Një model i veçantë për paraqitjen e librit islam

71

Shoqata Kulturore “Gruaja” boton setin e librave, unike dhe të veçanta në llojin e vet. Këto tre libra në format xhepi me një dizenjo tërheqëse, janë të shoqëruara nga një DVD dhe një çantë me elemente dekorative shqiptare.

Titujt e librave janë: “Islami shkurtimisht”, “Njeriu që ndryshoi botën –Muhamedi (a.s)”, “Islami dhe gratë” dhe DVD me Suren Merjem.

Mesazhi i tyre është: “Ne njerëzit na bashkon natyra humane. Jetojmë në të njëjtën botë dhe synojmë mirësi dhe paqe për të gjithë”. Kjo shprehje gjendet në fillim të secilit libër dhe nënkupton arsyen e përgatitjes së këtij seti, i pari i këtij lloji në trojet shqiptare.

islami- Front Cover“Islami shkurtimisht” – Libri flet shkurtimisht për besimin Islam. Islami i mëson njeriut mënyrën e të jetuarit në paqe e harmoni, nëpërmjet vendosjes së një lidhjeje të fortë adhurimi, bindjeje, falënderimi e mbështetjeje të njeriut me Zotin, Krijuesin e tij – të Gjithëpushtetshmin, të Përkryerin që si ngjan askujt e askush s’është si Ai. Pasi, njerëzit janë krijuar për të adhuruar Atë që i krijoi ata, të Vetmin që meriton të adhurohet.

Në këtë libër trajtohen shkurtimisht edhe shtyllat e Islamit dhe e gjithë esenca e tij përmblidhet në ajetin kuranor: “Sot e plotësova për ju, fenë tuaj, e dhurova dhuntinë Time ndaj jush dhe e zgjodha për ju Islamin fe” (Maide 3).

Muhamedi a.s - Front Cover“Njeriu që ndryshoi botën –Muhamedi (a.s)”- Ky libër trajton në vija të përgjithshme figurën e Profetit Muhamed (a.s), cilësitë dhe virtytet e tij të larta dhe mesazhin e Zotit të cilin ai e përhapi për mbarë njerëzimin. Gjithashtu në këtë libër trajtohen mendimet e shumë personaliteteve jomuslimane botërore në lidhje me Profetin Muhamed (a.s) dhe vlerat e tij të larta, si profet, si njeri, si baba, si bashkëshort, si mik etj. Në Kuran thuhet: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për të gjitha botërat” (Enbija 107).

 

 

Islami dhe grate- Front Cover“Islami dhe gratë” – Në këtë libër trajtohet dhe flitet shkurtimisht për rolin dhe vendin që zë gruaja në familje dhe shoqëri, si nënë, bashkëshorte dhe bijë. Gjithashtu trajtohen shkurtimisht gratë më të nderuara dhe fisnike të fesë islame që kanë jetuar në kohën e Profetit Muhamed (a.s). Allahu thotë në Kuran: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë…” (Bekare 228).

DVD me suren Merjem – Midis shumë sureve (kaptinave) nga Kurani Famëlartë është zgjedhur enkas surja Merjem, sepse në të përshkruhet një nga gratë më të nderuara të fesë islame, Merjemi (a.s) dhe gjithashtu flitet për pozitën e lartë që ka djali i saj, Isai (a.s) në Islam si profet dhe i dërguar i Zotit.

Ky set me libra është shumë i dobishëm për fillestarët që dëshirojnë të njihen me besimin dhe vlerat shumëdimensionale që përcjell kultura Islame. Librat e sistemuar në çantë dekorative kanë tërhequr  vëmendjen e shumë vizitorëve shqiptar dhe të huaj në panaire të ndryshme ku ka marrë pjesë Shoqata Kulturore “Gruaja” kohëve të fundit. Një model dhe stil i veçantë për paraqitjen e librit islam dhe një ide interesante për dhuratë për të afërmit apo miqtë tuaj.

Maj-qershor, 2014