Nisma “Multi- Languages Café” – Si të praktikosh gjuhën e huaj, falas

70

Prej më shumë së tre vitesh në Tiranë zhvillohet aktiviteti vullnetar “Multi-Languages Cafe’. Një hapësirë për të gjithë ata që duan të praktikojnë falas gjuhë të huaja. Ideja nisi shumë thjeshtë, nga Andi Bregu i cili me eksperiencën e marrë nga Suedia në pjesëmarrjet e rregullta të takimeve të organizuara në bibliotekën Sol të Universitetit të Lundit me grupet ndërkombëtarë të studenteve, gjykoi për të sjellë këtë eksperiencë edhe në Tiranë si një format ndryshe edhe për studentët shqiptarë, por dhe rezidentë të shteteve të tjera që duan të kenë praktika në një apo disa gjuhe të huaja të ndryshme nga gjuha e nënës.

Fakultetet e huaja zhvillojnë mënyra alternative të mësimit të gjuhëve të huaja. Sot njerëzit nuk mësojnë vetëm në mënyrën tradicionale të të shkuarit në shkollë dhe aq! Teknologjia, kurset online, shikimi i videove ne youtube, shikimi i serialeve të huaja mundëson njohjen me gjuhë të ndryshme. Nevoja për praktikimin e gjuhëve të huaja gjeti hapsirë për t’u përmbushur në këtë aktivitet.

Çdo të hënë në Qendrën Rinore të Tiranës përgjatë dy orëve të pasditës, 17:00 – 19:00 mblidhen persona me kombësi të ndryshme për të praktikuar gjuhë të huaja. Si funksionon? Çdo tavolinë prezent në sallë përfaqëson një gjuhë dhe kushdo që ulët në atë tavolinë do të praktikojë atë gjuhë. Gjuhët si Anglisht, Rusisht, Gjermanisht, Spanjisht, Italisht, Frengjisht, Turqisht dhe Greqisht janë gjuhët që praktikohen më shumë. Sigurisht që ka pasur edhe kërkesa dhe për gjuhë te panjohura për Shqipërinë si gjuha Koreane, që në sezonin e vjetshëm zhvillohej nga dy vajza koreane të cilat kishin ardhur për vizitë në Shqipëri dhe falë interesit që gjetën vendosën të qëndrojnë disa muaj.

15338867_1818913011699124_2607425135218877802_n

Kështu siç kanë qenë këto vullnetare, sot kemi vullnetarë të tjerë që na kushtojnë kohën dhe përkushtimin ndaj këtij programi. Për çdo tavolinë liderat mundohemi t’i përzgjedhim të huaj, kjo për të krijuar një mundësi më të mirë për praktikimin e gjuhës dhe njohjen direkte me kulturën e një vendi. Liderat në tavolinë nxisin pjesëmarrësit duke ndihmuar gjithsecilin nga pjesëmarrësit për të qenë sa më i përfshire në bisedë. Tematika të ndryshme diskutohen çdo javë, për të pasur kështu mundësi për të zgjeruar fjalorin dhe për të mësuar gjëra karakteristike të vendeve. Dy vullnetare nga Korpusi Amerikan i paqes  i janë bashkuar për të dytin vit rradhazi kësaj nisme, ashtu sic janë edhe pedagoge nga fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Tiranë që japin me kënaqësi kontributin e tyre vullnetar për këtë organizim. Bashkëpunim kemi me Forumin Rinor Shqipëri – Rusi që ka marrë përsipër menaxhimin e gjuhës Ruse në Multi-Languages Cafe’. Gjatë sezonit të kaluar ka patur gjithashtu për një periudhe të shkurtër tek gjuhët që praktikohen edhe gjuhën Arabe në bashkëpunim me Fondacionin Albanian Qatar Center.

Projekti i organizuar vullnetarisht nga një grup personash në Tiranë sjell ndryshim pozitiv në komunikimin në gjuhë të huaja, në ndryshimin e koncepteve dhe thyerjen e steriotipeve të ndryshmë mbi personat dhe kombet e tjera. Qëllimi i programit është t’u vijë në ndihmë të gjithë atyre që dëshirojnë të praktikojnë një gjuhë të huaj, si alternativa më e mirë e të mësuarit në bazë të edukimit informal, ose të mësuarit nëpërmjet të berit vetë (learning by doing). Gjetja e individëve me interesa të përbashkëta dhe njëkohësisht të moshave të ndryshme i jep mundësinë gjithkujt për të mësuar diçka të re. Ajo që tentojmë të realizojmë më këtë projekt është ndryshimi në mentalitet dhe thyerje e paragjykimeve të ndryshme sociale dhe gjuhësore në veçanti si dhe përfshirja e kategorive të ndryshme shoqërore.

14595766_10154099048881936_5919838466057875798_n

Pse jo ky projekt të shërbejë edhe si nxitje dhe motivim për individët që në të ardhmen të zhvillojnë ide dhe programe personale që janë në të mirë të shoqërisë.

Për ne është shumë e rëndësishme promovimi i shumëllojshmërisë kulturore, etnike, linguistike  në diversitetin shoqëror duke rritur njohuritë mbi shtetet e ndryshme, si mënyra më e mirë e promovim të vlerave dhe traditës për të pasur një shoqëri më pranuese dhe më të hapur ndaj ndryshueshmërisë.

Marsida Karaj, Koordinatore e “Multi-Languages Café”

Revista “Familja”, janar 2017