Natës madhështore

126

Qiell i ndritshëm e miqësor, që kundërmon paqe ka mbuluar sonte tokën. Sytë janë ngrirë në vështrim pas tij e zemra më është dashuruar me këtë vello drite të bardhë. Duket sikur sonte graviteti qenka shtrirë mbi qiellin plot dritë, dritë që tërheq zemrat e ngroh me energjinë e saj shpirtin… “ Oj Tokë, sonte të paskan mbuluar Engjëjt!” Ndaj dhe ajri është kaq i ëmbël e ngado përkundet fllad Xheneti. Çdo kënd parfumoset në paqe, e selamin sonte ta japin ata, Fisnikët, Ëngjëjt, e midis tyre edhe Shpirti, Xhibrili…paqe që derdhet në zemër e më sjell stinën e re.

Natë madhështore, xhevahir midis gurëve; një sure e tërë kushtuar ty në Kuran, një natë në vit me peshë sa njëmijë muaj; një natë ekuivalente me një moshë të madhe; një natë sa një jetë! O Zot, po jetoj tetëdhjetë e tre vite në më pak se njëzet e katër orë! Ndaj sonte dua ta shpoj errësirën me namaz nate, aty ku balli s’ngopet së puthuri tokën. Sonte dua të çaj heshtjen me fjalët hyjnore, t’i ndjej të përkunden në gjuhën time me ëmbëlsinë e tyre, të ndjej shërimin që dhurojnë t’më shkrihet në zemër, të përqafoj ajrin me vargjet e Kuranit, librit më të madh, rezervuar i fjalëve të ngjyera në drejtësi e paqe, libër i Zotit që u shpall po këtë natë. Sonte dua ta shkund pluhurin e së shkuarës me një vetllogaritje të sinqertë; sonte dua ta arrij qiellin duke u lutur pafund tek Ty që asnjëherë s’më kthen bosh; sonte kur më është dhënë një shans sa njëmijë shanse.

O Zot, falma mirësinë e kësaj nate, duke më falur një jetë të tërë të regjur në mirësi; falma dritën e kësaj nate, duke më falur një buqetë rrezesh mbarësi në çdo ditë të një jete të tërë. O Zot, këtë zemrën time që pulson kaq shumë sonte e ka kapluar shpresa, si shpend i lumtur ndër kaltërsi fluturon ajo drejt portave Tua të hapura, aty ku shartohet me paqen e qetësinë nën ombrellën e mëshirës Tënde.

Por ja mëshira sonte s’paska kufinj. Është derdhë dendur mbi tërë rruzullin me përqafim në çdo pëllëmbë, e prej saj ka marrë pjalm çdo zemër… Vërtetë mëshira jote o Zot nuk ka njohur pikatore kurrë. Është çelë si dritë në horizont shpresa, në natën e pozitës, në natën e caktimeve. O Zot, caktona mirësinë! Fali zemrat që zhysin ajrin me frymën e duasë! Fali o Zot, se sonte digjen vetëm për faljen dhe mëshirën Tënde.

Dua të përjetësohem nën pëlhurën e kësaj nate Kadri; nuk dua të fle sepse e di se ndoshta do zgjohem. Dua fanarët e dritës tënde t’i kyç në zemër, të armatosem me vlerat, të pastrohem nën valët e mëshirës që derdhen pa kursim. O Zot, pastromë! Shpirtin ma bëj strehë, folezë, banesë të besimit. Më jep mirësitë e kësaj nate plot perla ari. M’i plotëso lutjet që mbushin çdo frymëmarrje e më cakto bardhësi në çdo hap, më shtro një rrugë për në Xhenet! Se zemra është dehur nga dashuria për takimin me Ty, me Xhenetin, sonte kur i ndieu aromën. Vërtetë dyert e tij ishin hapur që një muaj…

E dua këtë natë të mbuluar në Ëngjëj, këtë natë që vjen pas një dite të mbuluar nga një diell i bardhë. Këtë natë, ku gjeneratorët e mëshirës fuqishëm prodhojnë energjinë më të fuqishme për imanin, për zemrën, për shpirtin… Dua të përthith paqen e saj gjer në agim e të zhytem në ëndrrën sikur ajo të zgjaste përgjithmonë. Bardhësi që i përngjan një flokënaje të ëmbël dëbore, që të fal mirësi e freski për imanin, bardhësi që viziton besimtarët, por që shkrihet e sërish lë pas aromën e besimit të injektuar ndër zemra. Grumbull sekondash të ngjyrosura në lutje plot shpresë, lutje që duan të çajnë errësirat sikurse lutja e Junusit…Lutje që sonte ndihen të fuqishme të nxitura nga mëshira e Mëshiruesit, duan të trokasin portat e qiellit tek i Lartmadhëruari. Natë e përbërë nga koha, që kalon pa u ndierë me selame për besimtarët, sikurse një nënë e dashur që të vë në gjumë e më pas të përkëdhel me puthjen e buzëve të saj.

E ndjeu çdo shpirt magjinë tënde, e përqafoi çdo zemër çdo çast tëndin duke e mbushur me të vetmen armë që posedon, lutjen. Ti na furnizove me më të vyerën mirësi, reflektim mbi një jetë të tërë, shpalose shpresën si forcë universale për reformë shpirtërore, kthim të pastërt te Zoti dhe kthim prapa nga shuarja në egoizmin e verbër. O Zot, sonte zemrat u shumëzuan me besimin, u lanë me pendim të sinqertë me shpresën se do të takojnë madhërinë Tënde në më të lartat Xhenete, kërkojnë afrimin me Ty.

Do të dukej bosh jeta, e paplotë koha pa magjinë e kësaj nate, pa mundësinë e artë për shkundjen e gjynaheve, pa mundësinë për pastrimin e zemrave, përsosjen morale. E dua këtë qiell që më mbush zemrën me përkujtimin e njëmijë muajve të derdhur në këtë natë. E dua këtë bardhësi qiellore, engjëllore të transformuar në petk devotshmërie përreth shpirtit tim. E dua çdo sekondë që shuhet dhimbshëm e shkrihet me shpresën në faljen Tënde. E dua këtë ajër jetëdhënës, dehës për shpirtin Xhenetdashës. E dua këtë natë me çdo element të saj, çdo gjë që më afron tek Ty. E dua takimin me Ty, o Zot…

 

* Fituese e vendit të dytë në konkursin e esesë “Një natë sa njëmijë muaj”, organizuar nga Shoqata Kulturore “Gruaja”.

Valbona Brahaj

Revista Familja, qershor 2016