Ndikimet psikologjike të synetit të djemve

23

Nga: Erlinda Murati Plyku – Psikologe

 

Në këtë shkrim do trajtoj një temë tepër të rëndësishme për mua si nënë e dy djemve, njëkohësisht muslimane dhe me profesion psikologe: cirkumcizioni, rrethprerja ose syneti.

Të pajtohemi që në fillim, unë respektoj ata që preferojnë synetin edhe ata që nuk e bëjnë! Unë nuk mund të diskutoj aspektin mjekësor të çështjes, nuk jam eksperte në këtë temë. Nëse është e nevojshme për shëndetin apo jo, vetëm mjeku mund t’ju përgjigjet!

Ky shkrim do të jetë në kuadrin e efekteve të “synetit” në psikologjinë e fëmijëve djem dhe sugjerimeve për ata që zgjedhin ta bëjnë atë.

Cila është mosha më e përshtatshme për synetin?

Studimet kanë treguar se para moshës 1.5 vjeç ose pas moshës 7 vjeç, efekti psikologjik te fëmijët është minimal ose edhe aspak. Për mendimin tim koha ideale në aspektin psikologjik janë 6-8 muajt e parë pasi lëvizja dhe aftësitë mendore e perceptuese të fëmijës janë të kufizuara dhe kjo nuk do ta ekspozonte ndaj ndikimeve psikologjike. Nëse gjatë kësaj periudhe ka ndonjë pengesë mjekësore për bërjen e synetit, periudha tjetër ideale është mosha shkollore kur fëmija arrin pjekurinë të kuptojë përfitimet shëndetësore të rrethprerjes.

Nëse do ta ngushtonim edhe pak periudhën delikate ku sugjerohet shmangia e synetit, periudha e ndërmjetme, pra mosha 2 deri në 5 vjeç, është një periudhë e rrezikshme nga aspekti psikologjik në të cilën fëmija zbulon trupin e tij dhe mendon në mënyrë konkrete. Një ndërhyrje kundër trupit të tij të sapo zbuluar,  kundër dëshirës së tij, mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e fëmijës, mund të përjetojë ankth, madje mund ta perceptojë si ndëshkim ndaj tij.

Edhe pas moshës 7 vjeç është moshë e përshtatshme, pasi fëmija tashmë është në një periudhë emocionesh më kuptimplotë, më i aftë për të kuptuar dhe perceptuar ngjarjen dhe rëndësinë e saj për shëndetin. Në këtë fazë edhe pse ne mund t’i shpjegojmë fëmijëve disa nga termat fetar, në bazë zhvillimit të tij, më e përshtatshme është t’i shpjegoni synetin përmes domosdoshmërisë për shëndetin. Në fund të fundit, ky është një operacion mjekësor.

 

Si duhet t’i shpjegohet syneti fëmijës

Fëmijët para moshës 10-12 vjeç mendojnë konkretisht dhe nuk arrijnë të kuptojnë koncepte abstrakte, prandaj mos zgjidhni të përdorni arsye fetare në shpjegimet tuaja sepse fëmija nuk do mund të kuptojë pse dikush tjetër përveç tij do të donte të priste një pjesë të organit të tij.

“Ky operacion i vogël do të bëhet që ti të jesh më i shëndetshëm, fillimisht mjeku do të bëjë një gjilpërë që të mos ndjesh dhimbje. Unë do të jem pranë teje. Për disa ditë do ta mjekojmë, kështu që do të shërohet shpejt.”  Mjafton një shpjegim i qartë si ky për të eliminuar pikëpyetjet e fëmijës suaj dhe për të krijuar pritshmëri realiste. Edhe nëse fëmija do të ketë pyetje të tjera, është e rëndësishme të mos i anashkaloni. Gjithashtu është mirë që fëmija juaj të dëgjojë përvoja pozitive nga të rriturit si babai, vëllai, etj., të cilët kanë pasur të njëjtën përvojë në këtë drejtim.

 

Djali juaj tashmë është burrë!

Ndodh që prindërit apo të afërmit e fëmijës së bërë synet, i ngarkojnë cilësi burrërie, mashkulloriteti, apo e shpjegojnë rrethprerjen me theksin në të qenit burrë. Prerja e majës së organit gjenital nuk do ta bëjë fëmijën më mashkullor.  Për më tepër, është gabim i madh t’i kushtosh një organi theksin e të qenit burrë dhe të të qenit mashkull; t’i kushtosh një rëndësi të tillë një organi.

 

“Dasma e synetit”

Disa familje kanë traditë të festojnë bërjen synet të fëmijës, por ndonjëherë këto festa bëhen aq të mëdha sa humbasin qëllimin e tyre. Nëse festën me patjetër e do tradita, në vend që të festohet “burrëria” e fëmijës, është më se e mjaftueshme të festohet trimëria e tij. Mos harroni se këto janë dy terma të ndryshëm! Këtu nuk duhet anashkaluar realiteti që fëmija mund të ketë dhimbje. Pranoni ndjenjat dhe ndjesitë e tij. Kjo është një nga gabimet më të shpeshta të prindërve, të cilët nuk kuptojnë apo pranojnë traumën që fëmija mund të ketë përjetuar, duke i ngarkuar përgjegjësinë e të qenurit burrë!

Traumat nuk shfaqen që prej fillimit, por në faza të ndryshme, në adoleshencë, në moshë të re, në martesë, madje edhe në vitet e mëvonshme, mund të shfaqen në forma të ndryshme. Gjatë terapisë është parë se shumë meshkuj që kanë probleme seksuale në moshë madhore, kanë trauma lidhur me synetin. Gjithashtu, bisedat dhe shakatë e tepruara mbi synetin nga njerëzit që e rrethojnë, jo vetëm cenojnë privatësinë e fëmijës, por mund të lënë gjurmë të rënda në të pandërgjegjshmen e tij.

Të dashur prindër të djaloshit që do bëhet synet!

  • Mos lejoni që të afërmit tuaj të bëjnë shaka me synetin, sepse syneti, edhe pse përmban ndjenja të rënda traumatike për fëmijët, fatkeqësisht përdoret si mjet argëtimi në shoqërinë tonë.
  • Mos e trembni.
  • Mos i ngarkoni përgjegjësi më të mëdha se vet ai.
  • Pranojini ndjenjat dhe emocionet e tij.

Nëse prindi është empatik dhe kupton emocionin e përjetuar nga fëmija, kjo do të minimizojë gjithashtu, perceptimin emocional të emocionit aktual si “negativ”. Pra, mendimi që do të kryhet një ndërhyrje, ndjenjat e forta të ankthit dhe frikës që fëmija do të përjetojë, shtojnë ndjesinë e dhimbjes. Nëse prindi në vend që të pranojë këto ndjenja intensive, i refuzon ato me shprehje të cilat shoqëria ia ka atribuar gjinisë mashkullore, kjo do të shkaktojë ndjenja poshtërimi, pamjaftueshmërie dhe turpi te fëmija. Ju lutem të shmangni fjalë si: “ti je burrë”, “është turp të qash”, “nuk qajnë çunat”, “nuk bën burri për kaq”, etj.

Gjithashtu edhe keqinformimi apo “gënjeshtrat e bardha” do ndikojnë negativisht në besueshmërinë e fëmijës ndaj prindit, dhe fëmija do ketë një qasje dyshuese ndaj jush. Prandaj shmangni fjalët si “nuk do të bëj gjë”, “vetëm do ta kontrolloj nëse funksionon apo jo”, “nuk do të dhembi”, “do ta bëjë organin më të bukur”, etj.

 

Gjatë gjithë procesit të synetit, ku djali do të jetë në qendër të vëmendjes, mendoj se është e rëndësishme që nëse në familje ka edhe vajza, duhen marrë masa që ato të mos e ndjejnë veten të parëndësishme, të anashkaluara.

 

Të shkuara dhe me shëndet, të gjithë vogëlushëve që do të bëhen synet.

 

Revista “Familja”, shkurt 2022