“Në rrugën dashurimbuluar” botimi më i ri i poetes Marjeta Çurumi

319

“Dhe dashuria ka ngjyrën më të bukur

nga të gjitha ndjenjat jetuar,

është aroma e petales së lotit,

që rrëshqet nga zemra, dashurimbuluar…”

Vargjet flasin, apo shprehin më së miri kredon e saj për t’iu rikthyer me zjarrin e dashurisë më të madhe, jetës.
Motivet janë trajtuar edhe në librat e tjerë, por tani ajo vjen më e kompletuar, më e ndjeshme, madje dhe më kritike ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj vetë botës.
Në këtë vëllim ndjehet më së miri edhe rritja e mjeshtërisë së vargut dhe na duket sikur udhëtojmë edhe në kohë edhe në shpirtin e saj, në imazhet e ëmbla, në larminë e vargjeve e të figuracionit, me rimat e ritmin herë të prerë e herë të ëmbël, herë me ashpërsi e herë me një ndjeshmëri të hollë e prekëse.
Por në të vërtetë poetja është e shqetësuar. Brenda saj, brenda mendimit poetik duket sikur shpërthen një duf. Nuk është urrejtje, as mëri, por është një dhembje jo vetëm për mungesën e gjatë, por edhe për lirinë shpirtërore dhe fjalën e lirë që buron natyrshëm nga shpirti. Kështu në një vështrim vetëm të disa figuracioneve, mund të pohojmë më së miri këndvështrimin e saj poetik e filozofik.
Motivi i dashurisë. Poetja i këndon asaj me gjuhë poetike duke u shkëputur nga tradicionalizmi. Mjeshtëria e ndërtimit të vargut të bie në sy shumë lehtë.

Në poezinë e Marjetës ka dhimbje, lot, shpresë dhe shumë dashuri. Në botën e penës së  saj përshfaqet vrullshëm dëshira dashurimbuluar për ta jetuar jetën deri në grahmën e fundit. Bota e saj përshfaqet në spektrin e plotë të të gjitha ngjyrave, ku e gjithë bota jeton mes limiteve gri-kuq. Lumturisë ajo i vendos si kryefjalë zemrën. E të ëmblës nënë i shkruan si rrallëkush ka mundur. Por si pak kush ajo nuk harron edhe të kërrusurin e të vuajturin nga brengat e jetës, babain. Dora më e ëmbël në përkëdheli është gjyshja, supi ku qan është motra e një mendim i merakosur përjetë, vëllai. Në poezinë kumbuese të Marjetës gjen si buçet zëri i një nëne.  E si mundte të linte ajo pas atë që i jep forcë të zgjohet çdo mëngjes, dashurinë. Pena dhe fjala e saj kanë të miksuar fjalën e dashuri-Krijuesit. Vëllim që do t’ju lë pa fjalë dhe do t’ju bëj ta keni tuajin, ashtu siç vetëm ajo di.

Entela Hidri