Mjerë ai që rri vetëm!

398

E vetmja dashuri e pastër, e dëlirë, pa kushte, pa kompromise është dashuria e prindërit për fëmijën. Është e vetmja dashuri që lind dhe nuk vdes kurrë. Është dashuria më magjike në botë, ajo që lidh zemrat e prindërve me fëmijët e tyre.

Pavarësisht kësaj mrekullie, në shumë raste ne nuk e vlerësojmë dhe nuk kushtojmë vëmendjen e duhur ndaj kësaj ndjenje. Shpesh janë fëmijët ata që harrojnë prej nga kanë ardhur, janë fëmijët ata që lëndojnë dhe vrasin shpirtin e krijesave që i sollën në këtë botë.

Personazh i këtij reportazhi është Rukia, një grua 86- vjeçare që jeton në një nga Azilet e Pleqve në Tiranë. Ajo nuk pranon që historinë e saj ta bëjë publike, por jashtë mikrofonit ajo nuk arrin t’i kontrollojë lotët që i rrjedhin curg në sy, teksa përmend vazhdimisht thënien: “Vetmia është dënimi më i rëndë në këtë botë. Varfëria nuk është asgjë përpara vetmisë. Mjerë ai që rri vetëm! Mjerë ai moj bijë, se nuk paska gjë më të keqe”.

Ajo tregon se prej 4 vjetësh, që kur humbi bashkëshortin e saj, jeton në azilin e pleqve, duke përjetuar çaste të tmerrshme. Dita nis dhe përfundon me sytë nga qielli dhe me lotët e vetmisë zhuritëse, që i përcëllojnë shpirtin. Pavarësisht se djali i saj i vetëm e ka braktisur, ajo ndjen mall për të, ndjen dashuri të madhe për ta pasur pranë e për ta përqafuar, ajo nuk e gjykon keq veprimin barbar të birit të saj. Madhështia e nënë Rukies lartohet pafundësisht në çdo fjalë që nxjerr nga goja. Për asnjë moment ajo nuk e shan të birin që e braktisi, nuk thotë asgjë të keqe për të, përveçse qan me mall duke kujtuar momentet më të bukura me të.

Kjo tregon se sa e pakufishme është dashuria e nënës për fëmijën e saj.

Në flokët e nënë Rukijes ka rënë vjeshta, por megjithatë shpirti i lulëzon nga pranvera e dashurisë për jetën. Çdo artikulim fjalësor përmes dhëmbëve të rënë, mjaltohet nga mençuria e zërit të përvojës jetësore. Ja, kjo është dashuri! Por sa keq që fëmija e saj nuk ka trashëguar asnjë grimcë madhështie dhe ndjesie njerëzore. Ky djalë që nuk do nënën e tij për ta pasur pranë, çfarë dhe kë mund të dojë vallë? Ai nuk do askënd, madje ai nuk do as veten e tij.

A ka frikë nga ndëshkimi hyjnor ky njeri, që vetëm i tillë nuk mund të quhet?

Zoti i ndëshkon ata njerëz që harrojnë prej nga kanë lindur, ata që nëpërkëmbin dashurinë, ata që nuk respektojnë dhe nuk përkujdesen për prindërit e tyre.

Është detyrë e gjithsecilit prej nesh që të bëjë të pamundurën për prindërit, ashtu siç bënë ata për  ne. Dhe nëse ne do të japim modelin e dashurisë për prindërit tanë, të jeni të bindur të dashur miq se edhe fëmijët tanë nesër do të jenë modeli më i bukur dhe mbështetja më e madhe për ne. Ç’të mbjellësh, do të korrësh! Nëse ti mbjell përkujdesje e dashuri, atë do të gjesh e nëse mbjell arrogancë e mospërkushtin ndaj prindërve, edhe ti nesër do të kesh të njëjtin fat, do të vuash nga vetmia e tmerrshme, e ftohtë, e akullt dhe mjerane. Jep dashuri sot, që të marrësh begati nesër!