Në Dubai nis ndërtimi i kullës më të lartë në botë

56

Në Dubai ka filluar puna për ndërtimin e kullës, e cila pritet të jetë edhe më e lartë se Burj Khalifa, që njihet aktualisht si rrokaqielli më i lartë në botë.

Struktura “do të jetë më e larta në botë, pas përfundimit në vitin 2020”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga qeveria e Dubait gjatë ceremonisë së rastit.

Gjiganti Emaar Properties pati shpalosur planet për ndërtimin e kullës qysh në prill të këtij viti, duke thënë se kjo do të jetë një “shenjë” më e lartë sesa Burj Khalifa, e cila është 828 metra e lartë.

Emaar nuk ka zbuluar lartësinë e saktë dhe përfundimtare të kullës.

Në prill është thënë se struktura do të kushtojë rreth 1 miliard dollarë.

E projektuar nga arkitekti spanjollo-zviceran, Santiago Calatrava Valls, kulla do të ketë kuvertën e vëzhgimit e cila do të ofrojë pamje 360 gradë të qytetit bregdetar.

Në prill, Emaar ka thënë se kulla do të jetë e hollë, duke evokuar imazhin e një minareje dhe do të ankorohet në tokë me kabllo shumë të forta.

Dubai ka krijuar një reputacion për ndërtimin e dhjetëra rrokaqiejve futuristikë, të cilat kanë transformuar horizontin e saj.

Arabia Saudite, nga ana tjetër është duke ndërtuar një kullë në Jeddah, e cila planifikohet të tejkalojë Burj Khalifah, duke u ngritur në lartësi mbi 1 kilometër. /tesheshi.com/