MES TALENTIT DHE BESIMIT – INTERVISTË ME KAMPIONIN E ARTEVE MARCIALE, EGERS ALIU

364

Nga Armida Plumbi

Egers Aliu është pjesë i ekipit Tirana Taekwondo, i cili spikati që në fillimet e tij si një talent në artet marciale, me potenciale dhe me premisa për një karrierë të sukseshme.
Ai është i pari sportist i Taekwondo-së, që i ka dhuruar Shqipërisë medaljen e parë europiane në vitin 2015.
Ai është vëllai i këngëtares së mirënjohur Eugena Aliu, me të cilën ka një lidhje të veçantë. Përtej dashurisë për sportin ai na rrëfen një dashuri tjetër edhe më të madhe që i jep forcë dhe motiv për të arritur akoma më lart. Prej vitesh ai është praktikant i besimit islam dhe në këtë intervistë ai na tregon se si është jeta e një sportisti besimtar.

Egers, si ka lindur tek ju pasioni për sportin, dhe pse keni zgjedhur të merreni me Taekwondo?
-Pasioni im për sportin ka filluar që në fëmijëri, por si shkak i rrethanave aktivizimi im i parë në sport filloi në moshën 14 vjeçare. Isha plot energji dhe kërkoja të merresha me di¬çka, kështu mundësia e parë që mu dha ishin artet marciale falë sugjerimit nga disa shokë që stërviteshin në ekipin Tirana Taekwondo. Trajneria ime, Arjola Kasaj, më motivoi duke më thënë se kam potencial për të arritur shumë suksese. U dashurova në një farë mënyre me sportin dhe kështu u fokusova shumë në përmirësimin tim. Duket si një mesazh nga Zoti, ashtu si çdo krijesë e Tij që është krijuar për një qëllim të vetëm, e ky ishte qëllimi im.
Çfarë është Taekwondo-ja për ata që s’e njohin këtë sport?
-Taekwondo është art marcial dhe sport olimpik me origjinë nga Koreja e Jugut. Përfitimet nga ky lloj sporti janë të panumërta, për të gjithë moshat në shumë aspekte. Të gjithë mund të përfitojnë nga Taekwondo. Ndikimi më i rëndësishëm është tek fëmijët, të cilët argëtohen, disiplinohen dhe rriten shëndetshëm, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Do jua sugjeroja të gjithëve ta provonin.

0c9cf1ce6bce702fad2b7f46e98f9be7
A keni ndonjë sportist të preferuar prej të cilit frymëzoheni?
-Nuk jam specifik por sigurisht frymëzohem nga sportistë që kanë një karrierë historike dhe kanë arritur atë që unë dua të arrij. Më pelqen t’i studioj hapat e tyre drejt suksesit. Më ndihmon të hedh hapa të sigurtë për veten.
Cila është lidhja juaj me besimin?
-Besimi në aspektin e përgjithshëm është faktori kryesor që e bën njeriun të mbijetojë. Pa vetëbesim nuk do kisha arritur asnjë sukses. Ka disa rrugë që na lidhin me besimin, por ajo çfarë unë besoj është në ekzistencën e Zotit Një, Krijuesin e Gjithësisë që i jep formë dhe kuptim gjithçkaje. Jam praktikues i fesë islame dhe më ndihmon në çdo aspekt.
Si vjet ju keni agjëruar muajin e Ramazanit. A mund të na përshkruani në pak rreshta se si ishte një ditë agjërimi për ju? A keni hasur vështirësi gjatë kohës që stërviteshit dhe ishit agjërueshëm?
-Muaji Ramazan sjell komplet një atmosferë të veçantë nga përditshmëria. Agjërimi është kënaqësi për mua si besimtar. Një pjesë të Ramazanit e kalova në Belgjikë dhe ditët e fundit në Shqipëri. Programi ditor nuk ndryshoi në agjërim. Stërvitja ishte në të njëjtin intensitet dhe aktiviteti im ditor po ashtu. Sigurisht që kishte më shumë vështirësi por nuk krahasohet me vlerën dhe shpërblimin që ka tek i Madhi Zot.

IMG_3409
Sipas mendimit tuaj, cilat janë pikëtakimet e besimit me sportin?
-Në sport besimi është faktor i fortë për sukses. Besimi në Zot të bën t’i shikosh gjërat ndryshe. Dyluftimi, konkurrenca dhe presioni në Taekwondo është i lartë, gjë që merret shumë lehtësisht kur mbështetesh në Zot dhe pranon atë çfarë Zoti vendos për ty.
Na tregoni pak për garat ku keni marrë pjesë dhe çmimet që keni fituar?
-Deri më tani kam marrë pjesë në shumë gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Sfidat më të rëndësishme kanë qenë kampionati Botëror dhe Europian ku përballja me nivelin më të lartë garues më bëri të kuptoj se me punë dhe përkushtim unë mundem të arrij në podium. Kështu ndodhi në nëntor 2015 ku u rendita i 3-ti neë Europian me medaljen e parë për taekwondo-në shqiptare, duke marrë çmimin edhe si sportisti i vitit 2015 nga KOKSH. Kam sjellë disa medalje nga kampionate të njohura ndërkombëtare. Në rang kombëtar jam kampion prej 6 vitesh. Çmimi i fundit ishte në janar 2017 në Gjermani në kampionatin ndërkombëtar, ku u rendita i treti në 43 garues elitarë.
Kam arritur shumë çmime, por nuk dua ta kthej kokën mbrapa pasi qëllimi im është shumë më i madh se kaq, ku me lejen e Zotit do të bëhet realitet.
Cilat janë vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballeni? A keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë?
-Prej 2-3 vitesh jetoj jashtë Shqipërisë, larg familjes, të afërmëve dhe shoqërisë. Nuk më pëlqen të flas për sfidat, por kam kaluar shumë. Kam devijuar dhe jam rrëzuar shumë herë, por e kam gjetur forcën t’i shikoj gjërat në sy i vetëm e të mos përkulem.

IMG_3411
Sipas mendimit tuaj, cili është realiteti i sotëm i sportistëve të talentuar? A kanë ata mbështetjen e nevojshme nga shteti dhe institucionet përgjegjëse?
-Sporti ka vite dhe dekada që vuan në Shqipëri. Shume sportistë kanë potencial për të arritur shumë suksese por disa heqin dorë, disa largohen, e ata që qëndrojnë nuk munden të arrijnë shumë sukses pasi vetë kushtet janë kufizuese. Unë personalisht, pas cdo sakrifice dhe përgatitje që bëra për Kampionatin botëror që u zhvillua në Korenë e Jugut në datat 24-30 qershor 2017, nuk arrita të marr pjesë, për shkak të mungesës së mbulimit të shpenzimeve nga organet përkatëse. Këto janë momente delikate që i dëmtojnë sportistët. Megjithatë Shqipëria është një vend në progres dhe shpresojmë për një të ardhme më të mire e të paktën të ekzistojë një mbështetje për përgatitjet dhe evenimentet kryesore, si Europian, Botëror dhe Olimpiadë.
Sa të lidhur jeni me familjen tuaj dhe sa suport keni patur prej tyre?
-Familja është suporti më i madh që kam. Jam shumë mirënjohës Zotit që kam një familje të tillë. Jemi gjithmonë bashkë në çdo sfidë dhe sukses.
Çfarë ju motivon për të ecur përpara dhe për të korrur suksese të njëpasnjëshme?

IMG_3414
-Çdo punë e përfunduar me sukses shpërblehet në një mënyrë apo në një tjetër. Mua më motivon plotësimi i karrierës sime në formën më të mirë. Vlerat dhe kontributi që suksesi im jep është në rang të veçantë.
Planet e tuaja të ardhshme? Ku e shikoni veten brenda 5 viteve të ardhshme?
-Jam shumë i qartë në planet e mia për të ardhmen. Unë besoj në atë çfarë të tjerët nuk e besojnë se mund ta bëj. Dhe brenda 5 viteve e shikoj veten t’ju kem vërtetuar se e kishin gabim.
Mesazhi juaj për të gjithë sportdashësit?
-Ju sugjeroj gjithmonë të gjeni kohë për aktivitet fizik 2-3 herë në javë. Nëse nuk keni mundësi apo dëshirë për t’u ushtruar vetë, mos pengoni të tjerët por përkundrazi shtyjini ata drejt sportit. Hani shëndetshëm dhe largojuni mendimeve stresuese! Argëtohuni dhe jetoni pa frikë! Zoti ju begatoftë në çdo drejtim që zgjidhni!

Revista “Familja”, korrik 2017