Njësia ime matëse për suksesin? Lumturia

15

Përktheu: MSc. Ardela Hyka

John Lennon tha: “Kur isha 5 vjeç, nëna ime gjithmonë më thoshte se lumturia ishte çelësi i jetës. Kur shkova në shkollë, ata më pyetën se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha. Shkrova: ‘i lumtur’. Më thanë se unë nuk e kuptoja detyrën, kurse unë ia ktheva se ata në fakt nuk e kuptonin jetën.” E konsideroj këtë ndjenjë tepër të fuqishme dhe të vërtetë.

Shumë njerëz e masin suksesin e tyre me shumën e parave që fitojnë ose me njerëzit me të cilët shoqërohen. Sipas mendimit tim, suksesi i vërtetë duhet të matet nga sa ju jeni të lumtur.

Mund t’ju duket e çuditshme të mësoni se disa nga kohët më të vështira të jetës sime korrespondojnë me momentet kur kam bërë shumë para. Unë kurrë nuk do ta harroj trishtimin që ndjeva kur shitëm Virgin Records. Unë vrapova poshtë në Ladbroke Grove në Londër me lot që më rridhnin në fytyrë. Ne duhej të shisnim – ashtu si kishim nënshkruar me Janet Jackson dhe Rolling Stones – në mënyrë që të mund të mbanim në këmbë Virgin Atlantic. Në atë moment, pavarësisht se kisha një çek prej 1 miliard dollarë në xhep, u ndjeva shumë i trishtuar. Kur ndërtoni diçka nga e para dhe keni kaluar një kohë të mrekullueshme duke mësuar, u rritur profesionalisht dhe qeshur me njerëzit që ju kanë ndihmuar ta ktheni atë biznes në diçka të jashtëzakonshme, asnjë shumë parash nuk mund t’ju bëjë të ndiheni të lumtur për shitjen. Sidoqoftë, këto para mund të përdoren për të financuar projekte të reja interesante dhe për të rritur markën tuaj më tej – diçka për të cilën kam shkruar si rrjedhojë e marrëveshjes së Virgin America me Alaska Airlines.

Është një keqkuptim i zakonshëm që paratë janë metrika (njësia matëse) e çdo sipërmarrësi për suksesin. Nuk është, dhe as nuk duhet të jetë. Unë kurrë nuk kam hyrë në biznes për të fituar para. Çdo produkt dhe shërbim nga kompania Virgin është bërë realitet për të bërë një ndryshim pozitiv në jetën e njerëzve. Dhe duke u përqëndruar në lumturinë e klientëve tanë, ne kemi qenë në gjendje të ndërtojmë një grup të suksesshëm të kompanive. Një e vërtetë e thjeshtë është, nëse bëni mirë dhe argëtoheni, paratë do të vijnë.

Po kështu, nuk jam ndjerë kurrë i suksesshëm për shkak të takimeve të mia me fytyra dhe emra të famshëm. Ndërsa jam tepër mirënjohës që takoj njerëz magjepsës dhe krijues të ndryshimeve (change makers), nuk ka askund që të ndjehem më i kënaqur ose i veçantë se atëherë kur jam me familjen time. Familja ime është arritja ime më e madhe. Kur ata janë të lumtur, unë jam i lumtur, dhe kjo më bën të ndihem kaq i suksesshëm.

Unë e di që jam me fat që bëj një jetë të jashtëzakonshme – Unë kam qenë kalorës, kam takuar njerëzit më të jashtëzakonshëm dhe kam marrë pjesë në ngjarjet më të mahnitshme – por kurrë nuk ka qenë një pikë në karrierën time në të cilën unë jam ndjerë se “ia dola.” Unë kurrë nuk e kam menduar punën si punë dhe lojën si lojë – për mua, gjithçka është të jetosh dhe të mësosh. Mënyra sesi unë e shoh është se jeta ka të bëjë me përpjekjen dhe rritjen. Unë kurrë nuk dua të kem arritur, dua të vazhdoj të bëj!

Një nga gjërat që më bën më të lumtur është të jem në gjendje të jap, prandaj edhe filluam fondacionin tonë jo-fitimprurës, Virgin Unite, për të mbështetur gjeneratën e ardhshme të sipërmarrësve dhe për të krijuar një ndryshim vërtet të qëndrueshëm në botë. Kjo është edhe arsyeja pse gruaja ime Joan dhe unë u bashkuam me “Premtimin për të Dhuruar” (Giving Pledge) të Bill Gates dhe Warren Buffet, për t’i kushtuar shumicën e pasurisë sonë kauzave të mira.

Lumturia nuk është vetëm mënyra se si unë e mas suksesin tim; është gjithashtu çelësi i saj. Shumica e njerëzve do të supozonin se suksesi im në biznes, dhe pasuria që vjen me të, më kanë sjellë lumturi. Por unë e di që jam i suksesshëm, i pasur dhe me njohje sepse jam i lumtur. Unë besoj me gjithë zemër se lumturia duhet të jetë qëllimi i të gjithëve.

Jeta është shumë e shkurtër për të humbur kohën tuaj duke bërë gjëra që nuk ju motivojnë dhe shtyjnë përpara. Nëse nuk ju pëlqen ajo që po bëni, ose nuk po argëtoheni shumë – pavarësisht nga fakti që po bëni shumë para ose po fërkoni supet me të pasurit dhe të famshmit – atëherë është koha të kaloni te diçka që ju bën të lumtur.

Revista “Familja”, tetor 2022 – Autor: Richard Branson