Një buqetë me dua (lutje) të zgjedhura: “Lutjet e përditshme të myslimanit”

76

Të nderuar lexues! Ju bëjmë me dije se doli nga shtypi botimi më i ri i Shoqatës Kulturore “Gruaja” me titull “Lutjet e përditshme të myslimanit”

Një buqetë me lutje të përzgjedhura nga Kurani dhe Suneti dhe një libër i begatë që përmbledh lutjet dhe dhikrin (përmendjen e Allahut) për të cilin ka nevojë myslimani gjatë ditës dhe natës, por edhe në raste të ndryshme me të cilat përballet gjatë jetës së tij. Ky libër vjen i përkthyer në gjuhën shqipe për të gjithë lexuesit shqiptar në format xhepi.

Qëllimi i kësaj broshure nuk është vetëm mbledhja e të gjithë lutjeve origjinale nga Kurani dhe Suneti, por bashkimi në një libër të vetëm të lutjeve autentike, përmbledhëse dhe të grupuara sipas kuptimit. Përmes këtij libri, autorja dëshiron t’u paraqesë besimtarëve dhe nxënësve të dijes në ditët e sotme, një material autentik që përdorej nga dijetarët e mëhershëm për t’ju lutur Zotit të Madhërishëm me dëshirë e frikë, me lot e kënaqësi, me zell dhe vijimësi.

Kjo broshurë përmban lutje të sakta për t’i thënë me kujdes në mëngjes e mbrëmje në mënyrë që të ruhen nga çdo e keqe, vështirësi e gjynah; e kështu libri të jetë ndihmësi më i mirë në arritjen e shpërblimeve dhe në pastrimin e shpirtit.

Qëllimi është që të ndihmojë lexuesin të mbajë në zemër e në mendje Krijuesin e tij dhe ta ndihmojë atë të duket sikur po e sheh Profetin (a.s.), madje sikur po dëgjon zërin dhe dënesën e tij teksa është duke përmendur Zotin me lavde, lutje e madhërime.

Lutjet janë organizuar në grupe sipas tematikës së tyre dhe brenda një grupi janë renditur sipas radhës së lutjeve që bënte zakonisht Profeti (a.s.). Kështu, nga një lutje në tjetrën e nga një shkallë në tjetrën, për asnjë çast nuk do ta keni larg zemrës Zotin e Madhërishëm.

Nëpërmjet këtij uirdi apo grupi lutjesh autorja ka ecur në rrugën e librit “Lutja nga Kurani dhe Suneti” me autor Muhamed el Kahtanij, i cili ka shkruar edhe librin e njohur “Hisnul Muslim” (Mburoja e myslimanit), libër që ka hyrë në shtëpinë  e çdo besimtari mysliman.

Lexues i nderuar! Padyshim, si çdo gjuhë tjetër, edhe gjuha arabe ka veçoritë e saj. Prandaj do të këshillonim që, ai që bën përpjekje për të mësuar lutje ose ajete të Kuranit në gjuhën arabe, të pyeste ndonjë që e njeh gjuhën arabe për mënyrën e shqiptimit etj.

I lutemi Allahut të Madhëruar që kjo vepër e thjeshtë, të jetë për hir të Tij e të na shërbejë në të dyja botët. I lutemi Allahut që ky libër t’i bëjë dobi çdokujt që e lexon, e mëson dhe e shpërndan atë.

Ibn Tejmije ka thënë: “Lutjet dhe dhikri që ka bërë Profeti, janë gjëja më e mirë për atë që dëshiron të përmendë Zotin e të lutet. Kush ecën në këtë rrugë, ka ndjekur rrugën më të sigurtë e më të qetë. Ndërsa mirësitë që ai arrin, askush nuk mund t’i përshkruajë apo përmbledhë.”

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O, besimtarë! Më kujtoni Mua (me lutje e adhurime), që t’ju kujtoj ju (me shpërblime); më falënderoni vetëm Mua e mos më mohoni” (Bekare 152).

Ndaj, le ta kujtojmë Allahun, le t’i lutemi Atij, sepse Ai është i kënaqur nga ne, kur i drejtohemi me sinqeritet.

 

Titulli: Lutjet e përditshme të myslimanit (Nga Kurani dhe Suneti)

Autor: Muejjed AbdulFetah Hamdan

Përkthyes: Dëshir Sheshi

Redaktor: Alban Kodra

Korrektor: Krenita Hakrama

Design&layout: Ermelinda (Agalliu) Kurti

Botues: Shoqata Kulturore “Gruaja”

Shtypi: Shtypshkronja “Mileniumi i ri”

ISBN: 978-9928-4220-1-9

 

Rev. Familja, janar 2015