Në mbrojtje të familjes

72

I nderuar z. Totozani!

Në emër të Shoqatës Kulturore “Gruaja”, ju shprehim vlerësimet më të larta për institucionin që ju drejtoni i cili përfaqëson dhe mbron të drejtat kushtetuese të çdo qytetari të këtij vendi. Por me gjithë respektin për këtë institucion, nismat institucionale të ndërmarra së fundmi që konsistojnë në përhapjen, rrënjosjen e vlerave të LGBT-së në shoqërinë tonë, i konsiderojmë si sulme flagrante ndaj ndjenjave, kulturës e traditës shqiptare dhe cënim të drejtëpërdrejtë të atyre vlerave që karakterizojnë prej shekujsh kombin, atdheun e shoqërinë tonë shqiptare.

Pa marrë përsipër të ndërhyjmë në punën tuaj, aq më pak të sulmojmë një institucion që detyrimisht duhet t’u shërbejë interesave të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, me taksat e të cilëve mbahet, ju bëjmë thirrje të hiqni dorë nga qëndrimet tuaja të fundit mbi përhapjen e vlerave të komunitetit LGBT në mjediset arsimore, edukative e shoqërore shqiptare. Nisma të tilla që ju inicioni, shpien në shkatërrimin e familjes tradicionale shqiptare dhe dëmtojnë rëndë kuptimin e vërtetë të natyrës njerëzore, natyrshmërinë e saj, mashkullin, femrën dhe lidhjen mes tyre.

Ju kujtojmë që shoqëria shqiptare, është vlerësuar vazhdimisht për vlerat e tolerancës  që përcjell në rajon e më gjerë edhe pa nismën tuaj dhe të forcave që qëndrojnë pas jush, për futjen në tekstet shkollore të orientimit seksual që në vetvete do të thotë t’u mësoni fëmijëve tanë se edhe nëse ata janë meshkuj apo femra nga lindja, mund të zgjedhin të jenë e kundërta e asaj që janë. Një nismë e tillë për përhapjen e kulturës LGBT dhe ndryshimin e Kodit Penal dhe atij të Punës, është as më pak e as më shumë se vdekje e familjes shqiptare.  Rrjedhimisht do të thotë shkatërrim i shoqërisë sonë.

Është koha kur në shkollat tona, sipas ekspertëve, duhet të futen metoda të reja pedagogjike për t’a nxjerrë shkollën nga kornizat e ngrira të arsimimit të rrënjosura nga regjimi komunist që kaluam, ndërkohë ju ndërmerrni iniciativa të panevojshme, për më tepër të dëmshme dhe që synojnë shkatërrimin e brezave që vijnë.

Nënat shqiptare presin nga ju që të mbroni nisma për edukimin fetaro-kulturor të fëmijëve tanë, përmes nismave të futjes së programeve të besimit fetar në shkolla dhe jo degradimin moral të tyre. Realisht, vlerat e edukatës qytetare dhe të mirësjelljes në familjet dhe institucionet tona arsimore, do të kultivonin individë të cilët do t’i respektonin të drejtat njerëzore. Aq më tepër kur këto vlera të mirëkuptimit të ndërsjelltë, kultivohen në emër të Zotit, si baza dhe prapavija e çdo rregulli, kodi e morali.

Me këtë rast, ju shprehim hapur kundërshtinë tonë për këto nisma tuajat të cilat u shtohen problemeve të shumta që kanë të rinjtë tanë në shkolla, ku krimi, droga e sëmundjet seksualisht të transmetueshme po dëmtojnë rëndë të rinjtë tanë, në frenimin e të cilave duhej të konsistonte puna juaj, për të përmbushur misionin që ju keni në mbrojtje të atyre për të cilët jeni ngarkuar e jo të inicioni nisma që jo vetëm janë amorale për shoqërinë tonë por edhe çoroditin mendjet e fëmijëve tanë.

Edhe pse dallojmë nga vlerat LGBT-së që ju synoni t’i kultivoni vendit tonë, pasi jemi ndjekës të fesë hyjnore Islame, sërisht ndajmë të njëjtin dhé, të cilin na e lanë të parët. Pavarësisht se këto vlera ndryshojnë nga tuajat, na ruajtën ndër kohëra edhe atëherë kur na kanosej rreziku i asimilimit.

Sërisht janë këto vlera që na mbrojnë, siç kërkojmë e shpresojmë të na mbajnë edhe në të ardhmen në mesin e vendeve të Bashkimit Europian ku vendi ynë synon të aderojë, por pa hequr dorë nga çfarë na karakterizon ne si komb.

Ju sigurojmë se do të jemi kundër nismave të tilla, pavarësisht nga vijnë ato.

Do t’u kundërvihemi me të gjitha mjetet dhe mënyrat legjitime që na lejon e drejta e Zotit dhe e përmban kushtetuta e vendit tonë. Dështimi i këtyre nismave e të ngjashme me to, nënkupton mbrojtje të mendjes, shpirtit, jetës e natyrshmërisë së fëmijëve tanë dhe vijimësisë së shoqërisë sonë.

Duke përfunduar, shpresojmë që vendimi juaj të jetë në dobi të familjes shqiptare dhe të kontribuojë në drejtim të edukimit dhe përmirësimit të jetës së fëmijëve tanë dhe jo në shkatërrimin e vlerave e moralit të tyre.

Drejtoreshë e Shoqatës Kulturore “Gruaja”

Znj. Ndriçime Zekaj

Korrik -gusht, 2014