Miqësia ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve arabe nën dritën e zhvillimeve bashkëkohore

55

Natyrisht si kudo, sadopak histori e përmbledhur nga e kaluara, i bën vërtet mirë si të tashmes edhe të ardhmes…

Historianët na përcjellin se kjo miqësi e lashtë daton që me ardhjen e tregtarëve dhe misionarëve të parë të Botës Arabe Islame në tokën shqiptare, kryesisht në Durrës, Shkodër, Kavajë, në Petrelë të Tiranës, Elbasan, Dibër, Shkup, Tetovë, Kosovë, Mali i Zi dhe në troje të tjera shqiptare. Si trokitje e parë kohore dhe historike mund të konsiderohet arritja e arabit të parë në tokën shqiptare, Mohammed Ebu Idriz, rreth vitit njëmijë e dyqind e dhjetë, i cili fillimisht u vendos në Durrës, pastaj në Petrelë të Tiranës, e më tej. Në vazhdim kjo miqësi dhe vëllazëri filloi të forcohej çdo vit edhe më shumë me vizitën e haxhilerëve shqiptarë në Qabenë e Mekës së ndritur të Arabisë Saudite për kryerjen e Haxhit, me krijimin e lidhjeve miqësore me vëllezërit arabë të ardhur në Haxh nga vendet e tjera të Botës Arabe, me shkëmbimin e vizitave miqësore reciproke, si dhe me fillimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit tregtar, kryesisht në brigjet veriperëndimore të Shqipërisë, si dhe lidhjeve tokësore përmes Sirisë, Turqisë e të tjera.

Arabian_Peninsula_dust_SeaWiFS-2Më vonë është Bota Arabe ajo që do të bëhej strehë e sigurtë bamirësie dhe bujarie për sa e sa shqiptarë që morën rrugën e mërgimit për në tokën arabe për arsye të ndryshme. Theksojmë se shumë nga Rilindasit e njohur të Shqipërisë jetuan dhe punuan për çështjen shqiptare në Botën Arabe falë ndihmës vëllazërore edhe besnike të vëllezërve arabë për vëllezërit e tyre shqiptarë në ditët e tyre më të vështira. Edhe sot e kësaj dite shumë shqiptarë jetojnë në shumë nga vendet arabe, sikurse edhe shumë vëllezër arabë jetojnë në vëllazëri të plotë me shqiptarët në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare.

Natyrisht erërat e zhvillimeve përparimtare kanë fryrë dhe do të fryjnë sa herë që dëshiron Allahu i Madhëruar, edhe në Shqipëri, edhe në vendet arabe. Porse, pavarësisht nga ndryshimi i qeverive apo i sistemeve politiko-ekonomike, miqësia ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Botës Arabe forcohet përditë edhe më shumë. Kjo pasi atë nuk e kanë themeluar as qeveritë dhe as sistemet politike, por vetë populli shqiptar dhe populli arab që përbëjnë në çdo kohë shumicën absolute të kësaj miqësie dhe bashkëpunimi. Këtë e vërteton edhe fakti që asnjë lloj diktature, qoftë ajo arabe apo shqiptare, nuk mundi t’i ftohë ndjenjat e miqësisë dhe vëllazërisë midis popullit shqiptar dhe popullit arab. Pavarësisht nga problemet e politikës së brendshme të disa vendeve arabe, ku çdo ditë vazhdojnë të shfaqen zhvillime të reja përparimtare, në njëzetë vjet shtet shqiptar pluralist dhe demokratik, pavarësisht edhe nga ngërçet e herë pas hershme të politikës shqiptare, marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe vendeve arabe po njohin përditë e më shumë hapa përpara.

Vlen të theksojmë se numri i ambasadave arabe të akredituara në Tiranë ka arritur në shtatë, si: Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Palestina dhe Libia. Pavarësisht nga faktorët ndërkombëtarë që ndikojnë në politikën arabe, nga njëzetë e dy shtete arabe ekzistuese, deri tani nëntë nga ata kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, si: Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mauritania, Jordania, Katari, Xhibuti, Somalia, Kuvajti, Iraku. Gjithmonë duke vënë theksin mbi zhvillimet e reja, vlen të përmendet vizita e emirit të Katarit, sheikut Hamad Bin Khalifa E-Thani në Shqipëri, i cili u prit nga kryeministri Sali Berisha, të cilët nënshkruan së bashku tetë marrëveshje bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Katarit, të cilat kanë të bëjnë me shmangien e tatimit të dyfishtë dhe me parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat, me nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, me shërbimet ajrore, me bashkëpunimin kulturor, me bashkëpunimin në fushën e turizmit, me memorandumin e mirëkuptimit midis Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Katarit, me themelimin e Këshillit të Biznesit të Përbashkët, bashkëpunimin dypalësh dhe shkëmbim lajmesh midis ATSH-së dhe QNA-së të Katarit.

Në takimin me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili i dorëzoi sheikut të Katarit titullin “Qytetar Nderi” për kontributin e dhënë për qytetarët e Tiranës, forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit shumanësh i shërbyen edhe takimet e kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli, dhe presidentit shqiptar në detyrë, Bamir Topi, i cili i dorëzoi sheikut të Katarit urdhërin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” për merita të shquara në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Katarit. Gjithashtu bashkia e Tiranës u binjakëzua me bashkinë e Dohas në Katar në sajë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe homologut të tij të Dohas, Mohammed Ahmed E-Sayed.

Po të njëjtit qëllim i kanë shërbyer edhe shkëmbimet e vizitave të ndërsjellta të delegacioneve midis Shqipërisë dhe Kuvajtit, si dhe ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Po ashtu vlen të theksohet investimi madhor i Bankës Islamike të Bashkuar në ndërtimin e Rrugës së Kombit, si dhe në ndërtimin e tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan e më tej. Gjithashtu do të mbetet e paharruar ndihma e jashtëzakonshme humanitare e vendeve arabe, me në krye Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Katari e të tjera, për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës për çlirimin nga pushtuesit serbë. E ndiej për detyrë të përmend gjithashtu një numër gjigand fondacionesh bamirëse arabe, të cilët kanë ndihmuar dhe ndihmojnë sa e sa jetimë, individë dhe familje të varfëra si në Shqipëri, ashtu edhe në trojet e tjera shqiptare, të cilat kanë ndërtuar një numër shumë të madh veprash bamirësie, si: xhami për besimtarët myslimanë, komplekse dhe qendra bamirësie, shkolla e spitale për të gjithë, ujësjellësa të ujit të pijshëm, u kanë dhuruar lopë dhe dele, si edhe mjete pune fshatarëve të varfër, dhe po ashtu kanë ndërtuar rrjete ujore vaditëse për tokat e tyre e të tjera, e të tjera.

Traditën e bashkëpunimit të miqësisë dhe vëllazërisë pa kufi po e forcojnë çdo ditë xhemeatet (delegacionet) private që vijnë nga vendet arabe për të kaluar pushimet apo edhe kohën e lirë, si dhe muajin e agjërimit të Ramazanit në Shqipëri dhe në trojet e tjera të kombit me vëllezërit e tyre shqiptarë. Ata nuk duan t’ia dinë as për “dimër” shqiptar apo arab, as për “pranverë” shqiptare apo arabe. Ata vazhdojnë të forcojnë dhe të shtrijnë fillin e gjelbër gjigand të miqësisë dhe vëllazërisë midis Kombit Shqiptar dhe Kombit Arab. Natyrisht, mua, qoftë si anëtar apo qoftë si drejtues, vetë statuti i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Vende Arabe, nuk më lejon të futem as në politikën e brendshme arabe, as dhe në politikën shqiptare. Detyra dhe e drejta ime është të mbledh anët më pozitive të këtyre politikave, të cilat ndihmojnë në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis Popullit Shqiptar dhe Popullit Arab.

Allahu na mëshiroftë dhe na dhëntë mëshirë nga mëshira e Vet që të mëshirojmë veten tonë dhe njëri-tjetrin. Allahu na udhëzoftë në rrugën më të mirë që Ai dëshiron për ne dhe na bëftë të jemi vëllezër të vërtetë përjetësisht në rrugën e Tij. Allahu e bekoftë dhe e mbrojtë miqësinë dhe vëllazërinë midis Popullit Shqiptar dhe Popullit Arab! Amin!

Shtator-Tetor 2013