Ndërron jetë studiuesi i trashëgimisë kulturore islame, Mahmud Arnauti

170

Nga Jolanda Lila

Ndërroi jetë me dt 5 qershor 2017, studiuesi i njohur botëror i trashëgimisë kulturore islam, Mahmud Arnauti në moshën 63 vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Ai ishte biri i një prej dijetarëve më të njohur bashkëkohor në lëmin e hadithit, pikërisht Abdul Kader Arnautit.
Mahmud Arnauti lindi në Damask më 1954 dhe rridhte nga një familje kosovare e emigruar në Siri në fillimet e shek. XX. Në Damask përfundoi studimet e larta dhe u specializua në historinë islame dhe shkencën e hadithit profetik. Pavarësisht se lindi dhe u rrit në Damask, ia pati një dashuri të veçantë për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, gjuhë në të cilën ka shkruar shumë prej veprave të tij.
Mahmud Arnauti ishte anëtar i Lidhjes Siriane për Historinë e Shkencave dhe sekretar i redaksisë së revistës “Trashëgimia Arabe”, botuar në Damask në vitet 1997- 2000.
Në vitin 1991 themeloi Qendrën “IbnAssakir” për redaktime dhe hulumtime të literaturës së trashëgimisë kulturore islame në Damask dhe e drejtoi punën në të, deri në fund të vitit 1995.
Punoi si studiues dhe lektor në departamentin e Specializimeve Universitare të Institutit Islam El-Feth në Damask, nga viti 1997 deri ne vitin 2009. Nga viti 2011 e në vazhdim u angazhua si lektor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Vizitoi më shumë se njëqind biblioteka ndërkombëtare në Siri, Kosovë dhe në shumë vende arabe, islame dhe evropiane.
Në vitin 2012 themeloi Qendrën Kulturore “AbdulKadirAl-Arnaut” në Kosovë, ku u vendos dhe drejtoi punën e saj, deri sa u nda nga kjo jetë, pikërisht sot me 5 qershor 2017.
Ka ndihmuar në hartimin e shumë enciklopedive arabe dhe islame të botuara në Siri, Tunizi, Turqi dhe në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Ka botuar më shumë se tetëdhjetë libra si autor, bashkautor, redaktor në Siri, Kosovë, Liban, Egjipt, Kuvajt, Marok, Shqipëri, Turqi dhe në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Ka hartuar me qindra artikuj studimorë e publicistikë në shumë gazeta dhe revista të botës arabe dhe asaj islame. Mahmud Arnauti ka bashkëpunuar me shumë institucione akademike e kulturore shqiptare, si: Universiteti i Prishtinës, Fakultetit i Studimeveve Islame, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) etj. Jehona e punës së tij shkencore në drejtim të njohjes së fesë e kulturës islame do të jetë padyshim e paharruar dhe e përjetshme.