Oda Shkodrane

70

Në qytetin e lashtë dhe me tradita të Shkodrës gjendet ndër të tjera  inventari  kulturor me pasuri të një historie mijëvjeçare, të cilat janë të vendosura në pavione arkeologjike, etnografike e arkivore. Duhet theksuar se ato që na e tërheqin më shumë vëmendjen janë vlerat etnografike. Siç dihet, në mesin e shekullit të XIX-të në qytetin e Shkodrës filluan të ndërtohen shtëpitë karakteristike shkodrane, të cilat ishin banesa me çardak në disa variante. Ato janë të thjeshta dhe dykatëshe, por të veçanta nga stili i tyre. Me interes të veçantë trajtohet oda e miqve, e ashtuquajtur  “Oda Shkodrane”, e cila është e punuar me mjeshtëri të veçantë.

Nëse vërejmë me kujdes mënyrën e orendimit të shtëpisë, dhoma prezanton elemente të shumtë të historisë shkodrane, ku mund të përmendim: oxhakun, tavanet dekorative, tavolina e rrumbullakët gati përdhese (sofra), si dhe një begati të pasur motivesh paraqesin edhe orienditë e drurit me gdhendie apo edhe raftet plot elementë dekorativ të ruajtura dhe të  mirëmbajtura me kujdes.  Të gjitha këto, të mbushura me element tradicional si dhe mjete dhe pajisje shtëpiake. Gjithashtu aty gjen enë të përdorimit të përditshëm si, kupa, pjata, tepsi, enë uji prej qeramike, porcelan, metale, tangarë zjarri, vegla pune të mjeshtrive të ndryshme të kovaçit, argjendarit, lëkurpunuesit, bakërpunuesit, drugdhendësit, armëpunuesit etj. Ajo që të kënaq syrin më shumë është kombinimi i ngjyrave të theksuara të qylymit dhe mbulesës së tryezës me perdet e zbukuruara me dantella e ojna.

image001Shqiptarët, gjithmonë janë shquar si luftëtarë të zotë dhe karakteristikën e tyre të trimërisë e gjejmë të shprehur me mbjatjen e pushkëve dhe çifteve të vjetra shumë vjeçare. Krahas çifteve në murin e dhomës, karakteristikë është edhe vendosja e vegla muzikore tradicionale si: lahuta, çifteteli, fyelli, zumare dhe saze.

Vlen të përmendet se vend të rëndësishëm zënë edhe veglat e punës për gra si: tezgjahu, gjergjefi i madh, gjergjefi i dorës etj.

Këto janë dëshmi e gjallë e qytetit të Shkodrës për të njohur traditën etnografike të kulturës shqiptare, përmes së cilës ato zbulojnë mënyrën e jetesës apo origjinën e lashtë historike të vendit tonë.

Korrik-gusht, 2014