Ndahen çmimet për esenë më të mirë me temë “Një natë sa njëmijë muaj”

47

Pavarësisht ditëve të nxehta, besimtarët muslimanë kaluan një muaj të madhërishëm me sakrifica dhe adhurim ndaj Zotit. Muaji i Ramazanit, një nga ngjarjet më të rëndësishme për besimtarët musliman, emocionet e të cilit vazhdojnë ende.  Gjatë këtij muaji, Shoqata Kulturore “Gruaja”, shpalli konkursin e esesë me temë “Një natë sa njëmijë muaj”. Ky konkurs mbarëkombëtar kishte në fokus punimet eseistike të të rinjve shqiptar, kushtuar vlerave më sublime të Natës së Kadrit. Dhjetëra vajza ju bashkuan këtij konkursi për të shprehur ndjenjat e tyre përmes botës shpirtërore, duke u frymëzuar nga ajetet kuranore.

Ditën e enjte, më datë 30.07.2015, në një ceremoni festive u shpallën çmimet për esetë më të bukura. Kjo ceremoni u zhvillua në ambientet e Librotekës së AIITC-së, nën moderimin e znj. Armida Plumbi.

Pas një pune të gjatë e të kujdesshme nga ana e jurisë së ngritur për vlerësimin e eseve konkurrente, u bë edhe kurorëzimi i fituesve. Pjesë e saj ishin teologe Merjem Lumi, kryetare jurie dhe Ma. Entela Hidri, mësuese Gjuhë-Letërsie në një shkollë 9 vjeçare private në Tiranë. Për jurinë ishte mjaft e vështirë të përzgjidhje fitueset pasi esetë ishin vërtetë cilësore dhe të punuara me mjaft kujdes.

Kryetarja e jurisë, znj. Merjem Lumi që vlerësoi esetë nga pikëpamja teologjike, u shpreh me bindje se të gjitha vajzat kishin arritur të kapnin thelbin e kësaj nate që ka një vlerë më të madhe sesa njëmijë muaj.

Fituese të çmimeve inkurajuese u shpallën Jehonë Sulejmani nga Prishtina, Mirsada Krasniqi nga Tirana dhe Arbërie Abdushi nga Dibra. Ndërsa me çmimin e tretë u nderua Sara Fahem, me profesion mësuese gjuhë-letërsie dhe kritike letrare. E kush më mirë se ajo e kupton rëndësinë e këtij konkursi në të cilin mori pjesë me kënaqësinë më të madhe.

Çmimin e dytë e mori Valbona Brahaj, studente në degën e Informatikës, një vajzë e re por mjaft e talentuar e cila përveçse një besimtare e devotshme, ka edhe aftësi mjaft të mira shprehëse, çka e ndihmoi mjaft në realizimin e esesë së saj.

DSC_0145Vendi i parë për esenë më të mirë iu akordua poetes Marjeta Çurumi nga qyteti i Rrogozhinës. Ngarkesa dhe angazhimet e shumta gjatë muajit të Ramazanit nuk e kanë penguar aspak të marrë pjesë në këtë konkurs. E pranon se nuk është impenjuar së tepërmi për realizimin e kësaj eseje, por kur fjalët burojnë nga shpirti i një poeteje, gjithçka duket edhe më e bukur.

Mes emocioneve dhe lotëve, Marjeta interpreton me mjaft ndjenjë disa rreshta nga eseja që e bëri fituese të këtij konkursi, duke depërtuar thellë në zemrat e vajzave dhe grave të pranishme.

Në fund të gjithë pjesëmarrëseve iu shpërndanë çanta me dhurata në të cilat kishte botime të ndryshme të ShKG-së, ku kryesisht kryefjalë e tyre është gruaja dhe familja. Përmendim disa prej botimeve: “Kurani i Madhërishëm”, “Gruaja në Islam”, “Jeta e këndshme”, revista “Familja”, “Foleza jeshile” dhe broshura të ndryshme.

Pas ndarjes së çmimeve në vlerë monetare dhe dhuratave, për të pranishmet u mbajt edhe një koktejl, ku vajzat kaluan momente të këndshme mes bisedash dhe diskutimesh rreth eseve pjesëmarrëse në këtë konkurs.

Shtator -Tetor 2015