MES TALENTIT DHE BESIMIT – INTERVISTË ME KËNGËTAREN EUGENA ALIU

749

Nga Armida Plumbi

Eugena Aliu, këngëtarja e talentuar dhe me një zë potent, rrjedh nga një familje artistësh. Pjesëmarrja dhe eksperienca e saj më e fundit në “The Voice Turkey” bërë jehonë në median shqiptare. Përveç talentit dhe dashurisë për këngën ajo mbart në zemrën e saj një dashuri të pashtershme për Zotin dhe besimin islam. Prej vitesh ajo është bërë pjesë e dhjetëra organizimeve kulturore, ku ka qenë shpeshherë e ftuar dhe ka kënduar ilahi, duke emocionuar publikun me zërin e saj melodioz.

Në këtë intervistë ajo na rrëfen diçka më shumë për veten e saj, lidhjen me Zotin, me familjen, si dhe disa nga planet e saj të ardhshme. Pjesë e këtij numri të revistës “Familja” është edhe intervista me vëllanë e talentuar të Eugenës, Egersin, i cili është kampion i arteve marciale, me të cilin ajo është shumë e lidhur.


Eugena, si ka lindur tek ju dashuria për këngën?
-Unë jam rritur në një familje artistësh pasi prindërit e mi janë këngëtarë, si e tillë muzika ka qenë pjesë e imja gjithmonë! Por nuk e lashë thjesht pasion dhe trashëgimi ndaj e çova më tej këtë talent duke u bërë këngëtare profesioniste, pasi kam studiuar në “Liceun Artistik “Jordan Misja” Tiranë, ku jam diplomuar për kanto.
Ju këndoni në zhanre të ndryshme muzikore, por cila është ndjesia që përjetoni kur këndoni ilahi?
-Po, në fakt i kam kënduar të gjithë zhanret muzikore, por ilahia është diçka komplet ndryshe. Është ndjesia më e bukur që marr kur këndoj, zëri im ‘ndriçohet’ gjë e cila duket sikur vjen nga një forcë e mbinatyrshme që dhurohet vetëm në ato momente!
Cili ka qenë kontakti juaj i parë me besimin islam?
-Nuk mbaj mend asnjë moment të jetës sime, të mos kem besuar në një Zot të Vetëm! Mendoj se kjo është dhuratë nga Zoti! Kontakti i parë me Islamin dhe Kuranin ka qenë në moshën 5 vjeç, ku as nuk e dija çfarë ishte Kurani por e mbroja sa herë flitej për të!
Kur ballafaqoheni me vështirësi në jetën tuaj, a i drejtoheni Zotit me lutje?
-Zoti është fjala e parë që them, si në vështirësi ashtu edhe në lumturi! Mundohem me shumë ta falënderoj se sa t’i ankohem! Është lidhja më e hapur që mund të ketë një njeri për të shprehur vetveten dhe për të kërkuar të drejtën!

IMG_3404
Sivjet ju keni agjëruar muajin e Ramazanit. A mund të na përshkruani në pak rreshta se si ishte një ditë agjërimi për ju?
-Kam agjëruar në moshë fare të vogël, por vitet e fundit e kam mbajtur plotësisht muajin e Ramazanit! Është “pasuri” të cilën e kemi ne muslimanët nga Zoti i Gjithësisë! Ditët e mia në Ramazan janë më të bukura se gjithmonë dhe meqë tani sapo u largua them me bindje te plotë se do më mungojë deri vitin që vjen!
Çfarë vlerësoni më shumë të vetja juaj dhe për çfarë thoni “më mirë të mos e kisha këtë”?
-Vetëbesimi është shumë i rëndësishëm në jetën e njeriut, askush nuk është perfekt, perfeksioni tek njerëzit nuk ekziston! Mundohem të jem sa më afër më të mirës së mundshme tek gjithçka që bëj!
Cilat janë hobit tuaja?
-Hobit në fushën e artit janë ato që më shoqërojnë më shumë, si piktura, të shkruaj tekste, të kompozoj këngë dhe shumë të tjera nga bota e artit.
Ku e shihni veten tuaj diku tjetër përveç këngës?
-Në fushën e drejtësisë, pasi kam studiuar 6 vite për juridik. Sapo jam licensuar si Avokate, ndaj në një të ardhme jo shumë të largët dëshiroj të kem një karrierë të suksesshme në drejtësi.

IMG_3403
A ka Eugena një ëndërr në sirtar?
-Sigurisht, si çdo njeri që ëndërron për të ardhmen! Do ja lë kohës ta zbulojë, kur t’i kthej në realitet!
Çfarë ju frymëzon më shumë?
-Çdo gjë e bukur, e pastër dhe që përcjell paqe dhe mirësi! Ky është frymëzimi im!
A ju pëlqen suksesi apo ju bezdis?
-Nëse nuk do më pëlqente, nuk do të punoja për të qenë e suksesshme! Sigurisht që më pëlqen të jem dikush që lë gjurmë në këtë botë!
Sipas mendimit tuaj, cili është çelësi i suksesit tuaj?
-Dhuntitë e veçanta që Zoti më ka dhënë! Për këtë e falënderoj plotësisht Atë! Më pas puna ime dhe përkushtimi pas asaj që kam dashur të arrij gjithmonë, duke besuar se një ditë do e kem atë që dua!
Sa e lidhur jeni me familjen tuaj e veçanërisht me vëllanë?
-Jam rritur në një familje ku mbizotëron gjithmonë kryefjala “Familja” dhe ku çdo gjë bazohet mbi respekt dhe ndershmëri. Të tillë do e transmetoj dhe unë mesazhin në të ardhmen. Sigurisht pa familjen nuk do isha sot këtu. Ne jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Lidhja me vëllanë është më e bukura që mund të ketë një motër e vëlla. Ne jemi mbështetja më e fortë për njëri-tjetrin në çdo hap të jetës. Jemi rritur bashkë në çdo sfidë. Falënderoj Zotin që e kam!

8503_494146774098388_2413028726254771495_n
Ku e shihni veten pas disa vitesh?
-Zoti e di më së miri! Sigurisht kam një vizion për të ardhmen dhe jam e fokusuar shumë në arritjen e karrierës si artiste e mirënjohur ndërkombëtarisht. Përsa i përket profesionit të drejtesisë do të angazhohem në një të ardhme të afërt në plan me sukses afatgjatë.
Një mesazh për lexuesit e revistës “Familja”?
-Ashtu siç quhet revista juaj, “Familja” mbi të gjitha dhe respekti për të le të jetë gjithmonë objektivi i shoqërisë sonë! Ecja në rrugë të drejtë është më e mira që mund të bëni dhe që shpërblehet në mënyrën më të mirë!
Ju falënderoj shumë që më bëtë pjesë të revistës tuaj! Uroj të keni sa më shumë suksese!

Revista “Familja”, korrik 2017