Mungesa e arsimimit për shkak të gjakmarrjes … vret!

280

 Migena Kurushi, terapiste zhvillimi

Qëllimi

Të bësh të ditur se: “Arsimi ka për mision emancipimin shpirtëror, progresin material dhe zhvillimin social të individit.” – do të thotë të citosh Kushtetutën e Republikës, përkatësisht nenin 2 të saj.

Por t’ja citosh këto fjalë e të tjera si këto njerëzve që jetojnë të ngujuar në kulla të ngurta, larg kontaktit me njerëz, është një detyrë e vështirë.

Duke qënë se arsimi është në vetvete një mision, ashtu duhet trajtuar si një mision që do të përcjellë diçka të dobishme tek një grup njerëzish, në dobi të të gjithë shoqërisë.

Ashtu si ne do t’i dëgjonim e do të tingëllonim nenin e Kushtetutës, në veshët e njerëzve të cilët janë mësuar të mprehin dëgjimin, për çdo zhurmë të çuditshme rreth tyre.

Në shqip do të tingëllonte neni 3, i cili thotë: “Shtetasit e Republikës gëzojnë të drejta të barabarta për t’u arsimuar në të gjitha nivelet e arsimit që përcakton ky ligj, pavarësisht nga gjinia, gjendja sociale, kombësia, gjuha, feja, raca, bindjet politike, gjendja shëndetësore dhe niveli ekonomik.”

Në shqip do të tingëllonim edhe nenin 8, i cili thotë: “…Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin e detyruar deri në moshën 16 vjeç.”

Në shqip tingëllojmë këto fjalë në veshët e zemrat e tyre, por truri nuk i përkthen dot në gjuhën  e Kanunit të Maleve, të atij Kanuni që funksionon si Kushtetutë për ta.

I ngujuari vendos të mos e lërë djalin e tij të dalë nga kulla nga frika e pritës së gjakësit. Në fund të fundit ç’i duhet atij arsimi? A do t’ia mbushë sofrën? – mendon.

Është e domosdoshme që ata njerëz të cilët merren me misionin fisnik të arsimimit të punojmë e të ndryshojmë mendjen e këtij grupi njerëzish. T’u bëjmë të ditur se duke arsimuar fëmijët e tyre, do t’i formojnë ata si njerëz më të plotësuar, më të mirë, më të përgjegjshëm. E nga njerëz të tillë do të përfitonin do të ishin vetë ata, për ta nuk do të kishte më privime, nuk do të kishte mungesë dijeje, mungesë ushqimi, dielli, shoqërie, të ardhmeje.

Synimi

Të informosh se gjakmarrja është një fenomen i rëndë si në veri dhe në jug të vendit tonë është një e vërtetë e dhimbshme.

E pabesueshme dhe si e dalë nga ndonjë legjendë  një epoke të shkuar, i ngjan gjakmarrja një grupi njerëzish që vetë quhen “qytetar”. Ata popullojnë “metropolet”, si qyteti ku ne jetojmë, vetëquhen të ditur, të kulturuar, qeshin me vetëkënaqësi, e pas një dite disi të lodhshme pune në ndonjë zyrë të mykur, ulen në kafene me sytë tek ekrani i madh pranë banakut, para kafesë apo gotës së alkoolit të zakonshëm, e harrojnë. Harrojnë realitetin shqiptar, jetojnë me telenovelat e huaja, bëhen herë spanjoll e herë turq, jetojnë me Superligën, e ndiejnë veten yje futbolli për disa momente, e harrojmë! Harrojmë realitetin shqiptar, plagën e gjakmarrjes atje lart në male, e cila vret me pushkë e merr jetë njerëzish, por me ngujimin vret me injorancë, me mos arsimim, e kështu vret shpirtra njerëzish.

Diku, përtej realitetit të kafeneve apo ekraneve, po jep shpirt një pjesë e botës së paarsimuar. Një botë që po ulëret në heshtje, e po denoncon indeferentizmin e mos organizimin e shtetit.

Objektivi

Të çosh arsimin, librat e dijen në çdo vatër shqiptari nuk është mision i pamundur. Duhet organizim më i mirë i shoqërive e i shtetit. Duhet të ndërgjegjësohet çdo individ se gjakmarrja është një plagë e thellë që duhet zhdukur.

Në një shtet funksional që ka Kushtetutën e tij, ligjet duhen të zbatohen. Ndërgjegjësimi për këtë fakt bëhet nëpërmjet arsimit e formimit të njerëzve të ditur, e me vullnet, të cilët do të kenë forcën të ndryshojnë botën.

Përshkrimi

Është e frikshme dhe e turpshme njëkohësisht se si njerëz të cilët nuk kanë arsimimin përkatës, apo “inteligjencën superiore”, marrim përsipër rolin e gjykatësit; në duart e tyre vihet jeta e të tjerëve.

Ata të dënojnë me ngujim, të dënojnë që edhe në ditët tona të të jepet “kafja për nën gjuhë”; pra të diskrimojnë e të paragjykojnë për një krim që duhet se s’duhet se s’bën ta kryesh.

Ligjet e frikshme të gjakmarrjes të dënojnë shpirtërisht e fizikisht, e një shpirt i vdekur s’mund të arsimohet.

Në ditët tona është rritur në mënyrë të frikshme numri i familjeve në gjak.

Në bazë të statistikave të nxjerra nga Drejtoria Arsimore e Shkodrës në shkallë rrethi numri i nxënësve që kanë braktisur shkollën për shkak të gjakmarrjes arrin në 61, jo vetëm në zonat e thella malore, por edhe në qytet. Kjo në mungesë të forcës vepruese e parandaluese të shtetit.

Ekzistenca e këtij fenomeni ka nxitur mjaft fondacione e shoqata të hartojnë programe e projekte që kanë synim jo vetëm pajtimin e familjeve të ngujuara për vite të tëra nga frika e gjakmarrjes, por edhe të ndikojnë tek banorët e veriut të vendit, deri në zhdukjen e këtij fenomeni të gabuar të vetëgjygjësisë.

Pas vitit 1990 në Qarkun e Shkodrës llogariten rreth 450 persona të vrarë për shkak të gjakmarrjes.

Ndërkohë 490 nxënës kanë lënë përfundimisht shkollën po për këtë shkak. Aktualisht në këtë qark ka rreth 200 familje të ngujuara.

Në Qarkun e Shkodrës numërohen rreth 61 fëmijë të ngujuar nga mosha 0 – 14 vjeç, 7 prej të cilëve në qytetin e Shkodrës, si dhe 27 nxënës e studentë të ngujuar nga mosha 14 – 22 vjeç.

Në qytetin e Pukës numërohen 18 fëmijë të ngujuar nga mosha 0 – 14 vjeç , ndërsa nuk ka 14 – 22 vjeç.

Në qytetin e Koplikut në rrethin e Malësisë së Madhe llogariten 12 fëmijë të ngujuar në moshën 0 – 14 vjeç dhe 4 persona të ngujuar nga mosha 14 – 22 vjeç.

Gjatë 5 viteve të fundit në qarkun e Shkodrës numërohen 334 vrasje për shkak të gjakmarrjes, në 2 prej të cilave janë vrarë fëmijë.

Pra të dhënat tregojnë se :

–  450 persona janë vrarë nga gjakmarrja pas viteve ’90.

–  334 vrasje të ndodhura në 5 vitet e fundit.

–  490 nxënës braktisin shkollën për shkak të gjakmarrjes.

–  200 familje ngujohen për shkak të gjakmarrjes.

Shkodër

  • 61 fëmijë 0 – 14 vjeç të ngujuar
  • 27 të rinj 14 – 22 vjeç të ngujuar

      Pukë

  • 18 fëmijë 0 – 14 të ngujuar
  • 0 të rinj 14 – 22 të ngujuar

Koplik

  • 12 fëmijë 0 – 14 të ngujuar
  • 4 të rinj 14 – 22 të ngujuar

 

Duket se numri i personave të ngujuar sa vjen e shtohet, por të bën përshtypje një shtim i numrit të fëmijëve të ngujuar. E një fëmijë i ngujuar do të thotë, njeri i pa arsimuar.

Ky është një realitet që kërkon ndërhyrje urgjente. Statistikat tregojnë se vitet e fundit egërsia e këtyre njerëzve që “zbatojnë Kanunin” është e pandalshme. Janë raportuar të dhëna se vetëm gjatë vitit 2011 kanë ndodhur 124 vrasje, 5 prej tyre për hakmarrje, e 5 prej tyre për gjakmarrje.

Është trajtuar edhe në disa emisione televizive mungesa e arsimit tek fëmijët e ngujuar. Të shikosh në ekran fëmijë, të cilët i kanë sytë e shuar, pa gjallëri është e frikshme, por dhe e turpshme.

Të kthen shekuj pas kërkesa që i bëhet një adoleshenti për të shkruar emrin e tij; ai zhgarravit shkronja pa kuptim në një fletë, ndërkohë që buzëqesh si i zënë në faj. Ai ndoshta as që e di se ekziston diku një lodër apo makinë që quhet “kompjuter”; ai s’e di se si moshatarët e tij shëtisin botën e marrin të dhëna në “diçka” që quhet “Google”. Ai as që e di se jeton në një vend ku shteti ka të drejtë të mbrojë nënshtetasit e tij, pra atë vetë; ai s’e di ç’është kinemaja “3D”. E mbi të gjitha ai s’e di se ka të drejtën parësore të jetojë e të arsimohet.

Ata heronj që kanë marrë mbi shpatulla “misionin e mundur” të arsimit, duhet t’ia tregojmë. Ata heronj të cilët duhet t’i mbështesë shteti, unë dhe ti!

E atëherë punët do të shkonin më mirë!

Migena Kurushi, terapiste zhvillimi