Një natë sa njëmijë muaj

363

Nga Marjeta Çurumi

Çfarë bëmë që gjumi na rrëmbeu kohën më të mirë për lutje? Përse qamë, kur harresa na vodhi sekondat për përkujtim? Sa shpresojmë,kur neglizhenca ther mbi mundësitë që nuk kthehen?

Japim dhe marim, ikim e vijmë. Jemi kaq të tunduar,sa padashur harrojmë vizitorët e vyer, që s’kthehen më. U kapluam nga qindra, mijëra shtegtime pa fund në dynjanë e përkohshme, sa dhimbja për kohën që po na ikën, kafshon tmershëm muret e zemrës.

Ditët kanë rendur dhe netët po rrugëtojnë. Ramazani po na ikën dhe Nata e bekuar po afron. Si mundet njeriu të mos i lajë me lot këto ditë, të mos i mbushë me përgjërima rënkonjëse pendimi, këto netë?

Jemi në Ramazan, në muajin e miliona sekondave mëshire. Jemi në muajin, ku më shumë se kurrë, shpirti duhet t’i dorëzohet Zotit.

A nuk kërkonim një derë? Dera u hap: Ramazani është me ne! A nuk kërkonim një dorë? Dora u shtri: “Mëshira Ime ka kapluar çdo send”- thotë i Gjithmëshirshmi.

Falësi, I Buti, që dhuroi natyrën e thyeshme, gabimtare njerëzore, dhuroi pa fund mundësi përgjigjie:

“Lutmuni Mua dhe Unë do t’ju përgjigjem!”

I Larti, Bujari, që na nxorri nga errësira në dritë, një natë të veçantë na zbriti. Një natë sa njëmijë muaj, një natë sa njëmijë rrahje, një natë sa njëmijë pendime.

U zhyt njeriu mëkatar në dëshpërim për atë që punoi. Nuk gjeti rrugëdalje, nuk diti zemërzgjidhje.Vendosi kokën në prehrin e pendimit, dhe Ai, rrugë pa fund drite, nëpërmjet natës së bekuar i ofroi.

Një natë, e fshehur në 10-netëshin më të mirë të vitit. Një natë që nxit maratonën e kërkimit të saj, nëpërmjet adhurimit të pandalshëm të Zotit, të vetmit që e meriton adhurimin, gjatë gjithë Ramazanit,veçanërisht në pjesën e fundit të tij. Ajo është nata, kur adhuruesit në qiell dhe në tokë i përulen Krijuesit në sexhde, i zgjasin duart drejt Atij, që ndryshe nga çdo ekzistencë tjetër, mërzitet nëse krijesat nuk i luten. Është nata ku duhet të llogarisësh vetveten, para se të llogaritesh, nata kur duhet të dorëzosh të fshehtat e shpirtit para se të nxirren, nata kur duhet të meresh vetëm dhe vetëm me veten tënde. Dhe nëse dëshiron të merresh me të tjerë, atëherë në pragun e kësaj porte mirësie thërriti ata, ashtu si Paqedhënësi na ka porositur: “Dhe ftoji ata në rrugën e Zotit tënd!”

Prite këtë natë, duke qenë prej atyre, që syri kënaqet kur i sheh dhe zemra gëzohet kur i takon. Zgjate dorën e butësisë dhe pajtimit, pastroje zemrën nga urrejtjet, gjykimet nga padrejtësitë, fjalët nga tepricat. Nisu drejt Zotit tënd me devotshmëri dhe vepra të mira që kjo natë, ndoshta e fundit në udhëtimin tënd të përkohshëm,të të gjejë prej atyre që Zoti u premton: “Të tillët  kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme.”

I Urti, i Gjithëdituri, që dhuroi zemrën, ia hapi asaj rrugët e kthimit për te Ai nëpërmjet Fjalës së Tij, që nisi pikërisht në këtë natë madhështore: “Ne e zbritëm Kuranin mëshirë”. Mësime dhe këshilla pa fund, mënyra dhe zgjidhje që qetësojnë shpirtrat, shkronja dhe tinguj që ëmbëlsojnë zemrat në të. Ai është mëshirë nga i Gjithmëshirshmi, që e zbriti atë në natën e Kadrit: “Ç’të bëri ty të dish se çfarë është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se njëmijë muaj. Me lejen e Zotit, këtë natë zbresin Engjëjt dhe Xhibrili për çdo çështje. Ajo që përcakton Zoti është paqe deri në agim të mëngjesit.”

A ka natë më të rëndësishme, se sa ajo, të cilën vetë Ai, Krijuesi i Gjithësisë veçoi? A ka shoqëri më të mirë, se sa të pastërtit, që përcjellin fjalët dhe veprat, nën dhe mbi qiej, të krijesave njerëzore? A ka përcaktim më të mirë se sa ai që i Drejti përcakton në këtë natë? A ka paqe më të madhe se sa paqja që vijëzohet me agimin e një nate të ndriçuar me kërkim faljeje nga Falësi Bujar. Prandaj bëhu prej atyre që me shpresë te Zoti agjërojnë, prej atyre që rruzullin tokësor, me sexhde përulësie e zbukurojnë, prej atyre, shkak i të cilëve kjo botë nuk shkatërrohet.

Ngrihu në natën e errët, atëherë kur të gjitha dritat, përveç dritë së Zotit janë të fikura, ngrihu në natën që peshon sa njëmijë muaj dhe lutu për veten tënde, ti o njeri gabimtar, ashtu si na mësoi njeriu i zgjedhur i Zotit, profeti ynë i nderuar:

O Zoti im, Ti je Falës dhe e do faljen! Më fal mua!

O Zoti im, Ti je Falës dhe e do faljen! Më fal mua!

O Zoti im, Ti je Falës dhe e do faljen më fal mua!

Dhe dije se: “Zoti yt i përgjigjet lutjes së lutësit, kur ai i lutet”

 

P.s. Eseja fituese në konkursin e esesë më të mirë me temë “Një natë sa njëmijë muaj”, organizuar nga Shoqata Kulturore “Gruaja”.

shtator-tetor 2015