Namazi dhe sytë gri njëqind vjeçar

79

Nga Vajada Keçi Manjani

Nuk kam patur ndonjëherë pretendime se ku do të shkonim për vizitë familjare të shtunave pasdite. E zhytur në botën time shpirtërore, udhëtimet me makinë më krijonin gjithmonë hapësirë reflektimi.

Ishte koha kur leximet fetare sillnin në dritë kufijtë e lakueshëm ndërmjet botës së dunjasë, në të cilën zhvilloheshin të gjitha ngjarjet e jetës sime dhe botës së padukshme që na rrethon. Gjithmonë e më shumë rritej perceptimi i pranisë rreth meje të engjëjve dhe xhindëve. Akoma më thellë, në mënyrë më të hollë, prania e qëndrueshme dhe e palëkundur e Kaderit të Allahut e kaliste dhe e mprehte me devotshmëri shpirtin dhe zemrën. Si rrjedhim, bota e përtejme kthehej në dimension real, ekzistues dhe e prekshme në çdo çast e mbushur me vetëdije për elementët përbërës të mrekullueshëm të Xhenetit dhe elementet tmerrues të Xhehenemit. Këto ndryshime të trajtës së qenies së brendshme, ishin pikat kulmore të një adoleshence e cila gjendej vazhdimisht në kërkim të pavetëdijshëm të diçkaje: fatit të jetës, suksesit të jetws, drejtimit të jetës e kështu me radhë. Thellimet pafund, shpesh ndodhnin pikërisht udhës për të arritur tek të afërmit nëpër qytete të largëta, vetëm me mendimet e mia në sediljen e pasme të makinës. Në të shumtën e kohës rrija e heshtur me orë të tëra duke bërë dhikër. Kisha dëgjuar profesorin tim Sajmirin, i cili na tregonte që toka mbi të cilën shkelnim ndërkohë që ne bënim dhikër, do të dëshmonte në favorin tonë në Ditën e Gjykimit, e kjo vlente edhe për udhëtimet me makinë, anije apo avion. Në të tilla raste, mundohesha me të gjithë dëshirën time të zjarrtë të shkruanin engjëjt sa më shumë rrugë në favorin tim. E ku kishte rast më të mirë se udhëtimet tona familjare për t’ja arritur këtij qëllimi?
Në një rast, babai për pak sa ma zbuloi sekretin duke më thënë me diplomacinë që e karakterizon: “E di që je bashkëbiseduesja më e mirë që kam njohur? E çon muhabetin gajtan ti!” Sa u gëzova! Dhe kjo, mbas 4 orësh heshtje në itinerarin Durrës-Sarandë, me ndalesë tek tezja në Tepelenë. Por kjo është një histori tjetër.
Atë ditë, ndaluam në shtëpinë e disa familjarëve të largët, prindërit e moshuar të një nuseje të fisit që prej vitesh jetonte në Itali. Babi i ndiqte respektet e nderimet, ndaj shkuam për vizitë. Shpesh, ai kishte qëllime të tjera që unë i nuhasja, sidomos kur më merrte edhe mua me vete të njihja e të njihesha në fisin e largët.
Shtëpia përdhese kishte një hyrje të ngushtw me një oborr të vogël, por të mbushur plot me lule që pranvera ua shpërthente ngjyrat e aromat. Ajo ngrihej në këmbët e një kodre të gjelbëruar plot me pemë. Kalaveshët e rrushit derdheshin në verandë nga struktura mbajtëse e tyre, e cila shërbente për të bërë hije në ditët me diell. Mbasi kaluam pragun, zonja e shtëpisë e cila ishte dhe gjyshja e mbetur mbasi të gjithë familjarët tashmë ishin jashtë atdheut, na pret me ngrohtësi dhe dashuri. Pasi na ofroi gostitë e rastit, shfaqet papritur një vogëlushe të cilën më ftojnë ta ndiqja në vendet e panjohura të bahçeve të fshehura pas shtëpisë. Rrëzë kodrës, në të djathtë të shtëpisë së vogël, kishin ndërtuar një korridor me pemë qershie që ato ditë ishin plotë me lule të çelura ngjyrë rozë. Kalldrëmi me gurë të mëdhenj të bardhë shoqëronte atë peizazh përrallor. Freskia e ajrit të ngrinte peshë shpirtin. Këngës së cicërimave të zogjve dhe gjetheve të pemëve që i lëvizte era lehtshëm, iu shtua dhe gurgullima e ëmbël e një kroi që buronte nga kodra. Më pushtoi një ngazëllim nga pamja e asaj mrekullie sa që nisa të freskohesha me ujtin kristal e akull të ftohtë, e prekja ujin duke e përkëdhelur me gishta për ta ndier gjer në shpirt, e sytë shëndrisnin tek sa i gëzohesha mrekullive që Allahu ka krijuar në këtë tokë për ne. E mbushur me hare, vajza e vogël më fton të shpejtojmë edhe pak, se më tutje do te shihja kullotat e ndoshta do të kënaqesha nga pamja. Vendos të ndjek vajzën e cila për dore më shoqëron në fund të ultësirës së krijuar nga pjerrësia e butë e kodrës dhe fundit të rrugicës me qershia. Përballë meje u shfaq një horizont i mahnitshëm, plot me fusha të ndara njëra me tjetrën nga rripa toke të kafta të formuara nga kanalet vaditëse dhe toka që nga lart merrnin ngjyra të ndryshme në bazë të kuturës së mbjellur në të.
– “Eja të shkojmë në fushën tonë. Gjyshi i vjetër e ka mbjellw në rininë e tij me pemë arre, shihe sa janë rritur, është bërë pyll tashmë.” Duke ecur ngadalë nën hijen e atyre pemëve shekullore, vendosa të ulem në prehrin e njërës prej tyre, në pikën ku shihej gjerësia e fushave të gjelbra se si ndryshonin ngjyrë pranë perëndimit të diellit. Heshta duke përhumbur sërisht në meditime. Ato momente në atë vend për mua ishin si një dhuratë e bukur nga Allahu. Ndihesha e privilegjuar që më kishte nxjerrë nga dhoma ime e studimit për të më bërë të shijoja një kënd aq të mrekullueshëm dynjaje. E mbushur në shpirt, marrim rrugën e kthimit. Ecja ngadalë që të fitoja sa më shumë vetëdijshmëri për vendin ku ndodhesha, në mënyrë që të mbaja në zemër çdo çast përjetimi, çdo ngjyre, çdo aromë për të mos e harruar kurrë.

Veranda ishte e mbushur tashmë me mysafir nga fisi. Njerëzit flisnin e qeshnin me zë të lartë. Vajza e vogël çamarroke, më çoi të vizitoja të gjithë shtëpinë në çdo cep për të kërkuar lepurushen me gjithë të porsalindurit e saj se ku ishin fshehur. I gjetëm poshtë një dollapi të vjetër të kohës së mbretit, ishin mbledhur të gjithë e lëshonin një zë të imët. Vajza mori njërën prej tyre dhe ma zgjati ta përkëdhelja. Ishte kaq e vogël e kaq e butë, qimet e vogla të bardha borë krijonin kontrast me sytë e veçantë rozë. S’kisha parë ndonjë herë lepur kaq të vogël e me sy rozë! E mora dhe e vendosa në prehër tek sa ulesha sërisht në verandë për të pritur prindërit sa vizita të përfundonte.
Njerëzit vazhdonin të qeshnin me zë të lartë e bisedonin, ndërsa unë zhytesha akoma më shumë në thellime dhe “elhamdulilah -të” dilnin njëra pas tjetrës nga shpirti. I isha mirënjohëse Allahut për çdo sekond, duke shijuar në ato momente çdo përkëdhelje për krijesën e bukur të Zotit tim.

Papritur, një figurë e çuditshme për mua, doli nga një derë aty pranë. Një burrë shumë i gjatë dhe shumë i vjetër, me një trup të drejtë siç nuk kisha parë ndonjëherë tek të moshuarit. Kishte përveshur pantallonat bezhë deri poshtë gjurit me një perfeksion maniakal, aq sa dukeshin si të hekurosura. Me këmbët e zbathura dhe të lagura u mbështet pas murit dhe nisi të përshkonte hapësirën e verandës duke rrëshqitur pas tij me kurriz, ngadalë, shumë ngadalë! Unë e habitur u shtanga dhe nuk reshtja së vështruari. Ishte një burrë shumë i vjetër. Mund t’i kishte kaluar të njëqindtat! Duarve të mëdha e të gjata u kishin mbetur veç kockat e lëkura që i varej në disa thonj të verdhë të shtrembëruar e të trashë. Lëvizjet e tij të nxituara por milimetrike e bënin të dukej si kërmill i ngjitur mbas murit qe ecte ngadalë për ne, por shpejt për veten e tij. Ai plak i motçëm nxitonte për diku! Zot sa e çuditshme thashë, si mund të mbahej ende në këmbë ky njeri?! Për një moment ndali, ktheu kokën nga unë dhe sytë e tij gri tashmë kaq shumë të zvogëluar e të mbyllur nga mosha u ndalën në sytë e mi duke më parë aq thellë në shpirt. Ndenji një çast duke më vështruar, pastaj vazhdoi nxitimin e tij prej kërmilli i ngjitur pas muri. Ajo figurë, e dalë papritmas si një fantazëm që zvarritej, dukej sikur rëndë me një vrapim diku por nuk ecte dot aq sa shpirti ia dëshironte! Koka tendosej në drejtim të destinacionit, por gjymtyrët nuk mundeshin dot më t’i përgjigjeshin siç dëshironte. Zvarriste kurrizin e tij aq të gjatë në murin e bardhë, lëvizte gishtat puthitur me të si në një tastierë sikur kjo do ta ndihmonte të merrte shpejtësi. Si mundej një njeri, që tashmë ishte kthyer në kocka që ecin, të kishte dëshira aq të zjarrjta, pse? Ku shkonte?
E habitur, vajta tek gjyshja e shtëpisë për ta pyetur për të, kush ishte ai, çfarë bënte vallë? Ajo me një dashuri të madhe më thotë: “Është baba im të keqen nëna! Duhet t’i ketë 103 vjet, kush ja man men plakut!”
“Çfarë?! Dhe akoma ecën? Po pse mbahet ashtu mbas murit? Ku po shkon?”
“Po shkon në namaz të keqen nëna ty. Baba ka gjithë jetën që falet! Se ka lanë kurrë asnji vakt as në komunizëm, ene ska nër men ta lej gjer sa të vdesi, kshu thotë. E ka hum fare i shkreti, ama veç namazin sun e len kurrë. Mer abdest vet, e vërdhon ke dhoma maton njashtu var mas murit të shkoi të falet, nuk don ta nimoi njeri, as bastunin sun e don nji aty e ka lon, ku ka mo fuqi ai, as për të pa nuk shef mo!”
SubhanAllah!
Vështrova dhe një herë në atë dhomë të errët ku plaku kishte arritur, se si binte në ruku e trupi i dridhej i tëri.
“Ada, ikim babi, përshëndeti të gjithë.”
Në rrugën e kthimit, në mendimet e mia prej udhëtari, lot më rridhnin e dua më dilnin nga shpirti: “O Allah, më bëj të të falem Ty sa të kem rrahje zemre! Të zvarritem për tek Ty derisa të vdes! O Allah ma merr shpirtin duke qenë besimtare!”
Kanë kaluar 20 vite, por sytë e tij të vegjël gri s’më janë larguar kurrë nga shpirti. Gishtat e tij të rrudhur, të mplakur, të bëra kockë që ecën, mbeten për mua emblema e një pleqërie devotshmërie. Të tillë gishtash dua të kem, për Allah!

Shkurt 2018