Mos e kthe kokën mbrapa

16

Nga: MSc. Alba Gega

Ti ec me familjen tënde pasi të kalojë një pjesë e natës dhe ti rri pas tyre (që të mos frikësohen) dhe asnjëri prej jush të mos e kthejë kokën mbrapa (për të shikuar) dhe shkoni andej nga urdhëroheni. (Hixhr: 65)

Kurani mbetet një thesar ajsberg, ku vetëm maja e ajsbergut është zbuluar. Perlat e dala nga Kurani janë jo vetëm këshilla, histori dhe të dhëna apo vërtetime shkencore, por njëkohësisht janë edhe trajtesa psikologjike, motivuese për jetën. Janë receta suksesi dhe kryefjala e një jete të rregullt e me vlera.

Nga ky ajet më bën përshtypje porosia e Zotit ndaj Lutit, “Mos e kthe kokën mbrapa”. Le të jetë kjo një porosi edhe për ne. Shpesh ne ndeshemi me disfata, pa sukses në një punë, apo dështime profesionale. Mund të ndeshemi dhe të mendojmë vazhdimisht për gabimet e bëra në jetë. Por si na penalizon kjo e vështruar në të kaluarën? Si mbetemi peng i atyre gabimeve?  “Mos e kthe kokën mbrapa për të shikuar, por shkoni… Të ecim, të rritemi në çdo aspekt, nga mirëedukimi te aftësitë ndërpersonale. Recetën e kemi të gatshme në Kuran: “Mos shiko mbrapa”. Shpesh gabimet apo dështimet janë mjaft pozitive, ata shërbejnë madje shpesh si një tapet ku ne shkelim dhe ecim më mirë. T’i trajtojmë problemet tona apo gabimet tona si tapetë, është të pranojmë se jemi qenie që gabojmë dhe mësojmë nga gabimet.

Gabimet që ne bëjmë janë një e mësuar praktike. Ato na mundësojnë ne që ta konsiderojmë realitetin një laborator të madh, ku vazhdimisht përmes përpjekjeve tona të gjenerojmë forcën për të ecur pa vështruar mbrapa. Në këtë prizëm, ne fitojmë jo vetëm përmes gabimeve që bëjmë, por njëkohësisht mësojmë edhe virtytin e guximit dhe të vetëbesimit. Ne ngrihemi pa u rrëzuar. Ne përdorim patericën e motivimit të vetvetes dhe të këshillës: “Do t’ia dal”. Ne mjekohemi me psikologji pozitiviste duke mbytur dhe rrëzuar në fund të detit të pikëllimit dështimin, depresionin dhe të keqen. Të mos vështrosh mbrapa është të ngihesh në vlerat e paçmueshme të modestisë (sepse ti e di që nuk je i përsosur) dhe ta përdorësh si një gur shahu për të bërë mat kohën, dështimet dhe tërheqjen drejt së kaluarës.

 

Revista “Familja”, qershor 2022