Në ç’këndvështrim shikohet zotimi në fenë islame?

120

Pyetje: Shpesh dëgjojmë njerëz që zotohen për shumë gjëra, por nuk i qëndrojnë strikt zotimit të tyre duke neglizhuar në realizimin e saj. Në ç’këndvështrim shikohet zotimi në fenë Islame?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, salavatet Pejgamberit Muhamed alejhis-selam, familjes së tij, shokëve dhe të gjithë pasuesve  të tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vërtet pyetja që ju drejtoni është shumë aktuale, veshët tona përballen me dëgjimin e zotimeve të shumëllojshme. Shumë studentë zotohen se do të dalin me sukses në provime me kusht që prindërit t’i blejnë një I-phone apo I-pad, apo zotohen duke thënë do të të jap një shumë të hollash sadaka në rast se do të filloj punë. Gjithashtu edhe zotimet që tashmë janë bërë modë e politikanëve që zotohen para elektoratit se do të bëjnë këtë e atë punë me qëllim që njerëzit të votojnë për ta etj.

Në qoftë se do të ndalemi tek kuptimi i fjalës zotim, do të kuptojmë shprehjen në mënyrë të qartë të angazhimit për kryerjen e një vepre të mire, e cila nuk është obligim fetar. P.sh. kur dikush thotë: “Në qoftë se Allahu i Madhëruar e shëron të afërmin tim të sëmurë, atëherë unë do të agjëroj 3 ditë” ose “do t’i jap këtë shumë të hollash një jetimi për të fituar kënaqësinë e Allahut të madhëruar” etj.

Zotimi është i vlefshëm vetëm atëherë kur bëhet nga një person në moshë madhore, i shëndoshë nga ana mendore dhe i lirë për të zgjedhur, pa marrë parasysh nëse është musliman apo jo. Në fenë Islame zotimi është një ritual i vjetër adhurimi. Allahu i Madhëruar përmend në Kuranin Fisnik zotimin e nënës së Merjemes për t’ia kushtuar Allahut të Madhëruar foshnjën që kishte në barkun e saj, ku thotë: “Kujto kur gruaja e Imranit tha: Zoti im! Unë Ty të kam kushtuar qtë që është në barkun tim, që të të shërbeje vetëm Ty, andaj pranoje prej meje, se Ti në të vërtetë dëgjon dhe di çdo gjë” (Al-Imran, 35).

Pra zotimi është një veprim i ligjshëm duke u bazuar në Kuranin Fisnik dhe në traditën e profetit Muhamed (paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).

Allahu i Madhëruar në suren El-Bekare thotë: “Allahu e di çfarë keni dhënë nga pasuria ose çfarë keni zbatuar nga zotimet tuaja”. Ndërsa profeti Muhamed (paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) thotë: “Kush zotohet për t’iu bindur Allahut, le t’i bindet Atij, ndërsa kush zotohet për të thyer urdhërat e Allahut të mos i thyejë ato”. Në bazë të ajeteve dhe hadithit të mësipërm zotimi është i vlefshëm kur bëhet për një vepër të mirë me qëllim për t’u afruar tek Allahu i Madhëruar. Në këtë rast detyrohet realizimi i tij.

Zotimi është i pavlevshëm kur bëhet për të thyer urdhërat e Allahut të Madhëruar, siç është zotimi për të ofruar diçka tek varret, apo zotimi që ndonjëri ka bërë për të pirë pije alkolike, apo zotimi për të kryer një vrasje etj. Në këtë rast nuk detyrohet zbatimi i zotimit, përkundrazi zbatimi i një vepre të tillë është rreptësisht e ndaluar. Profeti Muhamed (paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Zotimi për të thyer urdhërat e Allahut nuk lejohet”.

Ndërsa përsa i përket fjalëve që dikush thotë: “Zotohem se do të udhëtoj me këtë tren” apo “Zotohem se do të vesh këtë rrobë”,  shumica e dijetarëve mendojnë se thënie të kësaj natyre nuk konsiderohen zotime dhe për pasojë nuk detyrohet zbatimi i tyre.

Zotimi mund të jetë i kushtëzuar ose i pakushtëzuar:

1. Zotimi i kushtëzuar është atëherë kur dikush angazhohet për të kryer një vepër të mirë, pra nëse i ndodh ndonjë mirësi prej Allahut të Madhëruar ose shpëton nga ndonjë fatkeqësi. P.sh. kur dikush thotë: “Në qoftë se Allahu i Madhëruar e shëron një të afërm tim të sëmurë, unë do të ushqej tre të varfër” ose të thotë: “Në qoftë se Allahu i Madhëruar e realizon dëshirën time, unë do të bëj këtë gjë”, atëherë në këtë rast personi që zotohet detyrohet të zbatojë atë kur plotësohet kushti i përmendur në zotim. Ebu Davudi transmeton se një grua i ka thënë pejgamerit Muhamed (paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): “O i Dërguari i Allahut, unë jam zotuar se nëse kthehesh nga lufta shëndoshë e mirë do t’i bie dajres në prezencën tënde. Profeti Muhamed (paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i tha: ‘Realizoje zotimin tend’”.

2. Zotimi i pakushtëzuar është kur dikush angazhohet për të bërë diçka në mënyrë të pakushtëzuar me diçka tjetër. P.sh. kur dikush thotë: “Zotohem se do të fal dy rekate namaz”. Në këtë rast detyrohet realizimi i zotimit ashtu siç ka urdhëruar edhe profeti Muhamed (paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), i cili thotë: “Kush zotohet se do t’i bindet Allahut, le t’i bindet Atij”.

Në rast se zotimi thyhet dhe nuk realizohet, atëherë detyrohet shlyerja e zotimit. Kjo gjë është e ngjashme me shlyerjen e betimit. Profeti Muhamed (paqja, begatia dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Shlyerja e zotimit të thyer është e njejtë me shlyerjen e betimit”. Këtë shlyerje e përmend Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik (El-Maide, 89), në të cilën thotë: “Allahu nuk do t’iu ndëshkojë ju për ato gjëra të paqëllimshme në betimet tuaja, por Ai do t’iu ndëshkojë për betimet me qëllim, dhe për të shlyer një betim (të qëllimshëm), ushqeni dhjetë të varfër në atë masë sa keni ushqyer edhe familjet tuaja, ose i vishni ata, ose çlironi një skllav. Por kushdo që nuk mund ta përballojë këtë, atëherë ai duhet të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për betimet e bëra dhe ruani betë tuaja. Kështu Allahu jua bën të qarta Ajetet e Tij që të mund të bëheni mirënjohës e falenderues”.

Lus Allahun e Madhëruar që të na japë dije dhe të na bëjë prej atyre që mbajnë zotimet dhe premtimet që themi.