimanët e kërkojnë shërimin vetëm në namaz por mbeten të zhgënjyer kur simptomat vazhdojnë. Megjithëse namazi dhe lutjet luajnë një rol shumë të rëndësishëm, ne mund të arrijmë të rikuperojmë një ekuilibër total në të gjitha aspektet e qenies sonë duke u kujdesur për trupin tonë në tërësi.

Së pari, ne duhet që të njohim se në Islam trupat tanë fizikë kanë të drejta mbi ne dhe ne duhet që të kujdesemi për shëndetin tonë, të maksimizojmë shëndetin tonë, të flemë mjaftueshëm dhe të ushtrohemi vazhdimisht që të mbajmë trupin në formë.

Aishja (r.a.) transmeton: Profeti i Zotit, paqja dhe mëshira qoftë mbi të ka thënë: Me të vërtetë, vetja jonë ka të drejta mbi ne, kështu që agjëroni, faluni dhe flini.” (Hadith Sahih)

“Ushqimi është baza e mjekësisë dhe stomaku është baza e sëmundjes.” (Xhami el-Ulum uel-Hikam 2/468)

Shumë prej nesh bien në depresion për shkak se organet tona nuk po marrin mjaftueshëm vitaminat dhe kripërat minerale dhe një çekuilibër i tillë ndikon në tërë qenien tonë. Për këtë arsye, Allahu na urdhëron që të hamë ushqime të shëndetshme që janë prodhuar në mënyrë natyrale apo ushqime bio.

Allahu ka thënë: “O ju që besuat, hani nga gjërat të cilat jua kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse ai është Ai që ju adhuroni.” (Bekare, 172)

Pjesa më e madhe e ushqimit të prodhuar në mënyrë industriale në këtë kohë që po jetojmë përpunohet shumë dhe përmban shumë sheqer, kripëra, kimikate dhe shtesa të tjera. Ne duhet të përdorim sa më pak sheqer, pak kripë, karbohidrate, ushqim më pak të yndyrshëm dhe të përdorim më shumë fruta, perime dhe proteina të shëndetshme në dietën tonë.

Për më tepër, ne kemi nevojë që të shmangim ekstravagancën në ushqim dhe mbingrënien. Të gjitha këto ushqime mund të shkaktojnë probleme të cilat në fund të fundit do të ndikojnë në shëndetin tonë mendor. Ena më e keqe që një person mund të mbushë është stomaku i tij.

I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Nuk ka asnjë enë të cilën biri i Ademit mund të mbushë më keq se barkun e tij, sepse i mjaftojnë disa kafshata në mënyrë që të shtrijë shpinën. Megjithatë, në qoftë se ai ka oreks të mirë, atëherë ai mund të plotësojë atë me një të tretën me ushqim, një të tretën me pije, dhe një të tretën me frymë.” (Sunan Ibn Maxhe 3349, Sahih)

Tradita Profetike synon për të mbushur stomakun me një të tretën e ushqimit, një të tretën me pije dhe një të tretën bosh. Nëse ne e ndjekim këtë këshillë të mençur, ne në mënyrë të pashmangshme do të shohim rezultate pozitive në trupin tonë dhe më pas në depresionin dhe ankthin tonë.

Shkenca moderne mjekësore ka filluar të kuptojnë vetëm tani atë se çfarë mjekët muslimanë e kanë njohur e kuptuar që nga periudha klasike, se shumica e sëmundjeve infektive fillojnë në stomak. Dr. Alejandro Junger është një mjek i tillë i cili ka zhvilluar një program diete për të ndihmuar njerëzit dhe parandaluar sëmundjet para se të fillojnë. Meqë njerëzit janë kaq të ndryshëm në shijet dhe traditat e tyre, është e vështirë të përcaktohet një dietë e vetme që çdo person mund të ndjekë. Përkundrazi, ka parime të gjera, lloje të caktuara të ushqimeve për të konsumuar ose për të shmangur dhe çdo person ka nevojë që të gjejë rrugën e tyre dhe të ndjekë një dietë më të përshtatshme për nevojat e tyre të veçanta shëndetësore.

Përveç dietës, ne duhet të sigurohemi që të bëjmë gjumë cilësor dhe të mjaftueshëm. Allahu krijoi për natën që të pushojmë ne dhe organet tona.

Allahu ka thënë: “Dhe ne bëmë gjumin tuaj pushim dhe natën si mbulesë.” (Nebe, 9-10)

Përveç kësaj, ne duhet që të pastrojmë mendjen nga mendimet negative dhe të mendojmë pozitivisht sa më shumë që të mundemi. Mendimet mund të rregullohen me vështirësi, por ne kemi një shkallë të konsiderueshme të kontrollit mbi atë që ne të mund zgjedhim për të menduar dhe reflektuar. Besimtari i vërtetë duhet të përpiqet të jetë optimist, duke menduar mirë për Allahun dhe shpalljet e tij, në vend që të bëhet pesimist.

Një nga mënyrat më shkatërruese është të ushqyerit e shpirtit me urrejtje, zili dhe keqdashje ndaj të tjerëve. Shumë herë urrejtja jonë për të tjerët dëmton veten tonë më shumë se kushdo tjetër. Ne kemi për detyrë që të falim të tjerët, të shmangim pakënaqësitë, të qetësohemi dhe të largojmë ndjenjën e zemërimit.

Ne nuk duhet të kënaqemi në supozimin negativ dhe dyshimin ndaj të tjerëve. Ndonjëherë ne e gjejmë veten duke menduar më të keqen për të tjerët dhe madje e shprehim atë nëpërmjet përgojimit. Duhet që të kapim veten në momente të tilla dhe të përqëndrohemi mendërisht për diçka më të mirë.

Allahu ka thënë: “O ju që keni besuar, shmanguni shumë nga dyshimet. Në të vërtetë, disa dyshime janë mëkat. Dhe mos spiunoni apo shpifni për njëri-tjetrin.” (Huxhurat, 12)

Jo vetëm që duhet të kontrollojmë ndjenjat tona ndaj të tjerëve, ne gjithashtu duhet të kontrollojmë ndjenjat tona ndaj objekteve. Kur lumturia jonë varet nga përfitime materiale dhe suksesi në jetë, ne duhet të kuptojmë se pakënaqësia jonë për gjëra të tilla të kësaj bote nuk do të zgjasë.

Shpesh njerëzit bien në depresion, kur ata nuk e marrin atë që duan, por besimtarët e vërtetë janë gjithmonë të lumtur edhe në rrethana të tmerrshme varfërie dhe dëshpërimi. Profeti vuajti për kauzën e Islamit më shumë se ndonjëri prej nesh, duke humbur të dashurit e tij dhe qëndroi në dhimbje dhe uri, por shokët treguan dhe transmetuan se ata kurrë nuk panë dikë të buzëqeshte aq shpesh sa ai. Edhe kur vdekja iu afrua, Profeti vazhdonte të buzëqeshte dhe të përhapte mendimin e tij pozitiv.

Së fundi, ne duhet të jemi të shëndetshëm shpirtërisht duke respektuar besimet autentike teologjike dhe aktet e adhurimit. Ka një lutje të veçantë të cilën Profeti na ka mësuar kundër depresionit dhe ankthit e cila zbulon se sa i rëndësishëm është dhe sa lidhje të ngushtë ka besimi i shëndoshë me shëndetin tonë mendor.

Ibn Mesudi transmeton: I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “O Allah, unë jam shërbëtori yt, bir i shërbëtorit tënd, biri i shërbëtores sate. Çështja ime është në dorën tënde, urdhëri  Juaj për mua mbizotëron dhe vendimi Juaj për mua është i drejtë. Të lutem me emrat e bukur me të cilën Ti e ke përshkruar veten, ose që ke shpallur në Librin Tënd, ose që i ke mësuar krijesave të tua, ose që ke zgjedhur për ta mbajtur të fshehtë, bëje Kuranin kënaqësi të zemrës sime, dritë të gjoksit tim, dhe largoje nga unë trishtimin dhe ankthin tim. (Burimi: Musnad Ahmed 3704, Sahih)

Kjo lutje shpreh besim të fortë në përcaktimin e Allahut (kaderit) mbi të gjithë krijimin. Ne duhet të kujtojmë se Allahu është në kontroll të gjithçkaje dhe për aq kohë sa ne kemi besim, Zoti do të shpallë vetëm atë që është më e mira për ne në këtë botë dhe në botën tjetër.

E mrekullueshme është çështja e besimtarit, sepse në çdo çështje ka mirësi dhe kjo kjo vlen vetëm për besimtarin. Nëse ai është i lumtur, atëherë ai falënderon Allahun dhe kështu ka mirësi për të. Nëse ai dëmtohet, atëherë ai tregon durim dhe po kështu është e mirë për të.

Këtu qëndron sekreti me të cilin kaq shumë prej paraardhësve të devotshëm, ishin në gjendje të mbeteshin pozitivë, pavarësisht rrethanave të vështira. Ata e kuptuan se çdo gjë që Allahu caktoi për ta ishte e mirë. Edhe në qoftë se ishte diçka e keqe për ta në aspektin e kësaj bote, ata e dinin se ajo ishte më e mirë për to në botën tjetër, ata gjithmonë e lavdëronin Allahun në çdo rrethanë.

Nëse goditeni me ndonjë fatkeqësi, atëherë luteni Allahun shumë herë. Falënderoni atë, sepse ai ju jep durim që ta përballoni sprovën. Në jetë ne do të jenë të pakënaqur kur përjetojmë vështirësi dhe humbje, por besimi ynë dhe besimi në urtësinë e pafund të Allahut do të na ndihmojë që të jemi të duruar dhe t’i përballojmë këto sprova dhe të na mbajnë të përqëndruar në qëllimin më të madh në botën tjetër. Ne duhet që të dëgjojmë Kuran shpesh, të kujtojmë të mirat që Allahu na ka dhënë dhe ta mbajmë ekzistencën e kësaj bote në perspektivën e duhur. Vetëm nga Kurani, zemrat tona do të gjejnë pushim dhe siguri.

Allahu ka thënë: “Nuk ka dyshim, se nga të përmendurit e Allahut qetësohen zemrat.” (Ra’d, 28)

Tejkalimi i depresionit dhe ankthit, kur ata kanë mbërthyer jetën tonë është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë, por ka shpresë për shërim dhe një rrugë të qartë në Islam. Të gjitha gjërat janë të mundshme me Allahun dhe asnjë dëshpërim nuk mund të tejkalohet pa ndihmën e Tij. Secili prej nesh përjeton një situatë të veçantë apo sfida në jetën tonë, që do të thotë se detajet e planeve tona të trajtimit do të ndryshojnë, por restaurimi jonë i plotë gjithmonë do të përfshijë shërimin e çdo aspekti të qenies sonë: trupit, mendjes dhe shpirtit.

Majlinda Qosja

Revista “Familja”, janar 2017