Ne bijtë e një brezi të civilizuar, por jo shumë human!

159

Nga Driton Arifi
Njeriu nuk mund ta zgjedhë periudhën në të cilën lind, e as epokën kur ai do të jetojë, sepse kjo varet nga Vullneti Hyjnor, e jo prej tij, por formën se si të jetojë dhe cilat vlera do t’i kultivojë, kjo është në zgjedhjen e gjithësecilit.
Ne, bijtë e këtij brezi, mund të ndihemi të privilegjuar, sepse jemi me fat që kemi zënë një pjesë të shekullit të kaluar edhe jetojmë në një hise të këtij të tanishmit. Ky brez e llogarit veten me krenari se i takon një epoke të artë të civilizimit të lartë, prosperitetit të pandalshëm, zhvillimit marramendës teknologjik dhe që të gjitha këto, tashmë kanë arritur nivele aq të larta, sa që do të dukeshin të paimagjinueshme për çdo brez që ka jetuar para nesh.
Arsimimi ka përfshirë numrin më të madh të njerëzve në rruzullin tokësor dhe numri i universiteteve e akademive shkencore, që sot ekzistojnë kudo nëpër botë, na japin përshtypjen se jetojmë në epokën më të ndritshme e më të arsimuar që ka kaluar ndonjëherë njerëzimi. Ne jemi të civilizuar meqë jemi të arsimuar, por s’mund të pretendojmë që jemi edhe të kulturuar, sepse “civilizimi arsimon, e kultura edukon. I pari kërkon mësim, e dyta meditim. Civilizimi është vazhdim i zhvillimit teknik, e jo shpirtëror të njeriut.” qartësonte Alija Izetbegoviç.
Jetojmë në kohën që shënon “prodhimin më të lartë me shpenzimet më të vogla”. Mjetet moderne të komunikimit, kursyen kohën dhe shpenzimet në një masë të paimagjinueshme tek njerëzit. Por, megjithatë, njerëzit nuk u bënë më të lirë, e as më pak të preokupuar.
Në një epokë që trendi i zhvillimit matet me lëvizjen e sekondave e ndoshta edhe me qindëshet e tij, njeriu shpeshherë mund të gjendet i stepur dhe i pafuqishëm që të konceptojë drejt realitetin që e rrethon dhe jeton, si shkak i dendësisë së informacioneve dhe vrullit të shpejtë zhvillimor që po shënon ky brez.
Që të gjitha këto, janë padyshim rezultate të një civilizimi modern, që specifikat e tij ia ka imponuar secilit banues të këtij globi.
“Sot njeriu bashkëkohor ka arritur të bëjë “betejën e tij” me kozmosin dhe me yjet. Rrugëtimet e tij në hapësirën qiellore janë të pandalshme, po aq sa janë edhe lundrimet dhe zhytjet e tij nëpër dete e oqeane, mirëpo ai nuk ka arritur që të njohë se si të ecë e të jetojë në Tokë si njeri,” siç do të na thoshte një ideolog indian.
Në këtë vit kemi plotësuar saktësisht një shekull, që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore, që përfundoi në vitin 1918, e megjithatë viktimat që nga ajo kohë nuk janë ndalur asnjëherë. Sipas disa statistikave të përafërta, vetëm nga luftërat e nga konfliktet e armatosura në mes të popujve e ndonjëherë edhe nga luftërat civile përgjatë një shekulli, kanë rënë viktimë jo më pak se 200 milion njerëz. Këto viktima kanë rënë në epokën kur “civilizimi” ka arritur kulmin e zhvillimit të tij dhe si i tillë është ende drejt një ngritjeje të mahnitshme që nuk di të ndalet. Këto viktima ranë në epokën kur numri i “mendjendriturve” e të arsimuarve me shkallët më të larta akademike, ka qenë më i madh se kurdoherë më parë. S’mund të thotë askush që njerëzimi luftoi në mes vete, ngaqë nuk ishte i vetëdijshëm e i arsimuar deri në atë shkallë që të kuptonte pasojat fatale të luftërave e trazirave në Tokë. Përkundrazi, luftërat dhe armët më shkatërruese kundër vetvetes i prodhoi njerëzimi në epokën më të “civilizuar” të tij.
Kjo na bënë të qartë që “civilizimi” nuk ndal luftërat, e as nuk po arrin të mbjellë paqen në Tokë. Rruga drejt paqes nuk duket të jetë edhe aq e lehtë, madje “paqja duhet të ripërkufizohet më shumë se sa thjesht mungesë e luftës. Mungesa thjesht e luftës nuk është garanci se lufta nuk do të përsëritet”, siç shprehej J.S. Goldstain.
Krijuesi ynë na jep instruksione të qarta për rrugën që duhet ndjekur nëse dëshirojmë paqe. Ai thotë: “Mos syno çrregullimet (trazirat) në Tokë, vërtet Zoti nuk i do çrregulluesit (trazuesit) e rendit në Tokë” (El Kasas, 77). Prishjes së paqes i paraprijnë trazirat edhe çrregullimet, e kur ato ndodhin, paqja nuk gjen më fole në atë shoqëri. Prandaj, qëndrimi hyjnor ishte i qartë, t’i këputen rrënjët minuesve të paqes dhe t’iu ngushtohet hapësira atyre që bëjnë trazira në Tokë, se vetëm kështu instalohet rendi e paqja dhe vetëm në këtë formë mund të mbijetojë ajo.
Numri i shoqatave e organizatave ndërkombëtare, si edhe atyre vendore që kanë mision humanitar në epokën e civilizimit, është më i madh se kurdoherë më parë, por ende numri i atyre që vdesin nga uria në botë, është mbi 10 milion njerëz në vit. Po sipas statistikave të OKB-së, rrëfehet se aktualisht janë 795 milion njerëz që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm ose vuajnë nga kequshqyerja. Burimet natyrore nuk janë pakësuar në Tokë, përkundrazi, mirëpo shpërndarja e tyre ndër njerëz është bërë në formë të padrejtë.
Sipas OBSH-së (Organizatës Botërore të Shëndetësisë) numri i foshnjeve të abortuara në tërë botën brenda një viti arrin në 40 milion. Ata fëmijë, të cilëve Zoti iu dha frymën e shpirtit, po privohen nga e drejta për të jetuar në këtë botë, ende pa hyrë në të. Sigurisht se s’kishim arsye që të kemi armiqësi së paku ndaj foshnjave. Ata s’na bënë ndonjë të keqe, për më tepër, ne duhet të mbjellim më shumë mëshirë e humanizëm në shpirtrat tanë, për të kuptuar se moslejimi i ardhjes së tyre në këtë jetë është krim i vrasjes.
Civilizimi sot është i aftë që të formojë organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut, humanizëm e solidaritet ndër njerëz, ai arriti që të përpilojë sllogane e parrulla nga më të ndryshmet, mesazhi i të cilave është mbresëlënës, por ai nuk po arrin dot që të ofrojë një ombrellë paqeje nën hijen e së cilës të mund të strehohen të gjithë. Parrullat e slloganet s’mbjellin rend në Tokë, edhe pse mund të duken efikase. Vrimat ligjore në ligjet e të gjitha shteteve do të vazhdojnë të shfrytëzohen si mos më keq, nga ata njerëz që janë “të përkryer dhe intelegjentë” vetëm kur bëjnë krime e trazira në Tokë. Tek të gjithë njerëzit, e në veçanti tek ata që kanë prirje keqbërëse e kriminale, duhet bërë mishërimi i ndjenjës së besimit, se do të vijë një ditë në të cilën do të dalim që të gjithë para Drejtësisë Absolute të Krijuesit tonë. “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi” ( El-Bekare, 281).
Jo rastësisht, tërë mësimet hyjnore të Kuranit janë përmbyllur me këtë ajet (i fundit sipas mendimit më të saktë nga të gjitha ajetet e zbritura kuranore), i cili i thërret ndërgjegjes njerëzore dhe shpirtit human që të përgatitet për dalje para Drejtësisë Hyjnore të Krijuesit.
Ne bijtë e këtij brezi, mjaftueshëm u civilizuam e u arsimuam, andaj të bëhemi edhe pak humanë!