Ndahen çmimet e Konkursit Kombëtar të Kuranit Famëlartë për vitin 2015

69

Nga Armida Plumbi

Finaliste nga e gjithë Shqipëria dhe trevat shqiptare kanë marrë pjesë në finalen e madhe të Konkursit Kombëtar të Kuranit Famëlartë për vitin 2015, pas disa muajsh intensiv me audicione në qytete të ndryshme të Shqipërisë për të përzgjedhur zërin më të bukur në këndimin e Kuranit Famëlartë.

Ky është edicioni i dytë i këtij konkursi të fjalës hyjnore, realizuar nën kujdesin e stafit të Shoqatës Kulturore “Gruaja”. Risia e këtij viti ishte pranimi i konkurrenteve nga trevat shqiptare, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia.

Më datë 13 qershor 2015 finalistet mbërritën në Tiranë për të konkurruar në finalen e madhe. Juria e këtij edicioni përbëhej nga të ftuara speciale, emra të njohur në mësimin e Kuranit përmendësh, ku përmendim: znj. Rajhana Bardhoshi, drejtoreshë e qendrës “Aisha”, me pozicionin e kryetares së jurisë; znj. Aliah Uahud, mësuese Kurani dhe znj. Aida Shega, teologe dhe njëkohësisht mësuese në Medresenë e Durrësit.

Më 14 qershor 2015, në orën 10.00, në Muzeun Historik Kombëtar, salla “Unesco” u zhvillua ceremonia përmbyllëse festive e akordimit të çmimeve.

Në këtë event festiv merrnin pjesë përfaqësuese të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme në vend, intelektuale, pedagogë e studentë, nxënëset e qendrës së mësimit të Kuranit përmendësh “Aisha”, besimtare nga e gjithë Shqipëria, miq e dashamirës të SHKG-së.

Nën moderimin e znj. Diana Syla, ky aktivitet çeli siparin me një pjesë kuranore të kënduar nga Fatime Bardhoshi, fituese e vendit të parë të edicionit të vjetshëm të këtij konkursi. Më pas vijoi znj. Ndriçime Zekaj, drejtoreshë e SHKG-së me fjalën e saj përshëndetëse për këtë organizim.

DSC_0282Në këtë takim mbajti fjalën e saj përshëndetëse edhe përfaqësuesja e Bashkësisë Islame të Kosovës (Dega e Gruas), znj. Vaxhide Bunjaku.

Më tej u shfaq reportazhi i edicionit të parë të këtij konkursi. Aktiviteti do të vijonte me interpretimin e ilahive të ndryshme si “InshaAllah” nga Selma Bekteshi, “O Muhamed” dhe “Mirëserdhe Ramazan” nga Eugena Aliu, si dhe shumë ilahi të tjera të shoqëruara nën zërin melodioz të korit të fëmijëve “Ikra” të qytetit të Cërrikut. Programi ishte i pasur edhe me interpretime poezish, të interpretura nga Luljeta Halimi dhe Vitore Deda.

Më tej të gjithë finalistet u ftuan të lexonin njëra pas tjetrës vargje kuranore nga surja Er-Rrahman. Me zërat e tyre të bukur arritën të preknin zemrat e të gjithë të pranishmëve.

DSC_0182Materiali filmik i radhës, përgatitur nga TV Kontakt, prezantoi finalistet garuese për publikun në sallë, gjatë ditës së konkurrimit, dt 13 qershor, në sallën e  Konferencave të Hotel Monarc, Tiranë.

Gjatë aktivitetit pati edhe ligjërata për rëndësinë dhe mirësinë e mësim- zbatimit të Kuranit në jetën e njeriut, të cilat u referuan nga teologia Zamira Puka dhe nga mësuesja e Kuranit, znj. Alia Uahud, njëkohësisht anëtare e jurisë.

Në përfundim të programit të përgatitur, znj. Lubjana Çelepija, përgjegjëse e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun, i akordoi çertifikatat e pjesëmarrjes të 20 finalisteve të këtij konkursi.

Ndërkohë u akorduan tre çmime inkurajuese nga znj. Zamira Puka, mësuese e lëndëve fetare pranë Medresesë së Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia”.

DSC_0246Këto çmime u fituan nga znj. Brunilda Beu (përfaqësuese e Kavajës), znj. Albana Çelepija (përfaqësuese e Durrësit) dhe Jehonë Sulejmani (përfaqësuese e Prishtinës). Për të trija këto çmime u dhuruan tri Kuranë në format laptopi.

Çmimi i tretë iu akordua znj. Enkeleda Bahja (përfaqësuese e Elbasanit) nga znj. Aida Shega.

Çmimi i dytë iu akordua znj. Adriana Beka (përfaqësuese e Tiranës) nga znj. Arjeta Pelinku, nëndrejtoreshë e SHKG.

Vendit të tretë iu dhurua një smartphone, ndërsa vendit të dytë iu dhurua një laptop.

Hafizja Elmedina Aliji tashmë fituesja e edicionit të dytë të Konkursit Kombëtar të Kuranit Famëlartë për vitin 2015, fitoi një biletë udhëtimi për në Haxh.

Surpriza e kësaj ceremonie ishin dhuratat e përgatitura nga Dega e Gruas pranë BIK për 20 finalistet. Dhuratat u shpërndanë nga znj. Hane (Jahiri) Kastrati, përfaqësuese e Degës së Gruas.

Ky event u mbyll me sukses për të vijuar pas dy vitesh me edicionin e tretë, i cili do të zhvillohet për tre xhuze. Çmimi i vendit të parë mbetet sërish bileta e udhëtimit në Haxh, në Mekën e Bekuar, në udhëtimin e jetës.

DSC_0231

DSC_0187

DSC_0287

DSC_0175

DSC_0107

DSC_0312

Rev. Familja, korrik -gusht 2015