PAQË, MIRËSI…!

83

Kjo dëshirë, lutje dhe këshillë e hyjnueshme; ky urim dëgjohet e jehonë në çdo familje, shoqëri myslimane, xhami, qendra dhe institucione islamike, drejtuar njerëzve të mirë. Këtë dëshirë e këshillë u përcjelle dhe revista jonë “Familja”, ju, të dashur lexues në këtë numër të radhës!

Kurani i Madhërishëm na kujton se i madhi Zot…”për ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Ai do t’ua plotësojë shpërblimin dhe t’ua shtojë atë nga mirësitë e Tij”.

Priremi për të nxjerrë në pah këtë lutje, urim e dëshirë, pasi shoqëria jonë është shumë e trazuar dhe e shqetësuar nga agresiviteti i krimit social në familje, në rrugë deri edhe në shkolla. Ne nuk do të merremi me krimin në tërësi apo ekonomik e politika në veçanti, por  i mbajmë parasysh ato dukuri kriminale, që policia dhe organet e drejtësisë i karakterizojnë si krime “për motive të dobëta”.  Dhe si të tilla mund të parandalohen.Përsëri dhe përsëri gazetat dhe ekranet e stacioneve televizive njoftojnë për zënka në familje, që shkojnë deri në ushtrimin e dhunës, jo njëherë edhe me humbje jete; shkruajnë të përditshmet për grindje midis adoleshentëve në shkolla, duke përdorur edhe thikat;  u lihet shumë hapësirë informative  vjedhjeve me dhunë, aksidenteve automobilistike, gjakmarrjeve, etj.

Mediat tona, me “naivitet”, me vetëdije apo edhe me tendenciozitet të theksuar biznesi, i përshkruajnë ndodhjet me imtësi, jo rrallë duke i përsëritur në numrat pasardhës të të përkohshmeve. Kështu u shkrua: për një grua, e cila, pasi grindet me burrin e qëllon me pistoletë;  për dy hajdutë që grabiten pensionet të moshuarve duke i mashtruar me pije e drogë; për një 16- vjeçar, që i jep “fund mosmarrëveshjes me shokun” duke e goditur me biçak…”!

Ja pse është aktuale, e ditës thirrja për paqë, mirësi e përparim. Ja pse shtrohet si domosdoshmëri që këto ndodhitë bëhen objekt diskutimi në familje, në fqinjësi, ashtu si edhe në institucionet e kultit, në shoqëri. Se kush,brenda ose jashtë familjes, mund të ushtrojë ndikim në parandalimin e ngjarjeve të tilla.

538297_488299547851975_752730980_nKrimet e kësaj natyre burojnë edhe nga një keqkuptim, nga një thashetheme, nga një qefmbetje, indinjatë, xhelozi, krenari “burrërore” apo adoleshente, nga ndjenja e pronës, nga kulti i gjakmarrjes, vetë gjyqësia, etj . A mund të motivohet një sjellje e pahijshme e djalit ndaj prindërve, ashtu si edhe grindjet dhe ushtrimi i dhunës ndaj grave?! Jo rrallë përdoret si justifikim gjendja ekonomike, por po t’i thirret arsyes në familje, midis etërve dhe bijve si dhe midis bashkëshortëve, nuk do të kishim kaq shumë ngjarje të pa dëshiruara. Pse ? Në ditët e fundit të shtatorit në hyrje të qytetit të Shkodrës ndodhi një aksident i rëndë automobilistik nga kryençësia e drejtuesit adoleshent për të mos iu ndarë garës së rrezikshme. Me të drejtë u shtrua pyetja, a mendojnë prindët përpara se u plotësojnë tekat fëmijëve të tyre ende te parritur, duke u blerë makina ? Ndodh pastaj si rasti i një djaloshi në Tiranë, që, për një gërvishje të makinës, i mori jeten një të riu. Po rastet e prindëve tradicionalë që ua ushqejnë bijve “burrërinë” e gjakmarrjes apo trimërinë e vetëgjyqësisë? Ne si problematikë sjellim këshillën e gazetarit shqiptaro-amerikan Peter Lucas që, në bashkëbisedimin në emisionin “Shqip”, këshillon: “Harroji gjërat e këqia, leri pas dhe mundohu të kapesh tek gjërat e mira”.

1239861_198276997017979_1330997938_nFjala është për një komunikim të shtruar e paqësor në familje, ku hallet e dertet janë të përbashkëta si për prindët, ashtu edhe për djalin, vajzen e sidomos për çiftet e rinj. Fjala është për një bashkëbisedim të lire, të hapur, logjik e dashamirës në shoqëri, pa inate e gjuhë urrejtjeje. Kjo është mirësi që do të shpërblehet në jeten e përditshme dhe në amshim për të gjithë ata që do të zbatojnë mësimet dhe porositë e Kuranit të Madhnueshëm:  “Le të dale prej jush një grup që të thërrasë për mirësi, të urdhërojë për veprat mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! ”.

Kjo frymë, ky vokacion idealist, qytetar e kombëtar do të rrezatojë në tërë jetën e veprimtarinë, në zhvillimin e përparimin tonë, shoqëror, ekonomik, kulturor.

Nentor-Dhjetor 2013