Merreni seriozisht lojën me fëmijët. Përfitime dhe sugjerime

13

Nga: Marsida Simo (Sociologe)

A e keni menduar ndonjëherë se kur ju luani me fëmijët tuaj duke u hedhur, organizuar gara, apo lojëra e ndihmoni atë të zhvillohet në mënyrë të shkëlqyer?!

Aktivitetet e ndryshme e inkurajojnë fëmijën të lëvizë gjithë trupin, nxit fleksibilitetin, rrit imagjinatën dhe inteligjencën. Duke pasur këtë fleksibilitet fëmija redukton ngurtësimin dhe dhimbjen e muskujve, si dhe çliron energjinë që ka. Paralelisht përmes aktiviteteve dhe lojës prindi  e ndihmon në zhvillim social dhe emocional.

Megjithatë në realitetin e sotëm, prindërit kanë gjithnjë e më pak kohë dhe energji të luajnë me fëmijët e tyre, ose e mendojnë lojën si diçka që i përket shkollës apo ambientit jashtë. Nga ana tjetër fëmijët e marrin lojën shumë seriozisht dhe ndërtojnë koncepte të rëndësishme përmes saj. Loja i lejon fëmijët të praktikojnë atë që ata kanë mësuar duke provuar veten dhe duke forcuar vetëbesimin.

Disa mënyra inkurajuese se si prindi mund të përfshihet në lojë:

  • Nisni me lojërat tuaja të fëmijërisë

Duke kujtuar lojërat e fëmijërisë do të gjeni patjetër diçka që mund të përshtatet edhe në kohët e sotme duke marrë edhe sugjerime nga fëmija juaj.

  • Kutia me lojëra

Mendoni të gjithë bashkë rreth lojërave apo aktiviteteve që mund të bëni së bashku në familje si: ndërtimi i pemës së familjes; të shikoni albumin e vjetër të fotove; të shihni një film bashkë; të gatuani një kek etj. Të gjitha këto aktivitete i shkruani të veçuara në letra dhe i vendosni në një kuti. Sa herë të jeni gati për lojë merrni një ide nga kutia.

  • Përfshirja e familjes

Do të ishte shumë e bukur por edhe argëtuese që në këto lojëra të përfshihen të gjithë anëtarët e familjes. Imagjinoni sikur të luani një skenë të një filmi që pëlqeni dhe secilit t’i jepni një lojë.

  • Kujtoni përfitimet

Ndërveprimi me fëmijët në aktivitete dhe lojëra nuk ka përfitime vetëm për ata, por edhe për ju si prindër. Nëse përfshiheni dhe hiqni komplekset do e shijoni lojën dhe do ndiheni emocionalisht shumë më mirë.

Sugjerime për lojëra:

Në muajin shkurt u oranizua një konkurs për fëmijët “Loja ime” ku fëmijët do të krijonin një lojë sipas imagjinatës së tyre. Ja disa prej tyre:

Nga Noel Beqiraj (11 vjeç):

Loja “Gjej dhe lëviz”:

Merrni dy zare dhe hidhni njërin prej tyre. Nëse ju bie numri 6, ju do t’i përgjigjeni një pyetje nga kartat e lojës. Nëse përgjigjesh saktë, hidhni më pas të dy zaret, mblidh rezultatin dhe lëviz aq hapa sa del rezultati. I pari që arrin në finish del fitues. Kartat e lojës i parapërgatisni duke shkruar pyetje nga fusha të ndryshme.

Nga Amelia Grori (12 vjeçe)

Loja “Gjej numrin”:

Kjo lojë luhet mes dy personave. Secili prej tyre duhet të ketë fletë me kuti dhe të bëjë një katror të madh me 15 kuti të vogla. Secili prej tyre duhet t’i shkruajë numrat nga 1-40 e më pas duhet t’i japin letrat e tyre personit tjetër dhe të gjejnë numrin që ai thotë. Ndërkohë që ai e gjen, tjetri duhet të plotësojë katrorë të vegjël me X dhe kështu me rradhë deri sa të plotësohet i gjithë katrori i madh. Ai që e plotëson i pari fiton.

Nga Margen Daja (5 vjeç)

Loja “Kubi i pikturës”:

Si fillim ndërtojmë një kub prej letre ose kartoni ku kemi vizatuar në çdo faqe të tij nga një figurë. Pasi ndërtojmë kubin secili lojtar (mund të luhet me shumë persona) hedh kubin dhe shikon cila figurë i bie. Në një fletë vizatimi nis të kompozojë figurën duke menduar edhe për figurat e tjera që do i bien më pas. Secili lojtar e hedh kubin 10 herë. Figurat e kubit mund të kenë një tematikë të caktuar si psh.: “Ferma e kafshëve” dhe figurat mund të jenë, një dele, një shtëpi, një njeri, një pemë, një lule dhe gardh.

Nga Delovian Plyku (6 vjeç)

Loja “Kubat me ngjyra”:

Si fillim vizatohen kubat të renditur në forma të ndryshme në një letër. Më pas secili anëtar nis të formojë kubat sipas renditjes që sheh në atë letër. Kush mbaron i bie ziles. Ndërkohë edhe lojtarët e tjerë duhet të vazhdojnë t’i ndërtojnë kubat deri në fund.

  • Revista “Familja”, prill 2022