Një hotel në Moskë tërheq vizitorët mysliman

62

Nga Albana Fisniku

Në hotelin Aerostar nuk shërbehet proshutë për mëngjes. Në të ka një dhomë falje dhe Kuran pranë tryezës së shtratit. Një hotel në Moskë ka nisur një shërbim të veçantë “hallall” për të tërhequr vizitorë nga bota myslimane. “Rreth 70 % e mysafirëve tanë janë të huaj dhe 13 % e tyre – afërsisht 5,000 njerëz – vijnë nga vendet myslimane, veçanërisht nga Irani,” tha Lyubov Shiyan, drejtoreshë  e marketingut në hotelin Aerostar. “Vizitorët myslimanë janë vazhdimisht duke kërkuar një dhomë të veçantë faljeje ose një menu të veçantë,” tha ajo. “Ne dëshirojmë që të gjithë ata që vijnë këtu të ndihen si në shtëpi.”

Për ta bërë të mundur këtë shërbim, hoteli duhet të  kalojë disa proçedura rigoroze para se të marrë çertifikatën “hallall” nga zyrtarët myslimanë në Rusi. Por e gjithë kjo punë duket se ia vlen të bëhet. Këto janë kohë të vështira për industrinë e turizmit të Rusisë me rënien e numrin të vizitorëve – sidomos nga Perëndimi – nga tensionet Lindje-Perëndim të cilat nisën nga Lufta e Ftohtë gjatë krizës në Ukrainë. Burimet e kësaj industrie bëjnë të ditur se rënia e numrit të vizitorëve perëndimore, kryesisht nga SHBA-ja dhe Britania, është 30 deri 50 %. Kjo ka bërë që hotelet të tërheqin vizitorë nga pjesë të tjera të globit duke përfshirë vendet myslimane në Lindjen e Mesme dhe Azi të cilat nuk kanë vendosur sanksione për Moskën lidhur me ndërhyrjen e saj në Ukrainë. “Ne kemi pajisur 20 dhoma nga 308 që ka hoteli me një sexhade, lavaman për të marrë abdes si dhe një busull të vogël që tregon drejtimin e Mekës,” thotë Shiyan. Ata që qëndrojnë në dhomat e modifikuara posaçërisht për ta, do të gjejnë edhe një kopje të Kuranit. “Madje edhe shampot e sapunët që janë nëpër dhoma janë të çertifikuara me markën “hallall” dhe nuk përmbajnë yndyrna shtazore ose alkool,” shtoi ajo.

Janë përgatitur dy dhoma lutjeje – një për burrat dhe një për gratë – si dhe një kuzhinë e veçantë që përgatit dhe shërben vetëm ushqim “hallall”. “Ju nuk do të gjeni mish derri ose proshutë këtu,” tha kuzhinieri Vitali Ukhanov, duke qëndruar në kuzhinë e tij të vogël e të ndritshme, me një shenjë me fjalën “hallall”, shkruar në brendësi të një yll të gjelbër varur në mur. “Të gjitha paisjet e kuzhinës janë të reja dhe nuk janë përdorur kurrë në kuzhinën kryesore,” shtoi kuzhinieri. Megjithatë, diskrecioni, është ruajtur. Edhe pse klientëve myslimanë iu shërbehet në tavolina të veçanta, larg nga bufeja kryesore, aty nuk ka shenja që tregojnë se ky është një seksion “hallall” dhe atyre iu shërbehet nga një ekipi i veçantë kamerierësh.

Investimi tashmë ka filluar dhe hoteli pret shumë biznesmenë iranian të nivelit të lartë. Që në dy javët e para është rritur numri i rezervimeve nga Malajzia dhe Irani për këtë shërbim. Edhe pse Rusia ka rreth 20 milionë myslimanë, ajo sot ka vetëm dy hotele që janë të njohura zyrtarisht si “hallall”, tha Sadykov. Një hotel tjetër në qytetin turistik të Detit të Zi, në Soçi po aplikon për të marrë çertifikatën “hallall”, pasi Olimpiada Dimërore 2014 vuri në dukje mungesën e objekteve të përshtatshme për të përmbushur nevojat e atletëve myslimanë si, dhomat e lutjes dhe menutë “hallall”. “Kjo është krejtësisht e pamjaftueshme,” u ankua Sadykov. Gjithashtu ajo tha se:”Në qoftë se numrit të turistëve i shtojmë edhe biznesmenët që vijnë në Rusi nga Lindja e Mesme, Turqia apo Irani, atëherë ne jemi duke folur për një numër vërtetë të madh të klientëve nga vendet islame”.

 Rev. Familja, janar 2015