Ndikimi i Ramazanit në jetën e njeriut

253

Nga Flora Allaisufi

Po afron muaji i Ramazanit me bekimet e mirësitë e tij duke ngulitur në zemrën e besimtarit qetësinë dhe vendosmërinë. Ky muaj i bekuar, nisur nga vlerat e mëdha shpirtërore që mbart, ka status të veçantë në zemrat e muslimanëve. Sa herë që koha e tij afrohet, zemrat e besimtarëve gëzohen për ardhjen e tij, se për ta Ramazani është muaji më i mirë i vitit. Ai është muaji mëshirës, faljes dhe ruajtjes nga zjarri. Muhamedi (a.s) ka thënë: Ka dy gëzime për agjëruesin, koha kur e hap iftarin dhe casti kur do te takohet me Zotin e tij, sepse atëherë ai do gëzohet për shkak të agjërimit të tij.  Për këtë qëllim vetë Profeti (a.s) i përgëzonte besimtarët me rastin e afrimit të muajit të bekuar të Ramazanit duke thënë: “O njerëz! Po vjen muaji i Ramazanit, muaji i bekuar, në të cilin Allahu ka obliguar agjërimin e tij. Në të hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit…” (Ahmedi)

Muaji i Ramazanit është muaj i pendimit. Ai që nuk pendohet në këtë muaj kur do të pendohet? Allahu e di se njeriu  nga natyra e tij njerëzore, gabon dhe kundërvihet, duke u larguar nga Zoti i Madhërishëm. Si pasojë, ai ka nevojë për një mundësi që t’i lejojë kthimin dhe përmirësimin. Prandaj ekziston edhe pendimi. Allahu Mëshirues thotë: “O biri i Ademit! Nëse më lutesh dhe shpreson në Mua, t’i fal mëkatet që i ke bërë dhe nuk më intereson asgjë më tepër. O biri i Ademit, nëse mëkatet tuaja arrinë kupën e qiellit, e pastaj kërkon falje, t’i fal mëkatet dhe nuk më intereson asgjë”. (Buhariu dhe Muslimi)

Ky muaj është koha e lutjeve, i pendesës dhe i kërkesës së mbrojtjes dhe faljes së Zotit për mekatët e bëra. Prandaj, besimtarët inkurajohen për të kërkuar faljen e Allahut për mëkatet e tyre  në këtë muaj. Aliu (r.a) ka thënë: “Gjatë muajit Ramazan ju duhet të shtoni kërkesat e lutjet për falje. Lutja ju largon fatkeqësitë, ndërsa kërkesa e faljes ju shpëton nga mekatet.”

Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues!” (Ez-Zumer 53)

ramadan-eve-turkeyAgjërimi është mjet për arritjen e devotshmërisë. Ky adhurim është një sekret ndërmjet robit dhe Zotit të tij, qëllimin e së cilit nuk e di asnjë qenie njerëzore. Një besimtar i vërtetë agjëron me sinqeritet duke shpresuar te shpërblimi i Zotit të vet. Ai ia dedikon këtë akt adhurimi Allahut duke e ditur që Ai e përcjell në çdo moment të dukshmen dhe të fshehtën e tij.  Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni (nga gjynahet). (Bekare 183)

Le ta kosiderojmë këtë muaj të shenjtë të Ramazanit një piknisje për të arritur devotshmërinë. Në të vërtetë devotshmëria është veshje e shpirtit. Allahu thotë:… por petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ata të marrin këshillë.” (El-Araf 26)

Njeriu në këtë muaj i ka të gjitha mundësitë për të shtuar veprat e mia, pasi shejtanët gjatë këtij muaji lidhen me zinxhirë në mënyrë që mos jenë në gjendje për t`i nxitur dhe provokuar njerëzit të bëjnë punë të ndaluara. Gjatë muajit Ramazan dyert e Xhenetit janë të hapura dhe ato të zjarrit janë të mbyllura. Në çdo natë të Ramazanit, Allahu i liron shumë njerëz nga zjarri. Për më tepër, shpërblimet i shumfishohen në Natën e Kadrit e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Një lajm i madh për t`u gëzuar! Nëse do të meditojmë rreth këtyre që u përmendën më lartë, duhet të shpejtojmë për të konkuruar me njeri tjetrin për të bërë vepra të mira, t`i përmbahemi mëkateve, të injorojmë dëshirat e nefsit dhe të shfrytëzojmë mundësinë e Ramazanit për të arritur devotshmërinë.

Agjërimi duhet të lejë nje ndikim në moralin dhe sjelljen e njeriut. Muaji i Ramazanit është mundësia më e madhe për të rinovuar shpirtin dhe për të arritur devotshmërinë. Ai i mëson nefsit disiplinën dhe vetpërmbajtjen duke i dhënë vullnet t`i përmbahet të ndaluarës. Ky është trajnim i madh vjetor në lidhje me formimin shpirtëror. Muaji i bekuar i Ramazanit i pajis besimtarët me durim dhe qëndrueshmëri për të përballuar sprovat dhe për të kapërcyer pengesat dhe vështirësitë e jetes. Agjërimi, nuk është thjeshtë një proces shkëputjeje nga ushqimi dhe pija, por një obligim, që synon të ndalojë njeriun nga punët e ndaluara, t’i rrisë atij ndjenjën e besimit  si dhe ta edukojë atë me një edukatë të shëndoshë morale e shpirtërore. “Kush agjëron muajin e Ramazanit me besim e kënaqësi dhe ruan dëgjimin, shikimin dhe gjuhën e tij nga njerëzit, atëherë agjërimi i tij pranohet nga Allahu”. Duke fituar shpërblimet e agjërimit fitohet dhe falja e Allahut.  Profeti i këshillon agjëruesit: “Nëse agjëron, le të agjerojë edhe dëgjimi yt edhe vështrimi yt, duke mos u marrë me gjera që janë të ndaluara. Le të agjerojnë të gjitha organet e tua e të mos kryejnë veprime të shëmtuara. Largo prej vetes mendimet e liga dhe mos i lëndo shërbëtorët. Le të duket tek ti madhështia e agjërimit. Mundohu sa më shumë t’i përmbahesh heshtjes, përveç rasteve kur kujton Allahun. Mos e bëj ditën e agjërimit tënd si ditët kur nuk agjëron…

Besimtari kur përjeton kënaqësinë e adhurimit në Ramazan dëshiron që ky muaj të zgjasë përgjithmonë: “Sikur njerëzit t’i dinin virtytet dhe shpërblimet e muajit të Ramazanit,do të donin që i gjithë viti të ishte Ramazan sepse në të ka shumë mirësi.” Ndërsa ai që nuk e ndjen kënaqësinë e adhurimit në Ramazan nuk do mund ta ndjejë atë kënaqësi asnjëherë jashtë Ramazanit sepse ditët e Ramazanit janë ditët më të mira të jetës sonë.  Le ta bëjmë këtë muaj sa më të begatshëm, pastrim të shpirtërave dhe zemrave tona. Ramazani është para nesh. Le t`i gjallërojmë ditët e tij me punë të dobishme dhe t`i zgjasim netët e tij me adhurim të përkushtuar. Allahu i Lartësuar thotë: “E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën.” (Mutafifin 26)

Allahu na e mundësoftë ta arrijmë Ramazanin dhe të dalim prej tij me mëkate të falura. Amin

 Rev. Familja, maj-qershor 2013