Një udhëtim në Malajzinë e Largët

73

Nga Brunilda Basha

Asnjëherë nuk e dimë çfarë surpizash na sjell jeta herë pas here.  E rëndësishme është që të kemi guximin për të provuar eksperienca të reja, dhe të marrim më të mirën prej tyre.

Ftesa për të studiuar në Malajzi për mua ka qenë e papritur. Të shpërngulesha në një vend për të cilin dija shumë pak nuk ishte e zakonshme.  Madje shpesh më duhej të merrja globin e vogël që t’ua demostroja të afërmve se sa larg më duhej të udhëtoja.  Ajo ç’ka dija asokohe ishte vetëm se është një Shtet në Juglindje te Azisë dhe se është vend Musliman.M`u desh të bëja kërkime rreth kulturës, gjuhës e shumë aspekteve të tjera që gjendeshin në internet, por, sigurisht ishin shumë info bruto përballe realitetit dhe faktit ta shkelje atë vend fizikisht.

Malajzia shtrihet në gadishullin e Malajzisë dhe një pjesë në ishullin e Borneos. Rrethohet nga shtete të tjera si Singapori, Tajlanda, Brunei, Indonezia, dhe Vietnami.

Kuala Lumpur është kryqyteti i tij ndërsa Putra Jaya është selia e qeverisë federale. Numri i popullsisë arrin deri në 30 milion e gjysmë, duke e renditur Malajzinë në shtetin e 43-të më të populluar në botë. Gjuha zyrtare është Bahasa Malayu (gjuha malajzjane) si dhe gjuhë dytësore është ajo angleze. Malajzia është një monarki kushtetuese federale zgjedhore. Kreu i shtetit është Yang di-Pertuan Agong, i cili është dhe mbreti i Malajzisë.

Të njohësh Malajzinë në tërësinë e saj, do të thotë të jetosh çdo ditë dhe ta duash atë që përjeton. Do të thotë të jetosh çdo ditë në një vend më një mix rracash dhe fe të ndryshme, në një vend ku jetojnë harmonishëm dhe në paqe malajzjanët, kinezët, indianët, dhe të gjithë nënshtetasit e tjerë të cilët gjenden atje për biznes, turizëm studime apo interese të tjera. Është mjaft interesant fakti se Malajzia me multidiversitetin kulturor etnik dhe fetar, është shndërruar në një festival shumëngjyrësh. Ndoshta kjo është arsyeja pse malajzjanët janë shumë të qetë, të ngrohtë dhe miqësorë si natyrë.

Momenti i parë i përballjes me atmosferën malajzjane ka qënë  në aeroport.

Selamat Datang, ishte fjala e parë që dëgjuam e cila do të thotë: Mirë se erdhët! E kujtoj shumë turbullt atë kohë, por di që kemi qenë sa të emocionuar aq dhe të hutuar nga vetë ambjenti shumë ndryshe dhe i ri. Fytyra të reja, ezmere, që të buzëqeshnin edhe pse nuk na njihnin, femra muslimane me shami, gjë e cila është shumë e rrallë në Tiranë. Sapo dolëm nga aeroporti u përballëm me klimën tropikale e të nxëhtë të Kuala Lumpurit. Duke qenë se u nisëm në nëntor (ishim të veshur me pallto dhe xhupa), patëm një vapë dhe një marrje fryme të tmerrshme. Përgjatë gjithë rrugës, nga aeroporti deri tek Universiteti Islamik i Malajzisë, shikoja tërë kërshëri nga dritarja rrugët e gjëra, pemët e palmave që shtriheshin përgjatë gjithë rrugës, fusha plot jeshillëk, tek tuk ndonjë ndërtesë, deri sa arritëm afër qendrës së qytetit ku binte në sy dukshëm lartësia  e ndërtesave dhe qiellgërvishtëset e Kuala Lumpurit.

Më poshtë është një përmbledhje shumë e shkurtër rreth disa veçorive dalluese të këtij shteti.

Në këtë vend nuk do të ndihesh kurrë e  huaj sepse gati i gjithë populli di të flasë anglisht. Në zonat përreth kryeqytetit mund të lëvizim me autobus, tramvajë, taksi, transporti kryesor në vend, ndërsa për të mbërritur në qytetet e tjera të afërta duhet të marrim autobuz, ose tren Sigurisht dhe makinë nëse na e lejon buxheti. Qytetet si Saraëak, Penang, Tërënganu, përveç transportit urban, ofrojnë dhe atë ajror.

Ndoshta mënyra më e lehtë për të filluar të kuptosh ndërveprimin tejet kompleks kulturor të Malajzisë, është të shikojmë në mënyrën e festimit të festave religjioze. Edhe pse traditat e ndryshme kulturore ndryshojne dukshëm nga njëri-tjetri, në Malajzi, të gjitha komunitetet hapin dyert e tyre për anëtarë të kulturave të tjera gjatë një festimi fetar. Një përfshirje e tillë, më shumë se për të thyer barrierat kulturore, është dhe një mënyrë për të nxitur mirëkuptimin. Madje një nga zakonet të cilën malajzianët e kanë adaptuar nga kinëzet janë dhuratat që u bëjnë fëmijëvë për Bajram. Ditën e bajramit, teksa vizitojnë njëri-tjetrin do u dhurojnë zarfe me disa para simbolike  me dizenjo të motiveve tradicionale femijëvë të vegjël.

Jom Makan!-Le të hamë diçka! është shprehja e preferuar e çdokujt në kohën e drekës apo nëse ka “kanduri”(festë). Diversiteti i kulturave është një privilegj edhe kur bëhet fjalë për ushqimin, pasi shumëllojshmëria varion nga ushqimet tradicionale malajziane, në atë kineze, indiane,të cilat janë dhe 3 kuzhinat dominuese por ashtu dhe ajo euroaziatike. Orizi dhe nudëlls është ushqimi i zakonshëm për çdo kuzhinë. Ushqimet pikante janë shumë të preferuara nga vendsasit kryesisht, por me kalimin e kohës çdokush do të dëshironte të hante në mëngjes “nasi Lemak” . Dhe nëqoftëse duam të shijojnë ushqim tradicional që gatuhet për festa, kthimi në fshatrat tek shtëpia e gjyses ështe zgjedhja ideale. Frutat kryesore janë ato tropikale, si mango, ananas, rambutan, bananja, dhe mbreti i frutave quhet Durian, një frut me aromë të fortë dhe shije pak të thartë. Ky është fruti i vetëm i cili më bën të ndihem jo malajziane, pasi është shumë i fortë për shijet tona.

 Teksa udhëton nëpër qytete të ndryshme ndihesh sikur po udhëton nëpër  shtete të ndryshme, dhe jo në një vend të vetëm. Kjo falë arkitekturës dominuese të atij qyteti. Një qytet si Penang-u , për shembull, shpesh mund të japë përshtypjen e të qënit në Kinë sesa në Malajzi. Nëse duam të ndjejmë atmosferën franceze, lehtësisht mund të vizitojmë “French Village”, ose arkitekturën Gjermane, mund të shkojmë në Melaka. Stili gjerman dhe ai britanik gjendet si pasojë e procesit kolonizues të Malajzisë.         Tempull Kinez në Penang    French village në Bukit Tingi           Hotel në Melaka Stili tradicional kryesisht gjendet në fshatra, të cilat sot e kësaj dite e kanë mbajtur traditën e ndërtimit të shtëpive me lëndën  e drurit dhe të ngritura nga niveli i tokës. Ndërsa në qytetet si Kuala Lumpuri  mbizotërojnë zhvillimet moderne me ikonën e qytetit, Kullat Binjake të cilat deri para pak vitesh shënonin edhe më të lartat në Botë.

Feja dhe praktikimi i saj është një nga vlerat më të mëdha që Malajzia ka. Ndonëse egzistojnë 4 fe kryesore, Islami, Budizmi, Hinduizmi,dhe Krishtërimi, çdo fe ka kultin e saj, dhe të gjithë respektojnë hapësirën e gjithësecilit. Xhamitë, kishat dhe tempujt budist e hindu janë kudo nëpër qytete. Është e habitshme se Malajzia ndonëse një vend me shumicë Muslimane, ka në kryeqytetin e tij tempullin me të madh Hindu i cili vizitohet nga mijëra besimtarë nga e gjithë bota.

Sa i përket islamit dhe muslimanët, ata përbëjnë pjesën dërmuese të vendit dhe u jepet prioritet në çdo drejtim. Për këtë arsye në Malajzi përveç ligjit civil, egziston dhe ligji i Sheriatit i cili aplikohet për disa aspekte të caktuara të së drejtës familjare kryesisht, dhe për komunitetin Musliman. Në çdo cep të Malajzisë, mund të ulesh të hash pa u shqetësuar në lidhje me ushqimin “hallall”, sepse çdo asortiment që shitet, apo çdo restorant ka stampën e fjalës “hallall”. Nëse nuk ka stampën atëherë nuk duhet të hash atje. Dyqanet të cilat servirin mish derri apo pije alkolike janë të veçuara dhe po ashtu kanë pankartë të dallueshme për të treguar se ai dyqan nuk është për muslimanët. Çdo ndërtesë, qoftë dhe një klinikë e vogël, ka të paktën 1 dhomë falje, ndërsa komplekset komerciale, apo ndërtesat industiale, zyrat, spitalet, etj, kanë 2 dhoma falje të ndara (meshkuj dhe femra). Përveç xhamive që përshkrojnë qytetin, egzistojnë dhe “surau” dhoma falje në shkallë më të vogël se xhamtë të cilat ndodhen në çdo lagjie, sidomos për moshën e vjetër dhe për namazet ditore.

Përvëç sa më sipër, s’mund të lëmë pa përmendur dhe veshjet karakteristike të tyre sidomos gjatë Bajramit apo martesave. E gjithë familja do zgjedhë një ngyrë të preferuar dhe do i porosisin për të gjithë familjen, “baju malayu” për meshkujt dhe “baju kurung” për femrat.  Apo punimet artizanale, sidomos ajo e drurit apo e baltës.

Ka shumë për të treguar apo shkruar rreth Malajzisë por ajo që mund të thuhet në fund është se Malajzia është një vend me kontraste dhe ekstreme të cilat veçse i shtojnë aspektet e diversitetit. Jo më i ndryshëm, se sa si një film i cili ndryshon fotografinë çdo sekond. Vend i shtëpive të drunjta,  aq sa dhe vend i rrokaqiejve; vend i hoteleve me 5 yjeve, aq sa dhe vend që mbledh rreth sofrës për të ngrënë “nasi lemak” me duar dhe të ulur në shesh; vendi i njerëzve të buzëqeshur e të ndrojtur, aq sa edhe të zotë në ndërtimin e vendit. Natyrë e mrekullueshme, që varion nga male të thepisura që duan të arrijnë qiellin, aq edhe fusha të gjera e plazhet ekzotike me një det me ngjyrë të kaltër-gjelbërt e me shkëmbinj nënujorë të mahnitshëm. Shkurt, të vizitosh apo jetosh në Malajzi është një experiencë sa emocionuese aq edhe e shumë-dimensionalisht e paharueshme.

Shtator-Tetor 2015