Një arkitekte shqiptare në Malajzi- Intervistë me znj. Brunilda Basha

1764

Nga Armida Plumbi

Brunilda Basha, arkitekte shqiptare që ushtron profesionin e saj në Malajzi që nga viti 2012, rrëfen për rrugën e saj drejt profesionalizmit dhe suksesit. Ajo ka qenë pjesë e maturës së parë (2002- 2006) në Medresenë e Tiranës “Mahmud Dashi”, dega e vajzave. Më pas së bashku me bashkëshortin e saj, vazhdoi studimet në Universitetin Ndërkombëtar Islamik të Malajzisë (International Islamic University Malaysia) dhe shtroi rrugën e saj profesionale me durim dhe punë.

Le të njihemi më gjerësisht me jetën dhe veprimtarinë e arkitektes Basha në këtë intervistë për revistën “Familja”.

  • E fillojmë këtë intervistë me Kuala Lumpurin. Ju keni studiuar në Malajzi dhe karriera juaj këto vite ndodh dhe zhvillohet në metropolin malajzian, Kuala Lumpur. Pse, e keni zgjedhur këtë shtet. A mund të na thoni se çka ju ofron ky vend dhe ky qytet që pjesët tjera të botës nuk ua kanë ofruar?

Ardhja në Kuala Lumpur u mundësua nga bursa e ofruar nga shteti Malajzian për studentët më të mirë të medreseve të Shqipërisë. Jam akoma këtu, për disa factor. Së pari, studimet nuk i kemi lënë asnjëherë. Punonim dhe prisnim njëri tjetrin të përfundonim studimet pas-universitare. Së dyti, nëse vështrojmë zhvillimet e arkitekturore, sot për sot vendet të cilat kanë dhe boom-in më të madh në fushën e ndërtimit janë Azia juglindore (Malajzi, Singapor) apo Lindja e Mesme. Shumë shtete në Europë, Australi po kalojnë krizë; si mungesë projektesh, mbingopje konstruksioni. Arkitektët e rinj si ne, nuk kanë as mundësinë më të vogël të përfshihen në mega-projekte, mundësi të cilën po e prek në mënyrë të vazhdueshme në Kuala Lumpur. Fatmirësisht duke qënë arkitekte jo malajziane në zyrën time, më kanë dorëzuar në patronazh dhe disa projekte që zhvillohen jashtë Malajzisë si Oman, Maldivë dhe Irak.

  • Aktualisht cilat janë angazhimet tuaja si arkitekte? Merreni me ambiente të brendshme apo të jashtme? Ku konsiston puna juaj dhe si bashkëpunohet me klientin?

Në Malajzi dhe shumë shtete ekuivalente në sistemin universitar ke zgjedhjen në do të ndjekësh fakultetin e Interior design-it apo arkitekturës, sistem i cili mungon akoma në Shqipëri. Fusha e veprimit tim varion nga planifikimi dhe projektimi i ndërtesave të tipologjive të ndryshme, si residenca, spitale, masterplane, deri tek gradacela; menaxhimi dhe kordinimi i projekteve, mbikqyrja e grupit konsultues, ndjekja e një projekti nga faza fillestare (projektimi) deri në dorëzimet në autoritetet përkatëse. Jo rrallë herë mbuloj dhe cashflow-n e kostit ndërtimor, GDV-në-analizë mbi kthimin e profitit, si dhe sigurisht takimet më klientët. Me ta kemi marrëdhënie profesionale. Shumë herë gjendem jo vetëm duke realizuar çfarë klienti dëshiron, por duke këshilluar e sugjeruar çfarë është më e mira për të. Jo të gjithë kanë njohuri të mjaftueshme të impaktit të një projekti në jetën e komunitetit.

Cilat janë vështirësitë dhe sfidat më të mëdha të një arkitekti?

18032016 TP PPT

Ka disa vështirësi. E para, lidhet me mua vetë, me muzën dhe frymëzimin. Arkitektura përveç shkencë ekzakte është më shumë art/inspirim si një poezi. Së dyti, është një profesion i cili nuk të lejon të pushosh qoftë fizikisht apo psikologjikisht. Çdo projekt është i ndryshëm nga tjetri, në vende të ndryshme, klientë të ndryshëm dhe gjatë gjithë kohës je në përpjekje të koordinosh këta 3 elementë sa më perfekt në një afat ektremisht të shkurtër, me limite buxheti, rregulla të autoriteteve, kërkesa të paarritshme etj. E fundit dhe më e rëndësishmja; lufta e ashpër që bëhet për të mbrojtur etikën profesionale. Çdo ditë përballemi me klientelë egoiste (sidomos sipërmarrësit dhe bisnesmenët privatë), të cilët synim kanë profitin financiar vetëm, ndërkohë që ne duam të punojmë me shpirt dhe ajo ç’ka ofrojmë të jetë për të mirën e njerëzimit jo vetëm e disa personave të pasur. Aq më tepër si besimtare muslimane duam të mos biem kurrë ndesh me mësimet e fesë sonë.

  • Sa e rëndësishme është arkitektura për qytetarët e Malajzisë? Dhe këtu po dëshiroj të lidhem dhe të krahasojmë qasjen ndaj arkitekturës në vendin tonë.

Arkitekura është një gamë e gjerë e cila përfshin jo vetëm disa objekte ndërtimore, por lidhet ngushtë me jetën e qytetarëve, historinë e tyre, sjelljet sociale në ambiente të ndryshme, si dhe luan rol mjaft domethënës në psikologjinë e çdokujt. Malajzianët janë njerëz që kanë një raport të fortë me natyrën, me materialet e ndërtimit, me historinë që kanë lënë pas. Ndjehet shqetësimi i tyre mbi zhvillimet masive që po zënë vend dita ditës. Megjithatë, pavarësisht tentativës për të abuzuar me ligjet dhe rregullat, sërisht DBKL ka arritur të ketë në kontroll rendin urbanistik dhe ndërtimor. Nëse do krahasoja me Shqipërinë, do thoja se arkitektura këtu është shumë herë më e rëndësishme për qytetarët e saj se në Shqipëri, por më pak se në Singaporë.

  • Kur e vizitoni Tiranën, çfarë mendoni? Është një qytet që pas viteve 90 ka ndryshuar shumë. A mendoni që një qytet kaq kaotik si Tirana, mund të rikthehet në gjendje të një qyteti që ofron cilësi më të lartë të jetës për banorët e saj?

Pikërisht pse ndryshimet filluan direkte pas 90-tës ne pak a shumë dhe u rritëm duke parë si ndryshonte. Megjithatë këto 10 vjet të fundit është përkeqësuar me ndërtesa të ngritura si kërpudhat pas shiut, trafik, ndotje ambienti. Ndjesia e gjendjes së mjerueshme ndihet që në momentin kur avioni fillon të ulet në Tiranë. Ne nuk duhet të ishim përballë kësaj panorama në shekullin ku jetojmë, për më tepër kur kujtojmë se Tirana ka patur plan rregullues të niveleve me fqinjët tanë europian. Si duket tranzicioni i kaluar ka lënë gjurmët e tij, kontrolli i munguar nga autoritetet dhe abuzimi me postet po ashtu la pasoja, ndërgjegjia qytetare për të ndjekur rregullat jo më dhunë, apo me shkopin e Maliqit mbi kokë gjithashtu ka ndikuar, dhe sot jemi këtu ku jemi. Megjithatë, asgjë nuk është e pamundur. Dy elemente të cilat mund të transformojnë Tiranën janë dëshira për të ndryshuar, dhe këtu i referohem përgjegjësve politik, Ministrisë së Mjedisit, bashkisë, si dhe zbatimi në mënyrë rigoroze i planit rregullues. Ne nuk kemi mungesë profesionistësh, por mungesë zbatimi të rregullave dhe neneve të shkruara të cilat ekzistojnë. Shembuj se një qytet, apo shtet jo funksional nga ana urbane mund të arrijë suksesin ka plot. Ndër to, Barcelona apo Curitiba e Brazilit të cilët u transformuan nga qytete kaosi në qytete urbane të suksesshme.  Singapori nga ana tjetër është shembulli më i mirë që mund të ekzistoj ku me sipërfaqe më pak se 1000 m2 akomodon popullsi 6.5 milion, duke mbajtur stafetën e shtetit ndër më ekologjik dhe më të mirë planifikuar në botë.

  • Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas muslimane në Malajzi? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?

FullSizeRender (2)

Kjo është shumë delikate dhe do shumë hapësirë për t’u diskutuar. Ajo ç’ka mund të them është se Malajzia është një vend i brishtë sa i përket anës social-kulturore dhe fetare. Nëse do i referohemi raporteve apo disa studimeve, e paraqisin Islamin në Malajzi ekstremist dhe shtypës ndaj femrës, madje për këtë arsye u ngrit dhe shoqata “Sisters in Islam” në 1993. Por nga ana tjetër, ajo ç’ka unë dëshmoj dita ditës është një panoramë krejt tjetër. Shoh një shoqëri me të drejta të barabarta. Nëse në vendet perëndimore ka konstrains sa i përket manifestimit të veshjes/besimit, vlerave dhe aftësive të gruas muslimane, këtu është normale të gjendesh në cdo ambient, çdo fushë pa u ndrydhur aspak dhe nuk gjej asnjë arsye për të justifikuar modernizimin apo liberalizmin fetar të panevojshëm i cili po rritet dita ditës. Feja pak nga pak po kthehet në një traditë dhe kjo reflektohet në sjelljet e muslimaneve, aparencën e femrave etj. Me pak fjalë ndiej një krizë të ruajtjes së identitetit dhe ndikimi nga faktorë të jashtëm (media, rrjetet sociale, propaganda).  Ajo ç’ka unë shoh problematike gjithashtu, madje edhe tek vetja pasi jetoj sipas sistemit këtu ku jam, është balanca që duhet të bëjë gruaja midis jetës personale dhe asaj profesionale.  Shoh një degradim të familjeve, sepse prindërit po kalojnë jashtzakonisht shumë pak kohë me fëmijët dhe edukimin e tyre. Kjo për arsye të fleksibilitetit të orarit të punës, orarit deri në 6-7 darkës, lejes pas lindjeve (vetëm 2 muaj) e shumë të tjera.

  • Aktualisht ju jeni shumë aktive në artikuj dhe analiza. Si ju ka lindur ky pasion për shkrimin. Cili është raporti juaj me dijen në përgjithësi dhe me librin në veçanti?

Lindi në bankat e medresesë. Ishin konkurset e letërsisë midis medreseve të Shqipërisë për të cilat mësuese Pranvera më ka shtyrë të merrja pjesë. Ato proza dhe poezi më kujtohet u publikonin tek gazeta “Drita Islame” dhe revista “Familja”. E braktisa për një farë kohe derisa dëshira u rikthye pas përfundimit të fakultetit. E ndjeva si detyrë të jap diçka për shoqërinë shqiptare. Largësia fizike (Shqipëri- Malajzi) më la vetëm më opsionin e përdorimit të penës sidomos mbi temat e arkitekturës islame, për të cilat opinioni publik ka pothujse fare njohuri. Pas një artikulli në një portal online, më erdhi ftesa nga revista “Familja” për të qenë pjesë e autorëve në rubrikën “Kulturë” për gati 3 vite tashmë. Ndërsa ato analiza arkitekture dhe reflektime sociale që kam, janë frymëzime momentale të cilat lindin si reagim i ndonjë ­çështjeje të caktuar.

Për të kuptuar raportin me dijen apo me librin na mjafton fjala e Zotit në Kuran: “Thuaj: O Zoti im ma shto diturinë!” apo Profeti (a.s.) kur i thotë sahabit Saf’uan Ibnu Asal: “Mirësevjen, o nxënës i dijes! Ëngjëjt e rrethojnë dhe e mbulojnë me krahët e tyre nxënësin e dijes, pastaj ata (engjëjt) ngjiten mbi njëri-tjetrin derisa mbërrijnë në qiellin e Dynjasë nga kënaqësia e asaj që ai po kërkon.” për të kuptuar se sa e rëndësishme duhet të jetë kërkimi i dijes, dhe për mua është.

  • Para disa kohësh keni mbyllur një kërkim studimor në bashkëpunim me pedagogun tuaj mbi rolin e Islamit në Shqipëri nga ana arkitekturore? Si lindi ky bashkëpunim?

Intercultural Dialogue Through Design M'sia-Australia   Master Class Workshop

Përgjatë kohës sime këtu, jam munduar t’i prezantoj miqtë & profesorët sa më shumë të jetë e mundur me Shqipërinë. Hera e parë ishte në vit të fundit të diplomës së parë kur propozova para pedagogëve që projekti i radhës (i cili ishte ndërtesë diplomatike-ambasadë) t’i dedikohej shtetit tim. Punuam rreth 4 muaj i gjithë grupi i studios për të, i cili përfshinte kërkime studimore mbi shumë aspekte të Shqipërisë, vizitë tek ambasada shqiptare dhe prezantimi final i secilit nga ne përballë profesorëve të universitetit dhe vizitorë profesionist të jashtëm. Për më tepër sa herë që kishim kërkime të lira, sigurisht fokusi im ishtë Shqipëria, madje dhe mbrojtja e diplomës gjatë masterit profesional ishte propozimi i një qendre multisociale në Tiranë. Nga materiali i prezantuar i diplomës lindi ideja e një bashkëpunimi me pedagogun tim (me të cilin kisha kohë që punoja si asistente) për të sjellë një kërkim rreth Shqipërisë. Fituam buxhetin 2 vje­çar për të, dhe pas përfundimit, përveç shkrimit të plotë që është pjesë e qendrës kërkimore të IIUM, kemi publikuar 2 artikuj akademik, prezantuar në dy ekspozita ne Kuala Lumpur dhe një konferencë në Iran. Jam shumë e lumtur qe e mora këtë hap, pasi edhe pse një ditë do largohem nga ky vend, të paktën në Universitetin Ndërkombëtar Islamik të Malajzisë kam lënë diçka të dokumentuar të Shqipërisë. Kërkimi titullohej “The past and present roles of Albanian. Community Mosques on the development of Albanian Muslim society. The cases of Et’hem Beu Mosque, Tirana and Fatih Mosque, Durres, Albania.”

  • Cili është mendimi juaj në lidhje me gjeneratat e reja që po ballafaqohen me sfidat e jetës dhe studimeve? Shumë prej tyre ne pamundësi për të studiuar aty ku realisht kanë dëshirë, zgjedhin profesione të tjera vetëm për hir të të gjeturit një punë në të ardhmen. Cila është këshilla juaj për ta?

Mendoj se hapi më i gabuar që një student maturant mund të ndërmarrë është të ndërtojë jetën e tij për hir të mbijetesës. Çdokush nga ne duhet të ndjekë rrugën e ëndrrës së tij, pasionit dhe talentit. Një shprehje e lashtë kineze thotë “Zgjidh një profesion të cilin e dashuron dhe s’do keni nevojë të punoni asnjë ditë gjatë jetës”.

  • Çdo njeri ka një motiv, një shtytje por edhe një të kaluar që e bënë atë që është. Ju çfarë ju motivon?

Lus Zotin që shtysë për çdo arritje të kemi gjithmonë kënaqësinë e Tij. Ne jemi mëkëmbësit që Zoti na solli jo pa qëllim, por për të ruajtur rendin tokësor duke synuar finalen e madhe, jetën hyjnore të Xhenetit. Një rol kyç dhe të veçantë në përkujtimin e këtij misioni kanë prindërit e mi, të cilët janë shtysa më e madhe që kam përkundrejt rritjes së vetvetes.

  • Si ndodhi ky ndryshim i madh në jetën tuaj, t’i përkushtoheni tërësisht Islamit, duke u mbuluar dhe praktikuar obligimet fetare? Për më tepër çfarë e lidh arkitekturën me aktivitetet fetare në të cilat ke qenë pjesë?

Unë vij nga një familje tradicionalisht muslimane, e cila edhe në kohë të komunizmit nuk e humbi besimin në Zot. Isha 9 vjeç kur fillova të fal namazin, pastaj vazhdova studimet në një shkollë ku fryma islame ishtë prezente kudo (Medresenë e Tiranës). Në moshën 13 vjecare vura shaminë. Erdhi çdo gjë shumë natyrshëm, e bindur në hapin e marrë dhe jam rritur me këtë besim e manifestim veshjeje. Tashmë u bë 15 vite dhe mbulesa është pjesë esenciale e asaj ç’ka unë jam. S’e kam parë kurrë veten pa të. Pyetjen e dytë e kam dëgjuar shpesh kur isha pjesë e shoqatës “Al Aksa”, apo takime fetare midis të rinjve.  Shprehnin habi, sepse shumëkush e sheh fenë të ndarë nga fushat e tjera të dijes (aq më tëpër arkitekturën) dhe thirrësit duhet të kenë studiuar patjetër shkenca islame. Jo! Islami është prezent kudo, në çdo sekondë tonin jemi në shërbim të tij, qoftë në profesionin tonë apo qoftë në përhapjen e dijes fetare që lidhet me çështje thelbësore si raporti i njeriut më Zotin apo sjellja me njëri-tjetrin.

  • Ju jeni matura e parë e degës së vajzave të Medresesë së Tiranës “Mahmud Dashi”. Cilat janë kujtimet dhe mbresat tuaja në këtë shkollë me shoqet dhe mësueset?

Po, e vërtetë. Medreseja pa u futur në detaje ishte dhe vazhdon të jetë periudha më e bukur e jetës sime. Kurrë nuk e kam parë thjesht si një shkollë. Ajo ishte gjithçka imja për plot 8 vite, vitet më të rëndësishmë të formimit të njeriut (10-18 vjec). Kujtimet janë aq shumë sa dhe momente të jetuara. Madje sa herë dëgjoj për të, më duket sikur po flasin për familjen time, diçka që më përket mua. Duke qenë brezi i parë (më të mëdhenjtë), na shoqëronte përherë ajo ndjesia e përkujdesjes ndaj të gjithë nxënësve të tjerë.  Një eveniment shumë emocionues është programi i maturës dhe momenti kur gdhenda emrin në trungun e shkollës, apo kur putha flamurin duke ja dorëzuar përfaqësuesit të vitit të ardhshëm. Me shumë mësues kemi kontakt akoma, sidomos me mësuesen kujdestare. Me vajzat e klasës jemi të bashkuara ashtu si para 10 vitesh. Vitet kanë kaluar por asgjë s’ka ndryshuar.

  • Na tregoni diçka për familjen tuaj. Sa mbështetje keni nga bashkëshorti juaj, i cili po ashtu si ju ushtron profesionin e arkitektit?

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Familja ime përbëhet nga unë, vajza dhe Eni (bashkëshorti). Me Enin u njoha në Medrese, u rritëm dhe kemi ndërtuar çdo gjë së bashku. Fatmirësisht të qenit në një profesion ka ndihmuar goxha në përkrahjen e tij në disa situata të cilat për një grua nuk janë aspak të lehta. Sidomos nëse i referohemi orareve të vona në studio, ndihmesën në punët e shtëpisë dhe përkujdesjen ndaj vajzës. Kemi sakrifikuar të dy për të qenë këtu ku jemi ashtu si çdo çift tjetër. Dhe kështu duhet të jetë! Imazhi ideal i një martese midis dy besimtarëve nuk ka 2 vetë, por një çift, një trup i cili bashkëpunon drejt një qëllimi të përbashkët.

  • Përsa i përket karrierës suaj, a keni plane konkrete për të ardhmen?

Çdo hap që kam hedhur ka qenë deri diku i planifikuar. Sigurisht “karriera” ime, në fakt preferoj ta quaj kontributi im siç dhe është, (pasi ne si qenie dhe aq me tepër si musliman jemi në shërbim të njëri-tjetrit për hir të Zotit) në profesionin e arkitekturës është akoma në fillimet e tij. Nëse i referohemi planeve afatgjatë, pas disa vitesh lus Zotin ta shikoj veten në një sipërmarrje të themeluar nga unë dhe Eni (bashkëshorti im). Njëkohësisht shpresoj të jem prezente në fushën akademike.  Me këtë të dytën dua të përmbush ëndrrën për të lënë lëmoshë të rrjedhshme, dije që vazhdon dhe pasi mos të jem më, në dashtë Allahu.

  • Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?

Mesazhi im për veten dhe lexuesit është: “Të jemi nga njerëzit të cilët thërrasin në të dobishmen pasi dhe vetë janë pjesë e së dobishmes. Të jemi gjithmonë në përpjekje të vazhdueshme në ecjen tonë të pandalshme në rrugën drejt Zotit.”

Stafit të revistës “Familja”, përveç falënderimit për hapësirën që më kushtuat, ju uroj suksese dhe Zoti ju ndihmoftë në misionin tuaj të përçimit të vlerave familjare!

]Revista “Familja”, gusht-shtator 2016