Një shembull pozitiv për të rinjtë – Intervistë me studenten Elinda Gjonomadhi

1681

Nga Armida Plumbi

Elinda është një vajzë e re dhe shumë aktive. Prej vitesh angazhohet në aktivitete të ndryshme kulturore dhe sociale. Aktualisht studion në vit të parë për Administrim Biznes dhe IT. Ka hobi shkrimet dhe fotografinë dhe së fundmi ka marrë një çertifikatë mirënjohjeje nga Ministria e Kulturës për fushatën #AlbFotoBook.
Angazhimet dhe ambiciet e saj e bëjnë atë një shembull pozitiv për të rinjtë e sotëm. Njihuni në këtë intervistë gjerësisht më Elindën, me ëndrrat dhe pasionet e saja.

  • Elinda, edhe pse ende shumë e re, jeni shumë aktive në sfera të ndryshme të jetës, prezantime, konkurse, në punë vullnetare etj. Si ka lindur tek ju dëshira për vullnetarizmin dhe pse vazhdoni ende të angazhoheni?

Besoj që dëshira për t’u angazhuar është rritur brenda meje me kalimin e kohës. Duke qenë pjesë e disa organizatave që në fëmijëri, më është dhënë mundësia më e mirë për t’u mësuar me pjesëmarrjen në aktivitete që, sado të vogla, kanë ndikuar tek unë në një mënyrë apo në një tjetër. Tashmë është bërë pjesë e pandashme e jetës sime të qenurit e angazhuar, prandaj dhe sa herë që më jepet mundësia, mundohem të jap më të mirën time. Besoj që dëshira për të dhënë mbrapsht diçka, apo për të kontribuar sadopak duke kërkuar vetëm hyjnoren në atë që bën, me ka ndihmuar t’i shoh disa situata me një tjetër këndvështrim.

  • Aktualisht studioni në vit të parë në CIT (Insitutin Kanadez të Teknologjisë) për Administrim Biznes dhe IT. Pse keni zgjedhur pikërisht këtë degë?

Mendoj që është fillim i mbarë i rrugës që kam zgjedhur. IT-ja më ka tërhequr gjithnjë që në studimet e shkollës së mesme dhe biznesi do të më ndihmojë që idetë e mia t’i sjell në jetë. Nga njëra anë më pëlqen fotografia dhe shkrimi dhe nga ana tjetër kam gjetur veglat me të cilat mund t’i përmirësojë këto pasione që kam. Tek CIT-I në fakt, kam gjetur jo vetëm degën që dua, por një institucion arsimor që më jep mundësi të aktivizohem, të marr dhe të jap njëkohësisht, si dhe komunikimin që gjithnjë kam dëshiruar me stafin akademik.

  • Kur keni vendosur të mbartni mbulesën islame dhe çfarë simbolizon ajo për ju?

Mbulesën islame e kam vendosur në klasën e nëntë. Duke ndjekur dëshirën për t’i qenë Zotit pranë, mora vendimin që do të më ndryshonte botëkuptimin dhe në Ditën e Bajramit, në datën 1 shtator vendosa shaminë. Në fakt, jo më larg se konkursi i Shoqatës Kulturore “Gruaja” për fotografinë, pata një moment nostalgjie për këtë akt sublim. Shamia për mua simbolizon më tepër sesa thjesht besimin islam. Mbulesa islame shpreh një identitet në vetvete, pavarësisht të gjitha paragjykimeve që e rrethojnë, me të ndjeshme kohët e fundit. Ndjenja e krenarisë, e solidaritetit, e intelektuales, në fund të fundit, e dikujt që del nga turma për të treguar “Kjo jam unë. Ky është besimi im.”, është për t’u admiruar. Prandaj dhe vendosa që në konkurs të marr pjesë me një foto që për mua përcjell një ndër mesazhet më të forta që kam shkrepur. Tregon dikë që nuk ka frikë të dalë në sipërfaqe, dikë që nuk ka frikë të pranojë identitetin e saj. Tregon vajzën muslimane të çliruar nga efekti i qasjes së pakëndshme që realiteti i ofron, prandaj mbulesa islame është pashmangshmërisht një mishmash mesazhesh që jo çdo kush mund t’i kuptojë.

  • Disa herë ju jeni vlerësuar me çmime në krijimtari letrare. Si ju ka lindur tek ju ky pasion për shkrimin?

Që në fëmijëri, pasioni im i pandashëm ka qenë të lexuarit. Librat vazhdojnë të jenë miqtë e mi të pandashëm, po si duket duke patur kaq shumë kontakt me artin e të shkruarit, me gjuhën e bukur larg asaj që unë dëgjoja çdo ditë, duke mos e kuptuar fitova dhe aftësinë për të artikuluar disa shkrime modeste. Në shkollë të mesme ky pasion u rrit akoma më shumë me pjesëmarrjen në konkurse esesh apo në Olimpiadën kombëtare, dhe tashmë sa herë që mundem, hedh diçka në letër. Të shkruarit dhe të lexuarit ecin paralel për mua, njëri më zgjon nostalgjinë për tjetrin gjithmonë.

Po pasioni për fotografinë?Processed with VSCOcam with f2 preset

Mbaj mend që kur kam qenë e vogël nxirrja albumet e fotografive nga qoshja i kishim vendosur dhe i vështroja vazhdimisht. Më pëlqente t’u kthehesha kujtimeve të bukura, fotografive të shkrepura në momentet e duhura ku lumturia shfaqej në çdo kornize. Dhe i njëjti mendim më ndjek edhe tani. Fotografia më pëlqen sepse më jep mundësinë të fshihem prapa objektivit dhe të studioj momentet më interesante. Ka kaq shumë fjalë që mund të shprehen me foton më të thjesht pa u munduar fare të flasësh, vetëm nëse kap çastin e duhur. Prandaj, duke u munduar të fiksoj çdo gjë në memorjen time, kam përfunduar me disa karta memorjesh ndihmuese që mbajnë edhe kujtimin më të vogël.

  • Në muajin dhjetor 2016, në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, organizuar nga Ministria e Kulturës, ju u vlerësuat me një çertifikatë mirënjohjeje për fushatën #AlbFotoBook. Ky konsistonte kjo fushatë dhe konkretisht konkurrimi juaj?

Fushata #AlbFotoBook konsistoi në një sërë aktivitetesh në vitin e kaluar për muajin e librit ku pata mundësinë e mirë të isha pjesë. Që në fillim të këtyre aktiviteteve, në rrjetet sociale u ndërmor nisma #AlbFotoBook dhe “Takohemi Për një Libër” dhe kishte të bënte me fotografinë që përfshin librin, pasionin për të dhe librat e lexuar në atë muaj. Duke patur mundësinë që t’i ndërlidh librin dhe fotografinë me njëra-tjetren, u aktivizova me fotot e mia të librave në bibliotekë, kompozimet e ndryshme që i realizova në mënyrë amatore në të vërtetë, vetëm unë, kamera e celularit dhe librat e mi. Çmimet Kombëtare të Letërsisë shenjuan dhe mbylljen e fushatës AlbFotoBook dhe në ceremoninë e ndarjes së tyre, Ministria e Kulturës më dhuroi një Çertifikatë Mirënjohjeje për aktivizimin të shoqëruar me një tufë librash.

15443050_1861354094077091_3956656878233362830_o (1)

  • Çfarë ju frymëzon më shumë?

Gjith­çka, nëse është në vendin e duhur në momentin e duhur. Më frymëzojnë njerëzit me historitë e tyre, më frymezon familja, më frymëzojnë momentet e magjishme që Zoti më fal me natyrën, më frymëzojnë miqtë, por më frymëzon dhe vetmia, më frymëzon zhurma, por kërkoj edhe qetësinë, me frymëzojnë mbrëmjet e verës dhe ditët e dimrit, më frymëzon libri, më frymëzon bota virtuale, me frymëzon gjithçka, gjithnjë në çastin e duhur.

  • Në optikën tuaj, si e shihni realitetin shqiptar dhe veçanërisht gjendjen e rinisë sot? A jana ata në udhën e duhur?

Duke qenë gjithnjë optimiste, vërtet besoj që rinia është ngritur ndjeshëm. Nuk besoj në të pabërën, por në atë që e shoh që po bëhet, prandaj edhe sado i vështirë të jetë realiteti shqiptar, çdo kush mund të gjejë frymëzim gjithkund. Të rinjtë janë ata që po bëjnë ndryshimin dhe unë e kam nisur ndryshimin nga vetja. Jam gjithnjë e rrethuar nga të rinj frymëzues që e kanë të qartë misionin e tyre dhe përpiqen ta përmbushin, prandaj, po rinia ka ndryshuar dhe ka filluar të besojë që gjithçka mund të arrihet.

  • Në tri pika, si mund të bëhet më e mirë kjo botë sipas Elindës?

Duke besuar fort, duke ëndërruar shumë dhe duke shpresuar se edhe puna më e vogël ka ndikim evident tek Zoti në fillim dhe në shoqëri fill pas Tij.

  • Si është lidhja juaj me familjen dhe konkretisht me motrën?

Lidhja me familjen ka qenë gjithnjë ajo që kam mbrojtur më shumë si bekimin më të madh që kam. Me time motër jemi shumë të afërta, në fund të fundit, ajo ka qenë motra e madhe dhe shembulli që kam ndjekur gjithnjë. Ne kemi shumë pak diferencë me njëra-tjetrën, prandaj mundemi të alternojmë çdo gjë ta realizojmë së bashku. Aty-këtu na njohin si motrat Gjonomadhi, jo si Najada dhe Elinda. Është gjë e bukur në fakt, të kesh motër. Të frymëzon dhe acaron në të njëjtën kohë, megjithatë jeta ka nevojë për diversitet!

  • Po me shoqërinë?

Kam filluar të ndryshoj nga një introverte e lumtur që lexonte vetëm libra, në dikënd që bashkëvepron me njerëzit e tjerë pa patur komplekse. Dhe është gjëja më e bukur, sepse jemi të gjithe kaq të ndryshëm, saqë mund të njohësh njerëz pa fund dhe të mos mërzitesh nga idetë e tyre që ndonjëherë ta koklavisin mendjen.

  • Cili është raporti juaj me librin? Keni ndonjë libër të preferuar?

17092816_10207516681989237_1127623864_o

Libri ka qenë miku im i pandashëm që në fëmijëri. Më pëlqen të zbuloj botëkuptime të reja dhe të largohem për pak nga realiteti të cilin unë shoh. Prandaj, zgjedh të lexoj kudo dhe kurdo që mundem. Aq shumë e lidhur kam qenë me librat e mi, sa deri pak përpara kohësh, me dukej si tradhëti ndaj tyre t’i ndaja me të tjerët, doja t’i kisha vetëm unë. Megjithatë, librat janë ndër gjërat e pakta që zhvlerësohen pa u kuptuar dhe është e trishtë të mos bësh të pamundurën që t’i ndash me të tjerët.

  • Ku e shihni veten pas disa vitesh?

E shoh duke bërë atë që dua dhe duke dashur atë që bëj. E shoh duke përmbushur misionin hyjnor, duke e bërë botën një vend më të mirë.

  • Një mesazh për bashkëmoshatarët tuaj?

Mendoj që një ndër mesazhet që më kanë frymëzuar është që të mos them asnjëherë jo, të mos heq dorë nga ajo që besoj dhe të vazhdoj përpara pavarësisht gjithçkaje. Besimi dhe ëndrrat nuk janë të paarritshme. Të gjithë ne mundemi!

Revista Familja, mars 2017