Në Facebook ke foton e parë, pa e parë ende babai, pa...

Në Facebook ke foton e parë, pa e parë ende babai, pa të puthur ende gjyshi…

127

Në Facebook ke foton e parë, pa e parë ende babai, pa të puthur ende gjyshi, pa të marrë erë më parë gjyshja

Nga Edmond Arizaj

Lindjet lajmërohen në Facebook. Aty të vijnë buqeta me lule. Aty ke buzëqeshje. Urime. Fjalë të zgjedhura.

Në Facebook ke foton e parë. Pa e parë ende babai. Pa të puthur ende gjyshi. Pa të marrë erë më parë gjyshja.

Për emrin nuk vendos më dajua. Jo.

Një turmë elektronike, vendosin për emrin tënd.

Në shikimin e parë syri ngulet tek gjiri teksa e verbon drita e celularit.

Në dëgjimin e parë ke qeshjen e nënës dhe klik-un e mesazhit që shkoi në Facebook…

Lodra s’ka më. Këmbë me plagë s’ka më. Bark të çjerrë s’ka më. Fusha për të vrapuar s’ka më. S’ka më cingla. S’ka më topa. S’ka më karroca. S’ka më litar.

Madje edhe Mimoza llastica s’ka më… Ka veç Facebook, apo simotrat e tij.

Aty rritesh. Me mijëra lojëra. I luan vetëm. Ti thua po luaj me shokët. Çështje këndvështrimi. Atyre që dikur luanin lagje me lagje, 100 djem e vajza bashkë, u dukesh që po luan vetëm…

I mbyllur. I stresuar. Në ankth. Në pritje komentesh. Në pritje buzëqeshjesh e përkedheljesh dixhitale.

Çdo gjë dokumentohet në Facebook. Edhe adoleshenca. Edhe lidhja e parë. Puthja e parë. Kafja e mëngjesit. Dreka. Darka. Gjumi. Tualeti. Biçikleta. Makina. Ndarja e radhës. Zhgënjimi. Mërzia. Gëzimi…Shoqëruar me bisedat e rastit, disa të dukshme e disa të padukshme.

Në Facebook japin lajmërimet e fejesës. Presin urime.

Në Facebook japin lajmërimet e dasmës. Presin urimet.

Në Facebook japin lajmërimet e vdekjes. Presin ngushëllime.

Në Facebook kërkojnë punë. Në Facebook bëjnë politikë. Ne Facebook bëhen liderët e rinj. Në Facebook protestojnë. Nga Facebook martohen. Aty shohin lajmet. Edhe kur vdesin, vazhdojnë të jenë gjallë në Facebook. Nuk ka nevojë për ç’rregjistrim si në gjendjen civile. Nga Facebook edhe të spiunojnë…

Një jetë dixhitale. Pa prekje. Pa frymë. Pa shprehje. Pa mimikë. Bota e gjithë në një alet të vogël. Për pak vite do harrohet shprehja “më mori malli”. Sot kjo shprehje përdoret veç nga disa nëna që nuk po mësohen dot me Facebook…

Nuk e zgjidhim dot në duhet uruar shpikësi i Facebook, apo duhet mallkuar.