“Ndërto të ardhmen”, një mundësi për fëmijët me nevoja të veçanta

1183

Nga Armida Plumbi

Migena Kurushi është terapiste zhvillimi dhe aktualisht drejtoreshë ekzekutive e zyrës terapeutike “Ndërto të ardhmen”, puna e së cilës ka në fokus fëmijët me nevoja të veçanta. Ajo është autore e librit të parë në gjuhën shqipe për çrregullimin e përqëndrimit tek fëmijët me titull “A.D.H.D – Hiperaktiviteti”. Aktualisht ajo punon si vullnetare pranë blogut Anabel Mama, si specialiste e fëmijëve me nevoja të veçanta.

  • Pse zgjodhët të studioni pedagogji speciale?

Ëndrra për t’u bërë mësuese më ka shoqëruar gjatë viteve të para të shkollimit tim. Nuk e shikoja veten diku tjetër përveçse duke ndihmuar fëmijët në procesin e të nxënit. E vënë si maturante para fletëve të alternativave për të zgjedhur degën e fakultetit, njihem me termin: “pedagogji e specializuar”. Ishte dashuri me shikim të parë e aq më shumë kur u njoha me cfarë studionte ajo. Vendosa të jem krahë ndihme për personat “specialë”, për njerëzit me aftësi të kufizuara, e ndieva se do të isha atje ku kisha ëndërruar për vite me rradhë, do të ndihmoja në shumë forma, më tepër se çdo të bënte një mësuese e thjeshtë.

  • Ku konsiston puna e terapistit të zhvillimit?

Terapia e zhvillimit është një punë jo e zakonshme që duhet bërë me dashuri, përkushtim e imagjinatë, për të përgatitur persona që të bëhen “të aftë për veten e tyre” me plot kuptimin e fjalës. Gjithçka fillon me terapinë e modifikimit të sjelljes dhe me aftësimin e tyre për jetën. Nëse marrim të trajtojmë një person me nevoja të veçanta i cili nuk ka bërë asnjë terapi, puna jonë fillon nga A-ja, së pari i mësojmë të marrë komandat e para të tipit: ulu, hajde, ngrihu, hape, mbylle etj; vazhdojmë me procesin e të veshurit, të zhveshurit, të ngrënit, të vajtjes në tualet etj; e pasi përvetësohen të gjitha këto, kalojmë në procesin e edukimit me anë të të cilit synojmë zhvillimin maksimal të potencialeve të tij.

  • Prej sa kohësh e keni hapur zyrën terapeutike “Ndërto të ardhmen” dhe si funksionon ajo?

Zyra terapeutike “Ndërto të ardhmen” operon prej dy vitesh në qytetin e Tiranës dhe në fokus të punës sonë janë fëmijët me nevoja të veçanta. Deri më tani janë trajtuar rreth 15 individë, janë zhvilluar rreth 70 konsulta dhe organizuar 10 trajnime nga mësues specialë e logopedë mbi edukimin e përmirësimin e individëve me nevoja të veçanta. Zyra terapeutike pati sukses që në hapat e para të saj dhe në të operohet me çmime të favorshme e të përballueshme. Stafi i profesionistëve merret me përkushtim me çdo individ. Seancat më së shumti janë individuale por edhe të larmishme. Duke e parë çdo fëmijë jo si burim përfitimi, por si AMANET, puna e zyrës terapeutike ka qenë e kënaqshme.

  • Sa e vështirë ishte konkretizimi i idesë suaj për të hapur një zyrë të tillë terapeutike?

Duke punuar vullnetarisht në qendra të ndryshme e në shkolla të specializuara në punën me individë të veçantë, u ndesha me realitetin e hidhur të çmimeve “të kripura” dhe mungesën e stafit të profesionistëve. E prirur për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie njerëzish në nevojë, vendosa të ngre zyrën terapeutike “Ndërto të ardhmen”, të punoj me staf të specializuar e me çmime thuajse simbolike. Aktualisht jemi tre punonjëse, secila e specializuar në profilin e saj. Terapitë aplikohen nga dy terapiste zhvillimi dhe jo nga punonjës sociale apo të ndonjë profili tjetër siç ndodh rëndom. Terapistet tona duhet të kenë mbaruar të paktën një cikël në Pedagogjinë e specializuar. Logopedja qe punon pranë zyrës sonë është shumë e përgatitur në profesionin e saj.

Pra, puna e zyrës “Ndërto të ardhmen” ështe ndarë në dy drejtime; së pari ajo e terapisë së zhvillimit, pastaj ajo e logopedisë. Terapitë zhvillohen të alternuara, aplikohen tek të gjithë fëmijët pa asnjë kosto shtesë.

  • Çfarë trajtimesh ofrohen në këtë qendër dhe si keni arritur t’i zgjeroni shërbimet?

Në zyrën “Ndërto të ardhmen” aplikohen terapi të ndryshme e të larmishme nga të cilat po përmend:

  • ABA Therapy
  • Terapi individuale
  • Terapi grupi
  • Aftësim për jetën
  • Terapi okupacionale
  • Logopedi etj.

Pasurimi i terapive lindi si nevojë e shtimit të rasteve që po trajtoheshin pranë nesh. Të gjitha rastet e paraqitura ishin të ndryshme nga njëra-tjetra, gjë që solli nevojën e aplikimit të terapive të shumëllojshme.

17761355_1932082420361356_528425349_o

  • Aktualisht i jeni dedikuar plotësisht fëmijëve me nevoja të veçanta. Cilat janë sfidat më të cilat përballeni në këtë rrugëtim të ri tuajin?

Të punosh me personat me nevoja të veçanta të jep kënaqësi, por edhe të përball me vështirësi të ndryshme.

-Vetë individi me të cilin ti punon është sfidë nëse do t`ia dalësh ta përmirësosh.

-Prindërit e të afërmit e tjerë të fëmijëve me nevoja të veçanta janë sfida tjetër. Nëse do të të mirëkuptojnë në punën tënde, ata duhet të kenë parasysh e të mos presin ndryshime si me magji.

-Faktori kohë është sfida e rradhës. Ti as vetë nuk e di se sa kohë të duhet të investosh tek një individ i caktuar.

-E gjithë shoqëria është sfida më e madhe, sfidë me paragjykimin, moskuptimin e mospranimin.

  • Sa ju ka ndihmuar fakti që jeni besimtare muslimane në punën tuaj të përditshme si terapiste?

Të qenit besimtare muslimane është me të vërtetë favor në këtë profesion, sepse DURIMI (sabr) është çelësi i suksesit. Duke duruar e pritur shpërblimin e Allahut, të shtohet dashuria dhe përkushtimi ndaj këtij profesioni. Në zyrën tonë, prindërit e feëmijëve që trajtojmë, përballen me një besimtare që ka vendosur të tregojë besimin e saj edhe nëpërmjet pamjes së jashtme. Mrekullia ndodh kur ata e falënderojnë Zotin nëse shohin edhe ndryshimin më të vogël te fëmija i tyre, apo luten e shpresojnë në Zot që të kenë përmirësime të mëtejshme tek ta. Ata çdo ditë presin mrekulli prej Zotit të Plotfuqishëm. Të qenit besimtare nuk ka qenë lehtësim vetëm për mua, por edhe për prindërit që ndjekin fëmijët e tyre me terapi pranë zyrës sonë.

  • Aktualisht ju keni botuar librin tuaj të parë për çrregullimin e përqëndrimit tek fëmijët, me titull “A.D.H.D – Hiperaktiviteti”. Pse pikërisht kjo temë?

Gjatë kohës së studimeve të mia, gjatë punës si vullnetare pranë qendrave të ndryshme, u njoha me hiperaktivitetin e vendosa të hulumtoj për të. Duke punuar si terapiste zhvillimi pranë zyrës “Ndërto të ardhmen”, trajtova fëmijë me hiperaktivitet, por u njoha me më shumë raste gjatë punës si terapiste e zhvillimit mendor pranë blogut “Anabel mama”. Aty u ndesha me pyetje të ndryshme rreth këtij fenomeni, me shqetësimet e prindërve të painformuar ose të keqinformuar. Hiperaktiviteti është një problem i shtuar së fundmi, i patrajtuar dhe me mungesë informacioni. Kështu u binda se ishte momenti i duhur të sillja, e më shumë në duart e specialistëve apo të prindërve të interesuar, studimin tim të ardhur në formën e një libri të titulluar “A.D.H.D.- Hiperaktiviteti”.

  • Nga kontaktet që keni pasur mendoni se prindërit hasin vështirësi për integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në institucionet edukative si çerdhet, kopshtet apo shkollat?

Patjetër që po. Si prindërit dhe fëmijët me nevoja të veçanta kanë vështirësi në integrimin e këtyre të fundit pranë çerdheve, kopshteve apo shkollave. Nga përvoja ime e shkurtër e punës në një çerdhe publike, jam përballur me raste të ndryshme. Ka prindër që nuk dëshirojnë të ketë persona me nevoja të veçanta në klasën e të vegjëlve të tyre, ka prindër që në mënyrë kategorike i ndalojnë fëmijët e tyre të shoqërohen me fëmijë me nevoja te veçanta, por ka prej tyre që përveç paragjykimeve, përdorin etiketime fyese në drejtim të këtyre qenieve të pafajshme. Në vendin tonë ende nuk e kemi kulturën e të pranuarit të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Integrimi i tyre është ende i vështirë, sepse dhe vetë shteti nuk i jep rëndësinë e duhur e nuk transmeton kulturën e gjithëpërfshirjes e të pranimit.

  • Sipas këndvështrimit tuaj, sa rrugë ka për të bërë shoqëria jonë për të hapur zemrën ndaj fëmijëve dhe personave me nevoja të veçanta?

Që të hapësh zemrën për personat me nevoja të veçanta duhet të jesh fillimisht i infomuar e i ndërgjegjësuar për secilin nga handikapët e më pas të pranosh e të punosh me problemin. Mirëkuptimi duhet kudo; si në institucionet publike apo private etj.

Ne mund të shikojmë se ata nuk flasin, nuk bashkëveprojnë, por të mos harrojmë se ata ndiejnë, mendojnë e shpesh reagojnë. Për një moment, duhet të bëhemi empatikë, të mendojmë sikur problemi është personalisht i yni e të reagojmë. Nëse e gjithë shoqëria reagon pozitivisht, problemi bëhet më i lehtë, për individët me nevoja të veçanta dhe për të afërmit e tyre. Rruga drejt mirëkuptimit është e shtruar, shoqëria duhet të zgjedhë të ecë në të.

  • Cili është mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?

Nëse hasni një “hero të heshtur”, një prind të një fëmije me nevoja të veçanta, bëhuni mbështetje për të. Investoni qoftë edhe me një fjalë të ngrohtë, ndihmojini, bëjini të ditur se jeni aty për t’i ndihmuar e largojini paragjykimet për fëmijët e tyre. Nëse jeni mbështetje për prindërit, jeni bërë mbështetës drejtpërsëdrejti për personat me nevoja të veçanta.

Maj 2017