Një udhëtim në bukuritë e harruara të liqeneve të Lurës

60

Nga Diana Syla

Lura është një nga fshatrat më të vjetër të Shqipërisë, i cili ndodhet në pjesën lindore të malit “Kurora e Lurës”. Aty ndodhen 14 liqene akullnajore dhe natyrore që ofrojnë një ambient të përshtatshëm për të kaluar pushimet dhe një mjedis shumë piktoresk. Nga liqenet me sipërfaqe më të madhe përmendim: Liqeni i Madh, Liqeni i Pishave, Liqeni i Zi, Liqeni i Luleve etj.

Gjatë stinës së dimrit këto ujëra mbulohen nga akulli, malet të ngrenë humorin me freskinë e tyre, të bëjnë më energjik dhe më të frymëzuar, kalimi nëpër gryka, lëndina me aromë bimësh, nëpër liqenet natyrore dhe brigjet e lumenjve, e bëjnë këtë ambient shumë përrallor. Shumë turistë të huaj dhe shqiptarë e vizitojnë këtë perlë të maleve të Shqipërisë. DSC02178vMaja e Kurorës ndodhet 2121m e lartë dhe ofron një sërë pamjesh të bukura, si: malet përtej kufirit Skërteci, Korabi, Sokoli, malet e Hasit etj; më pas mund të shihen malet e Mirditës dhe Shkodrës, madje arrihet të shihet edhe bregdeti i Durrësit.

Fillimisht arrin të shikosh shkëmbin Guri i Neshtes qe ndodhet mbi 1800m lartesi, me pas, nje pas nje vijne liqenet e mrekullueshme te Lures. Keto liqene sipas gojedhenave te shumta kane dhe veti kurative specifike. Liqenet kryesisht rrethohen nga lendinat e gjelbra, nga pisha te larta, nga uji i kristalte dhe i kulluar, nga lulet shumengjyreshe me aromen e tyre te mrekulllueshme etj. Pamjet qe te ofrojne keto liqene jane magjepsese. Ne to ka dhe shume histori qe e tregojne kalaja e Skenderbeut dhe zbulimet arkeologjike.

Parku Kombëtar i Lurës shtrihet në malësinë e Lurës dhe zë një sipërfaqe prej rreth 1300 ha. Territori i parkut është shumë i thyer nga një radhë përrenjsh malorë ku më të njohurit janë Seta, Uraka, Malla e Lurës.

Mbi liqenet e Lurës rritet një bimësi ujore, siç është zambaku i ujit me lulet e bardha të mëdha, të cilat në verë pushtojnë gjithë sipërfaqen e tyre duke u dhënë një bukuri të rrallë. Vlera botanike dhe ekologjike e parkut pyjor te Lurës lidhet si me pasurinë, shumëllojshmërinë dhe vjetërsinë e drurëve, shumë prej të cilave kanë moshë shekullore, ashtu dhe me liqenet akullnajore, që janë nga më të bukurat e vendit tonë.


1024px-OsoFlora dhe fauna e kësaj zone është nga më të rrallat e vendit tonë. Ariu i murrmë është kafsha grabitqare gjitare më e madhe e vendit dhe që gjendet në Lurë. Po ashtu rrëqebulli, kaprolli, sorkadhja. Gjendet edhe gjeli i egër (shpendi më i madh i familjes së fazanëve) por mjaft i rrallë. Jeton në gjithë zonat kodrinore e malore të Evropës, po ashtu dhe në Lurë.

Kush është në të vërtetë Lura?

Mjafton të ngjitesh në Majën e Kurorës, 2121 metra e lartë, ku syri të kap një hapësirë të gjerë, para ke një “det” të tërë me male dhe lugina. Mbi 1800 metra ndodhet Guri i Neshtës, një shkëmb interesant, ndër shekuj prej andej janë shembur miliona metër kub gurë; këtu gjendet dhe Lerasi, ku dëbora është gjithëstinore, një çudi më vete kjo. Poshtë Gurit të Neshtës, vijnë një pas një liqenet e bukur të Lurës, ose “sytë e kaltër” të natyrës. Më i moçmi është Liqeni i Madh, rreth 8 ha, i veshur dikur rreth e rrotull me pisha. Ç’mund të bëjë këtu dorë e njeriut, me motele e hotele, ngrehina alpine për rrotull tij dhe ato që mund të shtrihen me panela mbi ujët e kthjellët; rreth e qark me burime të bollshme uji të pijshëm.
Ka legjenda të thurura kushedi se në ç’kohë ky liqen. Legjenda kanë në vetvete dhe liqenjtë e tjerë. Nuk mund të ngelnin këto bukuri akullnajore pa legjenda e gojëdhëna të atribuuara. Në veri vjen Liqeni i Rrasave, e pak më tutje ai i Lopëve, me një pamje shumë të bukur të rrethuar me livadhe e pyje. Mesi i tij është shumë i thellë, mendohet që këtu sipas gojëdhënave të përcjella, të jetë mbytur një lopë me 12 qe, ndaj mori këtë emër.

Lura

Matanë liqenit është Blaçi, një lëndinë shumë e bukur me ujëra të ftohta, ndërsa uji i Krojit të Bardhë është shumë kurativ për gurët në veshka. Në jug të Liqenit të Madh, vjen Liqeni i Bruçit, me një pamje përrallore nga sipër, ku shquan uji i kristaltë, rrethuar me pisha dhe ahe të lartë. Po nga jugu vijnë liqeni i Hotit, ata të Kallabës dhe pak më tej, Liqeni i Zi, me ngjyrë tepër të kaltër dhe i rrethuar me pisha të dendura e lëndina, ku buron dhe ujë i ftohtë. Ngrihesh pak më sipër dhe para ke një ndër “mrekullitë e botës”, një margaritar i vërtetë. Liqeni i Luleve, në mes të një lëndine të butë, mbushur me bar të jeshiltë dhe hijeshuar me lule të shumta shumëngjyrëshe. Liqeni, sidomos në pranverë është i mbushur tej e tej me një lloj zambaku, një pamje mahnitëse. Pylli rreth e rreth ka qenë tepër i bukur, nuk mund të gjeje vend të dytë si këtu. Tërë ky brezar liqenesh dhe pyllnajash ka qenë i jashtëzakonshëm, me pamje magjepsëse. Dhe kështu, ulesh deri poshtë në qendër Lurë. Pak më në jug të liqenit të Luleve vjen Fusha e Pelave, rreth 7 kilometra, lëndinë e mrekullueshme. Prej kohësh duhet të jetë banuar ky vend, ose së paku të ketë patur fushime, madje gojëdhëna thotë se ky vend ka qenë vendqëndrimi dhe përgatitjeje ushtarake për kalorës dhe kuaj, ndaj dhe i mbeti ky emër.Lura_Liqeni_i_Lulëve

Rruga për në Lurë

Rrugëtimi nga Tirana përgjatë rrugës së Kombit për në Rrëshen, deri tek vendi i quajtur Livadhi i Turkut ka një infrastrukturë shumë të mirë. Por pjesa tjetër e rrugës është ende në gjendjen e viteve para ’90. Nga vendi i quajtur Livadhi i Turkut, pjesë e komunës Perlat, ngjitesh në Krej Lurë dhe mbërrin në qendër të Lurës. Distanca është vetëm 67 kilometra të cilat kanë nevojë për ndërhyrje emergjente. Institucionet e shtetit shqiptarë të gjitha pa përjashtim, qendrore, lokale duhet të reagojnë përballë kësaj situate.
Në pamundësi të fondeve ndoshta për ta ndërtuar rrugën me zgjerim, asfaltim dhe sinjalistikë me standardet e pjesës deri në Livadh të Turkut, siç e quajnë vendasit, pjesën ku shkëputesh për të hyrë ne segmentin e paasfaltuar, të paktën për këtë pjesë ka nevojë për ndërhyrje sa më parë për t’u asfaltuar. Kjo do të bënte të mundur që në Lurë nga kryeqyteti të mbërrihet në këtë perlë të turizmit shqiptar për pak më shumë së dy orë. Në kushtet aktuale pjesa prej 67 kilometrash nuk kalohet lehtë nga çdo makinë. Një situatë e tillë ka vështirësuar shkuarjen e një numri të  konsiderueshëm turistësh, por dhe të banorëve të Lurës të cilët lëvizin drejt Rrëshenit dhe Tiranës apo dhe zonave të tjera të vendit. Them vështirësuar, pasi turistët vendas dhe të huaj e kanë sfiduar këtë terren rruge të vështirë dhe çdo vit Lura ka turistë informal.

Blueeye2Vizitoni Parkun Kombëtar të Lurës!

Të gjithë kanë dëgjuar për bukuritë e Lurës, por jo të gjithë i kanë shijuar ato. Kjo trevë e turizmit shqiptar është një perlë e natyrës sonë. Zoti i ka falur Lurës bukurinë dhe njerëz të mrekullueshëm.

Vendasit thonë, e në fakt ashtu është që pas muajit maj aty është shumë mirë të pushosh. Në këtë muaj nis dhe ardhja e turistëve në mënyrë informale, por që nuk mungojnë asnjë vit. Bukur është dhe në dimër, kur bora vesh të gjithë zonë, por ama e izolon atë! Janë dëmtuar shumë vlera natyrore dhe kulturore, por ajo që quhet “Lurë” ka mbetur dhe ia vlen të vizitohet.

Investime nga privati largpamës, duken aty-këtu si dallëndyshet që lajmërojnë një stinë tjetër, më të ngrohtë e më të begatë, për t’i rikthyer kësaj natyre vlerat e humbura.

Lura është quajtur si perla e maleve shqiptare. Historianë të huaj, kalimtarë e udhëpërshkrues, i ka lënë pa mend kjo bukuri e rrallë. Austriaku Stinmestz shkruan se “pamja nën shkëmbin e Kunorës është kaq e këndshme, sa s’ka shoqe në tërë Shqipërinë”, ndërsa një mjeshtër projektesh sportive, që kishte ardhur të shihte këndej, thotë se “për dy ditë isha në Zvicrën e Shqipërisë, aty ku Zoti ka falur shumë, ndërsa njeriu ka punuar pak”. Ndërsa aty nga viti 1908, Edit`h Durham do të shënonte në ditarin e saj se, “kur dola në Qafë Lurë, pashë një fushë kaq të bukur, që nuk e kisha parë në asnjë vend të Ballkanit”.

 Rev. Familja, shkurt 2015