Mësimi bashkëpunues në shkolla (Sondazh, Observim, Eksperiment)

292

Desa Agalliu

Mësimdhënia është një nga profesionet më të lodhshme por njëkohësisht është një zanat që edukon breza të rinjsh me mendësi dhe kulturë, duke u përcjellë dekad pas dekade në ambientin tonë shoqëror. Shkollat, si institucione që përçojnë dije, janë themeluar në zanafillën e tyre me misionin për të shpërndarë njohuri të reja në të cilat do të përmirësonin mënyrën e jetesës së njerëzve. Shkolla e parë e ndërtuar për këtë qëllim u ngrit më këmbë në Florida duke qenë një nga ndërtesat më të thjeshta të zonës, vetëm një katëshe pa dekorime e gjitha prej druri. Vetë procesi i mësimdhënies kërkon aftësi dhe art dhe në vetvete është një nga qëllimet më të virtytshme që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe të lejon ndërhyrje. Ndërhyrjet mund të bëhen sigurisht në funksion të përmirësimit të thithjes së informacionit në klasë dhe bërjes së shpjegimit të mësimit një orë zbavitëse dhe të këndshme. Mësim bashkëpunues është puna në shkollë në grupe, duke i kthyer aftësitë individuale në më pak të rëndësishme se puna e grupit, ndërkohë që gjithsecili kontribuon me mundin e vet për të arritur rezultate sa më të mira akademike me kooperimin në klasë. Mësimi bashkëpunues përfshin një dualitet teorie dhe kërkimi të aplikuar për të përmirësuar marrëdhëniet sociale, dinamikën e grupeve dhe udhëzim. Përveç të tjerash qëllimi i kësaj metodike është që të arrijë një edukim shumëdimensional dhe të përmirësojë efikasitetin dhe prodhimtarinë e studentëve dhe mësuesve në mjedisin shkollor.

Mësimi bashkëpunues zakonisht matet me tri mënyra; sondazh, observim, eksperiment. Sondazhi përdor pyetësor ku njerëzit raportojnë rreth eksperiencave të tyre ose asaj çka dinë në mënyrë direkte. Në observim kërkuesit observojnë njerëzit pa ndërhyrë në sjelljen e tyre, duke nxjerrë përfundime, por duke mos dhënë arsye. Eksperimentet janë proçedura të formuluara me kujdes dhe përdoren për të matur reagimin e njerëzve ndaj ngjarjeve specifike.

 Prevaleca e sondazhit dhe konceptualizimi i tij
Qëllimi i shpjegimit të efikasitetit të sondazhit është që të studiojë opinionin dhe vënien në praktik të metodave bashkëvepruese të studimit midis nxënësve dhe impaktin e tyre tek rezultatet në mësime, duke e krahasuar këtë metodik me vlerësimin e dobët të saj në literaturën pedagogjike. Metoda e përdorur për studim në këtë artikull është sondazhi. Studimi u krye në gjashtë shkolla fillore në dy distrikte dhe u fokusua në popullarizimin, teoritizimin dhe aplikimin e mësimit bashkëpunues midis nxënësve të vlerësuar nga mësuesit e shkollave. Sondazhet dhe intervistat ishin metodat e përdorura gjatë kërkimit. Shumica e mësuesve u nënshkruan për mësimin bashkëpunues në mënyrë që të arrinin rezultate të larta akademike por edhe studim kooperativ, duke strukturuar besnikëri bashkëveprimi midis nxënësve duke i trajnuar studentët të punojnë në skuadra.
Sondazhi konsistoi në pyetësorë dhe intervista direkte. Pjesëmarrësit, mësuesit dhe studentët ishin zgjedhur në mënyrë të barabartë nga një grupacion i diversifikuar në bazë të racës, të ardhurave dhe popullatës urbane apo suburbane. Para së gjithash 85 mësues pjesëmarrës kompletuan një sondazh dhe më pas 21 prej tyre u zgjodhën për të performuar në lëndën e letërsisë dhe pjesa tjetër për intervista. Në sondazh mësuesit u pyetën rreth notave mesatare të çdo klase, përdorimit të tyre të metodës së mësimit bashkëpunues në klasë dhe dëshirës për t’u intervistuar për këto metodika kooperative. Mësuesit e intervistuar u pyetën rreth përdorimit të metodës kooperative të studimit, eksperiencës së tyre me strategjitë udhëzuese, arritjet dhe relacionet rreth mësimit bashkëpunues dhe gjykimin e tyre për efikasitetin e tij si metodë. Të intervistuarit u rregjistruan në audio dhe më pas u transkriptuan. Pesë kategori të përgjithshme u investiguan: relacioni, frekuenca, strategjitë, efikasiteti, dhe problemet e hasura gjatë implementimit të studimit kooperativ.
Analiza e sondazhit rezultoi që kishte një përdorim të mirëfilltë të mësimit bashkëpunues midis një numri të konsiderueshëm shkollash; nga mësuesit e intervistuar 93 % e tyre rezultuan që e përdornin studimin kooperativ. Një grup mësuesish rezultuan se kishin mësim ditor bashkëveprues midis studentëve në disa lëndë. Megjithatë pak mësues rezultuan se kishin përdorur forma të njohura të studimit kooperativ, pasi ata mendonin se përgjegjësia individuale nuk korrespondonte me qëllimin e grupit. Gjithashtu mësuesit pjesëmarrës u pyetën të tregonin për aplikimin e mësimdhënies cooperative dhe arsyet kryesore të shtruara ishin studimi akademik, pjesëmarrja aktive në mësim, mësimdhënie sociale dhe bashkëvepruese në klasë dhe eksperienca personale të proçesit të të mësuarit.

 Eksperimentimi mbi influencën e mësimit bashkëpunues dhe arritjeve akademike
Hipoteza e këtij kërkimi është që studentët e ekspozuar ndaj mësimit kooperativ, do të bëjnë progres të konsiderueshëm rreth artit të të folurit krahasuar me student, mësuesit e të cilëve nuk e kanë përdorur strategjinë e mësimdhënies bashkëpunuese midis nxënësve.
Në vitin 1982, disa kërkues drejtuan tre lloj analizash dhe integruan rezultatet e 121 eksperimenteve mbi studimin kooperativ, me efekte krahasuese. Siç ilustrohet në artikull, u përdorën dy tipe grup kontrolli: mësues jo pjesëmarrës nga shkolla pjesëmarrëse dhe mësues pjesëmarrës nga shkolla pjesëmarrëse. Të tri grupet e mësuesve u përdorëm si grup eksperimenti: mësues në projekt për një vit (1982), dy vjet (1981 dhe 1982), dhe tre vjet (1980, 1981, 1982). Sondazhi përdori si mjet për të matur rezultatet, pyetësor të mbyllur. Eksperimenti përdor dy variable, variable dipendent dhe variabël indipendent, plus grupin e kontrollit dhe grupin eksperimentues. Variabli independent në artikull ishte arritjet bashkëpunuese të strukturës kooperative të studimit. U gjetën dy variabl dipendent në këtë artikull: aftësitë e të mësuarit të studentëve dhe aftësitë e mësimdhënies së mësuesve.
I gjithë eksperimenti tregoi që gjatë përdorimit për një kohë të programeve kooperative, të mësuara nga mësuesit dhe strukturimi strategjik i procesit të mësimdhënies mund të aplikoheshin në mënyrë efektive. Trajnimi me qëllime afatgjata provoi të ishte shumë i arrirë në artet e të folurit, por jo aq shumë në artin e të lexuarit. Hipoteza se rezultatet akademike do të ishin më të larta me anë të mësimit në grup dhe në mënyrë kooperative nuk u mbështet. Eksperimenti tregoi se trajnimi që u bë më lart ishte ndihmues për të gjitha grupet, si studentët dhe mësuesit.
Revista Familja, mars 2017