Në vigjilje të sezonit të adhurimeve

226

Nga Irfan Jahiu

Çdo musliman është mallëngjyer për muajin e Ramazanit, muajin e mëshirës dhe Kuranit.  Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit. Prangosen shejtanët dhe në të është një natë më e mirë se njëmijë muaj. Ky muaj ditët i ka të caktuara, kujtimet dhe kënaqësitë e paharruara dhe veprat e mira të dyfishuara. Muaji i Ramazanit vjen pas një mungese të gjatë, ashtu si i përgëzonte Muhamedi (a.s.) shokët e tij dhe u thoshte: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit kurse mbyllen dyert e Xhehenemit. Në këtë muaj shejtanët mbyllen. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar.”

Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e Xhehenemit dhe i hapen dyert e mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë lidhen shejtanët? Muaj që nuk e arrin asgjë dhe askush në të mira dhe dobi. Ky muaj është muaj i fitoreve për Umetin. Në këtë muaj u fitua lufta e Bedrit, u çlirua Mekja, e më vonë Endelusi dhe Hitini e shumë të tjerë.

Sot disa prej muslimanëve Ramazanit ia humbin shkëlqimin dhe vlerën e tij. Në vend që ta veçojnë me agjërim dhe Kuran ata i braktisin shtëpitë për udhëtime dhe aventurë. Disa e shfrytëzojnë që ditën të flenë, ndërsa natën të luajnë dhe argëtohen dhe ta luftojnë Allahun me mëkate.

Ardhja e këtij muaji është begati e madhe për atë që Allahu nuk ia merr shpirtin. Dëshira e sa njerëzve ka qenë që ta agjërojnë këtë muaj të shenjtë, por sot nuk janë në mesin tanë?! Sa prej nesh këtë vit do ta agjërojmë së bashku e vitin tjetër Ramazanin do ta presim në varre: “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” (Lukman, 34)

Si ta gostitim këtë mysafir të vlefshëm?

Ky mysafir gostitet me hapjen e zemrave para se t’ia hapim dyert e shtëpisë dhe me pastrimin e shpirtrave dhe pastrimin e pasurisë.

Prandaj, ti i cili i bën mëkat Allahut pendohu me sinqeritet që zemra jote të përmirësohet dhe gjendja jote të drejtohet.

Ky muaj është muaji i ndihmesës dhe lëmoshës. Prej urtësive të tij është që muslimani të bashkëveprojë me vëllezërit e tij në të gjitha sferat dhe t’i përgjigjet thirrjeve të varfërve dhe të dobtëve. E ndien në vete varfërinë e tyre, pikëllohet me pikëllimin e tyre dhe i dhemb shpirti me dhimbjen e shpirtrave të tyre. Ia zgjat dorën me lëmoshë dhe ndihmë dhe shpreson që Allahu veprat dhe pasurinë t’ia dyfishojë: “Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i Madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare, 261)

Ky muaj është muaji i lutjeve dhe duave. Pasuria e fituar me haram është shkak i belave. Lutjet nuk pranohen, ëndrrat dhe shpresat nuk realizohen dhe dyert e qiejve nuk hapen. Pritja e Ramazanit me pastrimin e pasurisë prej haramit dhe bërjen e duave të sinqerta janë shpresa e muslimanit në dynja dhe ahiret.

Shiko në veten tënde, hulumto në shtëpinë tënde, fute dorën në xhepin tënd, pastroje pasurinë prej çdo harami që të dalësh para Allahut me zemër të frikësuar, pasuri të pastruar dhe lutje të sinqerta të cilave u hapen dyert e qiejve.

Ata të cilët e kuptojnë Ramazanin si medrese për forcimin e imanit, pastrimin e moralit dhe forcimin e vullnetit, ata janë që përfitojnë prej tij. Gjatë ditës e shijojnë kënaqësinë e agjëruesit, gjatë natës e shijojnë ëmbëlsinë e namazit dhe lutjeve, ata janë të cilëve u hapen dyert e Xhenetit dhe u mbyllen dyert e Xhehenemit,dhe i takojnë melekët natën e Kadrit me paqe dhe përgëzime. Ata janë të cilët ndahen prej Ramazanit të mëshiruar dhe të falur, me pendim dhe lutje të pranuar, dhe me besim të ripërtërirë dhe të forcuar.

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) na përcjell prej Abdullah ibën Amër ibën Asit (r.a.) i cili thotë se Profeti (a.s.) ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kijametit. Agjërimi thotë: “O Zot ai është ndalur nga ushqimet dhe epshet e tij ditën, më lejo të jem ndërmjetësues për të”. Dhe thotë Kurani: “O Zoti im ai është ndalur nga gjumi natën, më lejo të jem ndërmjetësues për të dhe u jepet leja për ndërmjetësim.”

Të parët tanë të mirë e kuptuan urtësinë e Ramazanit. Ditët e tyre ishin angazhim, prodhim dhe përsosmëri. Netët e tyre ishin asketizëm, namaz dhe Kuran. I tërë muaji për to ishte adhurim, mësim dhe bamirësi. Gjuhët e tyre agjëruese nuk përgojonin, sytë e tyre agjëruese haram nuk shikonin dhe zemrat e tyre agjëruese kah asnjë mëkat dhe gjynah nuk mëtonin.

Sot disa prej muslimanëve i morën të parët si model dhe e morën Ramazanin si sezon i adhurimeve dhe dyfishim i shpërblimeve. Ditën e agjëruan me përkushtim dhe natën u falën me përkushtim. Ndërsa disave prej tyre Ramazani nuk u bëri aspak dobi. Ditën e morën për gjumë, natën për argëtim, ngrënie dhe dëfrim. Allahu e bëri largim prej ushqimeve dhe epsheve dhe ndihmë të varfërve, ata e bënë bollëk të ushqimeve dhe pijeve duke u lavdëruar para njerëzve se unë jam i pasur.

“Kush e agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij fytyrën prej zjarrit të Xhehenemit shtatëdhjetë pranvera.”

Maj 2017