Nata e Kadrit – Mirësia e begatisë së shumëfishtë

674

“Ne e zbritëm (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se njëmijë muaj. Engjëjt dhe shpirti (Xhibraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në shkrepjen e agimit.”(El-Kadr: 1-5)

Vlera e Natës së Kadrit

Allahu i Madhëruar e ka përshkruar si të bekuar: “Ne e zbritëm atë (këtë Kuran) në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit)” (Duhan, 3).

“Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë”. Fati i të gjitha krijesave vendoset për vitin e ardhshëm. Në atë natë shkruhet se kush do të jetojë, kush do të vdesë, kush do të shpëtohet, kush do të mallkohet, kush do të jetë i kënaqur dhe kush i hidhëruar, kush do të paracaktohet për në Xhenet, e kush do të paracaktohet për në Xhehenem, kujt do t’i dhurohet nderi, kush do të turpërohet, ku do të paraqitet thatësia dhe uria, si dhe çdo gjë tjetër, të cilën e dëshiron Allahu i Madhëruar për atë vit.  “Ha, Mim. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota!) Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e Kadrit).

Kjo natë përshkruhet si paqe, ajo është e sigurtë, pasi që shejtani nuk mund të bëjë asnjë të keqe ose të shkaktojë dëm në këtë natë. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Natën e kadrit nuk del asnjë shejtan derisa të ndriçojë mëngjesi dhe nuk i lejohet të bëjë asnjë ngatërresë  dhe as nuk i lejohet që magjia të zërë ndokënd” (Tefsiri Kurtubiut).

Zbritja e melaikeve në qiellin e dunjasë është një tjetër begati e kësaj nate, në tokë përreth njerëzve “Engjëjt dhe shpirti (Xhibraili), me lejen e Zotit të tyre„ (El-Kadr, 4). Ibn Kethiri në tefsirin e tij thotë: “Shumë melaike zbresin në këtë natë, për shkak të begative të shumta të saj. Melaiket zbresin gjithnjë me zbritjen e begatisë dhe mëshirës, sikurse zbresin kur lexohet Kuran. Ata zbresin për të rrethuar tubimet e përkujtimit dhe për të ulur krahët e tyre për nxënësin e  sinqertë të dijes në shenjë madhërimi për të„ Tefsiri  i ibn Kethijrit 4/532.

Shumëfishohen veprat në Natën e Kadrit dhe atij që e kalon këtë natë me adhurim i falen gjynahet, kjo padyshim është një mirësi e madhe e Allahut që i është dhënë robërve të Vet. Nga Ebu Hurejra transmetohet: “Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) i përgëzonte shokët e tij duke i thënë: “Ju ka ardhur muaji i Ramazanit, një muaj i begatë, në të cilën Allahu ju bëri obligim agjërimin, hapen në të dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehennemit, lidhen në të shejtanët dhe në të ndodhet Nata e Kadrit që është më e mirë se 1000 muaj„ Transmeton Ahmedi.

Është më e vlefshme se njëmijë muaj. Njëmijë muaj bëjnë 83 vjet e 4 muaj. Duke ditur se jeta mesatare e njerëzve në këtë botë nuk i kalon të 70 vjetët, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se tërë jeta e njeriut. Imam Maliku në librin Mueta transmeton: “Pejgamberit (alejhi selam) iu bë e mundur që të shikojë jetëgjatësinë e popujve të tjerë, i shikonte si të paarritshme punët e mira që kishin bërë ata më parë dhe Allahu i dha Natën e Kadrit„. Nata e Kadrit është mjaft e dobishme për çdokënd që dëshiron t’i kthehet Allahut dhe ta  pastrojë shpirtin e tij. E tërë vlera dhe dobia e kësaj nate është për atë që di ta shfrytëzojë.

Zbritja e Kuranit në Natën e Kadrit

Allahu thotë:  “Ne e zbritëm (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se njëmijë muaj. Engjëjt dhe shpirti (Xhibraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në shkrepjen e agimit„. Allahu e ka nderuar këtë natë duke ia kushtuar këtë sure të plotë në Kuran, që quhet El-Kadr dhe na ka nderuar dhe ne që e ringjallim me adhurim, duke na shpërblyer duke na e shumëfishuar adhurimin tonë me adhurimin e 1000 muajve.

Kurani ka zbritur pikërisht në Natën e Kadrit, e cila është një nga netët më të mira të Ramazanit, nga Leuhi Mahfudh (pllaka e ruajtur mirë tek Allahu)  në Bejtul Izeti (në qiellin e dynjasë), pastaj zbriti tek i dërguari Muhammed pjesë-pjesë, sipas situatës, kohë pas kohe dhe vazhdoi zbritja e tij për 23 vite me radhë.

Argumente nga të parët tanë, se Kurani ka zbritur në qiellin e dynjasë Natën e Kadrit, janë të shumta. Jo vetëm kaq, por në këtë muaj kanë zbritur dhe librat e tjerë, për këtë Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “Fletushkat e Ibrahimit kanë zbritur ditën e parë të Ramazanit, Teurati i ka zbritur Musait ditën e 6, Zeburi i ka zbritur Davudit ditën e 12, Inxhili i ka zbritur Isait në ditën e 18, ndërsa Kurani i ka zbritur Muhammedit ditën e 24 të Ramazanit„. Kjo është Nata më e mirë e të gjithë netëve, se Allahu e nderoi më shumë se netët e tjera. E cilësoi në Kuran natë e begatë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në një natë të begatë„ dhe “Ne atë e zbritëm në Naten e Kadrit„.

Ç’ndodh në këtë natë?!

12961663_1386342794724783_2570413621436592671_n

 

• Në këtë natë vendoset fati i të gjitha krijesave për vitin e ardhshëm.

• Në këtë natë shkruhet se kush do të jetojë dhe kush do të vdesë.

• Shkruhet se kush do të nderohet e kush do të mallkohet.

• Shkruhet se kush do të paracaktohet për në Xhenet, e kush do të paracaktohet për në Xhehenem.

• Shkruhet se ku do të paraqitet thatësia dhe uria.

• Shkruhet se kush do ta kryejë haxhin atë vit e kush jo.

• Në këtë natë përcaktohen rrisqet.

• Përcaktohet se çfarë do të ndodhë deri në vitin tjetër.

• Çështjet e atij viti dërgohen nga Leuhi Mahfudh për tek melaiket, të cilët shënojnë urdhrat.

• Shkruhet dhe çdo gjë tjetër, të cilën e dëshiron Allahu të ndodhë atë vit.

A dihet saktësisht kur është Nata e Kadrit?

Koha e saktë dhe e prerë e Natës së Kadrit nuk dihet. Allahu e ka fshehur këtë natë që njerëzit ta kërkojnë atë duke u përpjekur të bëjnë sa më shumë vepra të mira. Dijetarët nuk janë të të njëjtit mendim për datën e saktë të Natës së Kadrit, por ata bien dakort që kjo natë është në muajin e Ramazanit, pikërisht në 10-ditëshin e fundit në netët teke. Duke u argumentuar me ajetin e Kuranit: “Muaji i Ramazanit në të cilin është zbritur Kurani„ (Bekare,183) dhe “Ne e zbritëm atë në Naten e Kadrit„ (El-Kadr,1). Në hadithin e Ebu Saidit, i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit”. Më e mundshmja është të jetë njëra prej netëve me numër tek, duke u bazuar në hadithin e Aishes, e cila trgon se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në netët tek të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit”  (Transmeton Buhariu).

Nga Hasani transmetohet se Pejgamberi (paqja e Allahut qoftë mbi të) doli dhe njerëzit filluan të vinin. Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Erdha dhe dua t‘ju flas për Natën e Kadrit, por unë kam frikë se do t‘i varni shpresat tek ajo. Kërkojeni atë në dhjetë ditët e fundit, në të nëntën, në të shtatën, në të pestën, në të tretën (në netët me numër tek, qe i bie nata 21, 23, 25, 27, 29 te Ramazanit). Prej shenjave të saj është se ajo është një natë e ndritshme, e qetë as e nxehtë dhe as e ftohtë, dielli del në mëngjesin e saj pa rreze. Kush fal namazin në të me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, Allahu u fal mëkatet e mëparshme„ Buhariu dhe Muslimi.

Imam Rraziu thotë për këtë në tefsirin e tij: “Allahu (xh.sh.) e ka fshehur atë si shumë gjëra të tjera; kështu Ai e ka fshehur kënaqësinë (razinë) e Tij në respektin që i bëjmë, ka fshehur hidhërimin e Tij për mëkatet që bëjmë, ka fshehur përgjigjen në Dua që njerëzit t’i bëjnë lutje sa më shumë; e ka fshehur edhe këtë natë që t’i madhërojmë të gjitha netët e Ramazanit, e sidomos dhjetë netët e fundit të tij. Pra, thelbësore është që besimtari duhet të përpiqet të bëjë sa më shumë adhurim të sinqertë, gjatë këtyre netëve teke të përcaktuara, me shpresën tek Allahu se do e arrijë Natën e Kadrit.

Shenjat dalluese të Natës së Kadrit: Kjo natë karakterizohet nga një qetësi shpirtërore. Vetëm ata që mund ta qëllojnë këtë natë dinë të tregojnë atë qetësi që përjetuan. Në këtë natë nuk zbret gjë tjetër përveç asaj që është mirësi dhe paqe. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Nata e Kadrit është e ndritur dhe e paqme, pa ekstreme të nxehti dhe të ftohti dhe të nesërmen në mëngjes dielli lind me një shkëlqim të butë dhe si i kuq në ngjyrë„. Ndërsa Irakiu ne librin e tij “Nata e Kadrit„ tregon: “Lindja e diellit është pa rreze në mëngjesin e asaj nate„.

Si ta presim Natën e Kadrit?

Nata e Kadrit është nata më e rëndësishme në jetën tonë, të cilën nuk duhet ta kalojmë si netët e tjera, sepse nga kjo natë varet e kaluara dhe e ardhmja e jonë. Në këtë natë mund të shpëtosh nga zjarri i Xhehenemit. Allahu i Madhëruar i ka dhënë kësaj nate rëndësi të madhe ndaj dhe ne duhet ta presim atë duke e veçuar në adhurim, me falje të gjatë namazi, me lexim Kurani e lutje. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Ai që e kalon Natën e Kadrit me adhurim duke besuar me zemër për vlerën e saj, i falen të gjitha gjynahet e mëparshme„ (Buhariu, Riadus Salihin, II , 464) Disa nga adhurimet qe mund t‘i bëjmë në pritje të kësaj nate të bekuar:

• Sa më shumë dua (lutje).

• Të lexohet Kurani duke medituar me ajetet e tij.

• Të bëjë teube e istigfar (të pendohet për mëkatët dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot).

• Të shtojë tesbihët (të përmendurit dhe të madhëruarit e Allahut) dhe falënderimet.

• Të bëjë salavat për Pejgamberin (paqja e Allahut qoftë mbi të) duke shpresuar në ndërmjetësimin e tij në Ditën e Gjykimit.

• Të falë namaz nafile dhe tesheh-hud (namaz nate) më tepër se zakonisht.

Muslimanët e parë ia dinin mirë vlerën kësaj nate ndaj dhe pyesnin të Dërguarin e Zotit se si duhet ta kalonin atë. Aishja, bashkëshortja e Muhamedit (alejhi selam), ka thënë: “O i Dërguar i Allahut, nëse e përjetoj Natën e Kadrit, çfarë lutje të them? Ai tha: “Thuaj “Allahume ineke afuwun Kerimun tuhibul afue fe afu an-ni (Zoti im! Ti je Falës, Bujar, e do faljen, ndaj më fal mua!”  Tirmidhiu 3515.

Në vendin tonë ekziston një tjetër traditë e madhërimit të Natës së Kadrit, ndryshe nga kjo që pëmendëm fetarisht më lart, njerëzit ‘e madhërojnë‚ atë duke agjëruar një ditë të caktuar prej ditëve të Ramazanit. Nga padituria e mjaftueshme besimtarët lejnë madhërimin me ibadet të kësaj nate madhështore dhe mjaftohen veç me agjërimin e ditës që e kanë për detyrë ta bëjnë. Ata të cilët duan të përfitojnë nga shpërblimi dhe begatia e kësaj nate të bekuar, ta dinë se nata është ajo e cila duhet të madhërohet në mënyrë të veçantë dhe jo dita, kurse agjërimi është për ditën dhe si përket natës.  Dhe kjo natë e bekuar madhërohet veç me adhurim ndaj Zotit.

KORRIK-GUSHT 2013