Meritokracia vs Nepotizëm në tregun e punës

84

Fabula bardh e zi është gjithmonë e tillë, ku: vajza e dekanit, jashtë çdo konkursi publik e formal, bëhet pedagoge brenda ditës; djali i drejtorit punon si këshilltar ende pa u diplomuar, e ndërkohë në Bashkinë e qytetit drejtori i shërbimeve sociale (ithtar i zjarrtë i partisë) është me “shkollë nate”.

Tregu i punës në krizë

Ndryshimi i shpejtë i marëdhënieve ekonomike, zhbërja e marrëdhënieve të mëparshme dhe kalimi në një shoqëri pluraliste dhe për një kohë të gjatë në tranzicion, sigurisht që ka rimodeluar në thelb sistemin e të jetuarit dhe veçanërisht vlerave në të cilat individët e kësaj shoqërie besojnë.

Sot tregu i punës në Shqipëri është në krizë dhe tregues i kësaj krize nuk janë vetëm statisktikat apo raportet që publikon në vazhdimësi Instituti Kombëtar i Statistikave mbi rritjen e papunësisë, as raport-analizat e vazhdueshme të cilat i mbulon pluhuri arkivave të Ministrive përkatëse. Ajo që në të vërtetë përbën thelbin e kësaj krize e që institucionalisht nuk shkruhet e artikulohet, është kriza e vlerave në sistemin e rekrutimit dhe menaxhimit të Burimeve Njerëzore.

employer at deskMjafton të vizitosh një nga të ashtuquajturat call center në Tiranë, për të pasur mundësinë të prekësh nga afër një realitet ku të rinj të shkolluar, shumica edhe me master, shumica madje me master shkencor, punojnë në një profil që nuk ka aspak lidhje me llojin e studimeve të larta që kanë kryer. Aty gjen inxhinierë, informaticienë, juristë me bollëk, ekonomistë, sociologë e filozofë.. etj ku pavarësisht llojit të masterit, ata janë të gjithë specialistë të gjuhës Italiane dhe përdorimit të kompjuterit. Kaq mjafton për të punuar, për t’u paguar mirë e për të mbijetuar në një treg që tashmë nuk selekton mbi bazën e aftësive dhe meritave dhe ku individit i duhet të përshtatet me alternativën e parë që i ofrohet.

Shpresina është një nga këta të rinj. Ajo është 26 vjeç, ka përfunduar studimet e larta për Shkenca Politike, me mesatare relativisht të lartë në Genova të Italisë. Pas përfundimit të studimeve u kthye në Shqipëri me shpresë të ushtronte profesionin e saj por u përball me një realitet më të egër se ai i para viteve kur ishte larguar nga Shqipëria. Vendet e punës dhe kryesisht administrata publike, ishin të “uzurpuara”. Shpresina po ndjek një fakultet të dytë në Shqipëri dhe punon operatore në një nga call center-at e shumtë në Tiranë.

Puna në Call Center është padyshim një punë e ndershme dhe ështe e kuptueshme që në ekonominë e tregut, individi do ti përshtasë e përdorë aftësitë e tij, në bazë të asaj çka i ofrohet. Ka një formulë të gatshme sot për sot në Shqipëri, të kesh një punë është e vështirë, e të kesh punën që meriton është një luks që jo kushdo mund ta ketë.

Meritokracia vs  Nepotizmi

how-cover-employment-gaps-resumeEtimologjia e fjalës meritokraci është njëkohësisht latine dhe greke, ku mereo vjen nga latinishtja (domethënë fitoj) dhe cracy vjen nga greqishtja (forcë, pushtet). Pra, ad literam “fitoj pushtet”. Në kuptim të një lloj pushteti i cili nuk më dhurohet, jepet, por një pushtet që fitohet me të drejtë në bazën e meritës dhe ku fuqia duhet të jetë në duart e atyre që e meritojnë ta kenë.

Meritokracia ka lindur si një term në kundërvënie të  plotë më të kundërtën e saj, nepotizmin, pra krijimi i raporteve të përfitimit mbi bazën e korrupsionit, rryshfetit, njohjeve dhe favoreve personale. Teoricieni roje  i teorisë së Meritokracisë, Michael Young, duket se e ka parashikuar me mjaft përkimëri situatën në të cilën ndodhen shumë shoqëri sot ku meritokracia konsiderohet një mit, një realitet utopik dhe i pazbatueshëm plotësisht në sistemet e sotme ekonomike dhe strukturat aktuale sociale. Ajo çka është e përbashkëta e teorive që shpjegojnë apo mbrojnë meritokracinë është një pikë e përbashkët: që merita në vetvete duhet të jetë konsiderata më e rëndësishme gjatë një vlerësimi për punësim apo rekrutimit të individëve për pozicione të caktuara pune.

Në realitetin shqiptar zhvillimi i rrjeteve nepotike ndodh në dy mënyra: ose duke u shndërruar ne militant të partisë në pushtet (ose që pritet të vijë në pushtet), ose duke u promovuar në karrierë me anë të njohjeve familjare, fisnore, klanore, shoqërore.

Pa i hyrë në analizë sistemit të arsimimit prej të cilit duket se burojnë gjithë të këqiat, mbetet fakt që sot për sot konkurset e rekrutimit veçanërisht në administratë publike janë fiktive, aspak  transparente dhe preferenciale.

Është me rëndësi të theksohet që meritokracia e dobët ose mungesa totale e saj të mos kuptohet si një realitet veçmasi alla-shqiptar apo alla-ballkanik. Në shumë shoqëri të tjera, edhe më të demokratizuara e zhvilluara, gjen kurdoherë shembuj të punësimit të personave të paaftë për funksionin që kryejne apo pozicionin ku ndodhen. Por nëse punësimi mbi baza ashiqare nepotike, bëhet kryefjalë, atëhere kemi të bëjme me një problem jo vetëm ekonomik e social, por shumëdimensional. Një sistem ku vetë sistemi i vlerave është në krizë.

Ajo shoqëri ku ka meritokraci është gjithmonë një shoqëri, zhvillimi i së cilës varet nga aftësitë dhe potenciali njerëzor i secilit individ. Ku një grup njerëzish ushtrojnë funksionet e tyre mbi bazën e aftësive specifike, dhe në krye të hierarkisë është gjithmonë talenti i secilit. Ata, të cilët për shkak të superioritetit të tyre intelektual, ushtrojne detyra në proporcion me aftësitë e tyre dalluese.

Duket sikur meritokracia është një ide që na pëlqen të gjithëve por që askush nuk beson më në të. E vërteta është se asnjë shoqëri sot për sot, përfshirë sistemin tonë, nuk mundet të jetë tërësisht meritokratike, por mund të përmirësohet me siguri sistemi i mundësive dhe shanseve të barabarta. Pra, një insitucionalizim i meritokracisë ku anëtarët e shoqërisë të nxiten në realizimin e potencialeve të tyre pavarësisht klasave sociale prej nga vijnë apo grupeve të interesit.

Është e kuptueshme që realizimi i plotë i meritokracisë  është vështirë të arrihet në kushtet e një shoqërie që ndryshon dita ditës, por një shoqëri me vlera të shëndosha është ajo ku meritokracia prevalon kundrejt nepotizmit.

Pra, “Jepini Çezarit atë që i takon Çezarit”.

Nentor-Dhjetor 2013