Mes gëzimit dhe frikës

75

Për vite me rradhë më ka munduar fakti se si është festuar festa e Bajramit para viteve `90 në një kohë ku feja dhe besimi ishin të ndaluar nga regjimi i kohës. Nën dëshminë e zonjës Heroina  Saraçi, vajzës së piktorit të Popullit, Sadik Kaceli i cili është edhe autor i stemës së Republikës dhe një nga themeluesit e Galerisë së Arteve, na bëhet më e qartë sakrifica dhe mundi i asaj periudhe.

Ka qenë kohë shumë e vështirë. Për fat të keq feja u ndalua, por besimi në Zot tek njerëzit ishte gjithmonë në shpirt. Besimi ishte gjë e madhe dhe shumë shpejt shpërndahej fjala “shiko, fillon Ramazani”. Ishte shumë e bukur. Megjithëse kur fillova të agjëroj isha në moshën 23 vjeçare dhe duhet të ruhesha edhe nga shoqet në punë, që të mos merrej vesh që agjëroja. Ishim 2-3 shoqe që bisedonim dhe ishte e vështirë që edhe të mos dukeshe edhe që atë ndjenjë aq të bukur ta mbaja brenda vetes dhe ta transmetoja tek ato shoqe që e dija që më dëgjonin dhe ishin të interesuara të dinin që po vinte muaji Ramazan ose po vinte Bajrami. Me thënë të drejtën të gjithë myslimanët, si ato që nuk agjëronin edhe ato që agjeronin (të cilët ishin të pakët në numër), një ëmbëlsirë për atë ditë e përgatisnin.

Uronim me shumë dashuri njëra-tjetrën me urimet më të bukura. Ishte e vështirë, pasi gjatë kohës që agjëronim p.sh kur çoheshim në syfyr natën vendosnim batanije tek dritaret sepse komshiu afër mund të na spiunonte (pse u ndez kjo dritë natën) dhe ishte shumë problem. Ajo periudhë ishte e mbushur me stres por njëkohësisht, për besimtarët ishte një kohë e mbushur me dashuri. Myslimanët mezi i prisnin këto festa edhe pse regjimi i kohës nuk lejonte që të festoheshin, tregon ajo duke na e zgjeruar edhe më shumë panoramën e asaj kohe të vështirë. Ishte e vështirë në çdo aspekt të agjëroje e të mbaje të gjallë besimin. Po si mund të ishe “I pastër” agjërimi kur koleget e punës nuk duhet ta merrnin vesh apo komshijt gjithashtu! Vërtetë e vështirë dhe e bukur njëkohësisht.

E punësuar në artistiken Migjeni, në sektorin e qeramikës artistike, në pikturë, Heroina tregoi se ka pasur një shoqe besimtare myslimane, e cila kishte një punë të lodhshme pasi mbante format dhe ngrinte pesha të rënda. Ndërkohë, një kolege tjeter e cila shikonte ngarkesën e punës së saj i thoshte të mos agjëronte, pasi puna e lodhte tepër. Mirëpo ajo i jepte një përgjigje të prerë duke i thënë se puna e saj nuk ishte aspak pengesë për të dhe se ajo ndjehej pendë e lehtë. Këto ndjesi dhe këtë dashuri që kishin në zemra, mundoheshin ta transmetonim tek familjarët e tyre, tek fëmijët. Familja kishte peshën e vetë të madhe e të bukur, aty bëheshin përgatitjet edhe pse heshturazi e fshehurazi. Zonja Heroina kujton se: “Njëherë mbaj mend që më erdhën njerëz në kohën e iftarit dhe u struka aty në cep të aneksit duke ngrënë atë pilafin e ftohtë. Nuk kishte asnjë lloj kufiri karshi asaj kënaqësie që merrnim në ramazan apo në bajram. Të gjithë përpiqeshim të jepnim sa më shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit. Edhe pse nuk kishte shumë ushqime, në tavolinë nuk mungonte asgjë. Këto ishin përpjekjet tona”

Të jetuarit në periudha të caktuara, përtej veëhtirësive e sakrificës na bën të mësojmë edhe traditën e të festuarit të Bajrami në atë periudhë. Zonja Heroina tregon se në vogëli, në periudhën që lejohej feja, janë marrë emocionet e natyrshme dhe të dhëna me shumë dashuri. “Mbaj mend që në festën e Bajramit, kur zgjohesha në mëngjes unë bashkë me motrën time kishim një palë rrobe të reja duke filluar nga fjongoja, fustani, trikoja, çorapet dhe sandalet. Pastaj bashkë me vëllezerit e mi shkonim në bulevard, ku ishin edhe pajtonat dhe bënim xhiro me to. Me tej vizitonim dajat, hallat, xhajat, tezet dhe të gjithë na prisnin jashtëzakonisht bukur dhe për ne fëmijët ishte gëzim i veçantë sepse kudo që shkonim na jepnin lekë. E njëjta gjë ndodhte edhe në familjen tonë.” E rritur në një familje besimtarësh ajo tregon se i ati i saj ditën e Bajramit, në mëngjes shkonte në xhami dhe kur kthehej atëherë çelej dreka e bajramit, në tryezën e së cilës, edhe pse me shumë mangësi, kishte gjithçka. Kur vinte Bajrami i madh (Kurban Bajrami) ditën e tretë dhe të katërt ishte dita e vajzave të cilat bashkë me bashkëshortët mblidheshin tek familja e tyre dhe dreka u hante me njëzet vetë. “Më kujtohet mamaja ime e cila thoshte: shikoni ndonjë njeri që është në hall apo në nevojë dhe merreni sepse festa e Bajramit duhet të shoqërohet me sa më shumë njerëz, me sa më shumë dashuri, prandaj në drekën e bajramit ne kishim edhe njerëz të jashtëm. Ndërsa në ditët e sotme, liria ka bërë atë që çdo besimtar mysliman tani të jetë shumë më mirë, por e rëndësishme është të përhapet islami në mënyrën më të qartë, më të bukur, tamam ashtu siç është, që sa më shumë të shtohen rradhët e besimtarëve, thekson zonja Heroina. Në kohët e sotme janë humbur disi lidhjet farefisnore, rrallë bëhen vizitat tek halla apo tek daja. Sot, mjaftohemi me një telefonatë për të uruar njerëzit, por kjo është shumë e thatë dhe shpesh herë na largon nga njerëzit e fisit etj. “Nuk është thjesht çështja të falesh, të agjirosh por të afrosh rreth vetes sa më shumë njerëz dhe t`i kthesh ato në rrugën e besimit dhe unë dua ta injektoj atë sa më natyrshëm tek njerëzit që më rrethojnë.”- shpreh dëshirën e saj znj. Heroina

E nderuar znj. Saraçi siç edhe vetë na treguat, familja juaj ka qenë ndër të paktat familje besimtare që i kanë rezistuar diktaturës së kohës së komunizmit dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë e tillë. Lusim Allahun që të fitoni kënaqësinë e tij dhe të shtohet numëri i besimtarëve mysliman sa më shumë.

Ju falënderoj përzemërsisht që ishit pjesë e kësaj bisede të këndëshme dhe e këtij takimi, si rezultat i të cilit u zbardhën disa nga momentet e jetës tuaj dhe na pasqyruat detaje të një periudhe disi të errët të vendit tonë.

Korrik-gusht, 2014