Paradokset dhe çmenduritë, garantuese të fuqishme të famës në shoqëri!!

74

Nga Driton Arifi
Njëra prej simptomave që sinjalizon për ulje të vetëdijes qytetare dhe degradim të saj, është edhe përpjekja që të paraqiten gjërat e çmendura e jonormale si vlera të çmueshme në shoqëri, apo si diçka që duhet vlerësuar e pëlqyer edhe nga masat e gjera të shoqërisë. Është tejet absurde për një shoqëri, anëtarët e së cilës pretendojnë se kanë vetëdije të lartë dhe të bëhen prej mendjendriturëve, që nga mesi i tyre të arrijnë të bëhen të famshëm vetëm ata që kanë “aftësi” të bëjnë gjëra paradoksale, apo edhe të çmendura dhe që dinë e mundohen të dalin kundër frymës etike e tradicionale të popullit e vendit. Thënë hapur, të famshëm bëhen më shpejt, vetëm ata që kanë kapacitete për të thyer kodin etik, fetar, e qytetar të popullit tonë.
S’duhet të vrojtosh gjatë për të kuptuar se rruga e famës nuk kalon më pranë shkencës, dijes dhe avancimit intelektual. Ajo ka linjë tjetër, e domosdoshmërisht e tillë linjë na shpie në një destinacion tjetër. Kjo është e faktuar, sepse shoqëria jonë (një pjesë e madhe e saj e jo të gjithë natyrisht) ka shumë mundësi që të mos njohë se cili shqiptar ka arritur ndonjë titull të lartë akademik në nivel ndërkombëtar, ose cili prej tyre ligjëron në disa universitete të lindjes ose perëndimit. Ka mundësi madje, që të mos dihet se cili ka bërë ndonjë zbulim shkencor, apo që ka fituar ndonjë çmim prestigjioz në nivel rajonal a ndërkombëtar. Të lartpërmendurit janë të “gjorë”, sepse e kanë lodhur veten duke qenë në shërbim të shoqërisë dhe avancimit të saj, por fatkeqësisht jetojnë në një kohë që fokusi i kamerave nuk është tek ata. Faji i tyre i vetëm është se nuk kanë bërë ndonjë absurditet social, apo ndonjë çmenduri interesante, me të cilën do të merreshin mediat dhe vetëm si të tillë do të bëheshin emra të njohur e fytyrat e tyre, më pas, do të bëheshin publike. Emrat e tyre të “vegjël” kanë mbetur nën hijen e emrave “të mëdhenj”, kanë mbetur në terr tendencioz informativ dhe nuk i kapin kurrsesi fokuset e kamerave tona.
Shikueshmëria më e madhe sot, qoftë në kanalet televizive, qoftë në faqet e ndryshme të internetit, nuk është më për programet ose faqet që promovojnë vlera, arsimore, etike, morale apo shkencore. Të tillat mund edhe mos shikohen fare, e ndoshta, pas një kohe edhe të mbyllen në tërësi për shkak se ishin “no sense” shoqërinë tonë. Ato s’përbëjnë lajmin tek ne.
Rubrikat e portaleve që gjejnë hapësirë më të gjerë, e rrjedhimisht që lexohen më së shumti, janë ato që kujdesen të na i nxjerrin në dritë sekuencat dhe detajet e jetës “famoze”, e jo rrallë herë edhe të çmendur të njerëzve të muzikës, artit, skenografisë e në rastin më të mirë të atyre të sportit. Këto kategori vlerësohen lart dhe priten mjaft mirë, edhe kur deklarohen se janë të varur nga narkotikët e ndryshëm, apo nga doza të rënda të alkoolit, e disa pse janë të gatshëm që të bëjnë ç’farëdo gjesti amoral në vende publike, apo pse nuk e kanë problem që të promovohet komuniteti që ka prirje intimiteti ndaj të njëjtës gjini e kështu me radhë.
Këta të fundit, munden që dy fjali të sakta të mos kenë mundësi t’i thurin në gjuhën amëtare shqipe, sepse mbërthehen që të bëjnë formulime fare pa shije me ndonjë fjalë të gjuhëve të huaja që e paskan mësuar, meqë e kanë nuhatur fare mirë, se të tilla fjali sot marrin notë më të lartë se sa punimet e thella shkencore të bëra nga cilido akademik i yni.
Por, rrini të qetë, sepse në konceptin hyjnor islam, kriteret e vlerësimit nuk qëndrojnë kështu. Një nga shumë citatet kuranore e vë në pah dallimin në formë të prerë në mes të kategorive të njerëzve, dallim që ndërtohet mbi vlera, e jo mbi privilegje të paqena apo diskriminuese ndaj ndonjërit. Krijuesi ynë na thotë: “… Thuaj: “Po si mund të jenë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim” (Ez-Zumer, 9).
Zoti i konsideron të dijshëm vetëm ata që janë të palodhur në kërkimin e dijes e shkencës dhe që janë të thelluar në të, sepse ata janë më të denjë që ta njohin e ta besojnë Atë në formën e kërkuar dhe po këta kanë më shumë mundësi të avancojnë proceset e vendit tonë.
Fatmirësisht e dimë se kriteret dhe standartet e vlerave në pikëpamjen njerëzore edhe mund të ndryshojnë, por në peshoren hyjnore, ato mbesin statike e të palëkundura.
Një shekull i ri ka edhe kërkesa të reja dhe ato kërkesa jemi në gjendje t’i konceptojmë mirëfilli, por diskutimi bëhet vetëm në atë se ato kërkesat a janë duke u iniciuar nga shtresa intelektuale dhe e ngritur e shoqërisë, apo nga dikush që ndryshimet ka dëshirë t’i përvijojë sipas shijes dhe pasioneve të veta?! Çuditërisht vërehet se këta të fundit, këtë kërkesë kanë arritur t’ua imponojnë edhe disa ideologëve të ndryshëm nga vendi ynë dhe deklarohet me ngulm se shoqëria jonë në një shekull të ri, nuk mund të jetojë duke iu qëndruar besnike traditave të vjetra. Ecja para sipas tyre duhet të bëhet gjithsesi mbi gërmadhat e kulturës dhe traditës sonë.
Në fakt, edhe ne jemi pro rishikimit të disa tradita të vjetra, e pse jo të zëvendësohen me disa më të mira e më fisnike, se as ne s’e posedonim të mirën absolute. Por, jo t’i shkulim me rrënjë edhe ato për të cilat na ka pasur gjithmonë lakmi bota. E jo të zëvendësohen me antivlera e çmenduri, edhe pse këto të fundit përkohësisht mund t’i sillnin famën disa anëtarëve të shoqërisë sonë.
Këta anëtarë i vërejmë se janë të palodhur në gërvishjen e thellë në strukturën e moralit dhe në etikën tradicionale dhe paradoksalisht, që të gjitha këto gjeste bëhen në emër të thyerjes së tabuve shoqërore dhe të prishjes së “kodit dogmatik” i cili qenka “imponuar” nga feja e tradita. E, nga shpeshtësia dhe promovimi i përsëritur që iu bëhet veprimeve dhe gjesteve të tilla, në fakt, kanë filluar të lëkunden motivet edhe pikëpamjet e “alpinistëve” që kanë marrë rrugën e kanë vendosur të ngjiten majava të larta të shkencës e dijes.
Aspirata për ngritje intelektuale, kreativiteti në arte të mirëfillta, konkurrenca në një treg të pastër, motivi për inovacione teknologjike e shkencore tashmë nuk janë trend dhe simbol avancimi shoqëror, e ndoshta, as nuk zgjojnë kureshtjen e shumë njerëzve përreth nesh.
Duket se në shoqëri po ndodhin revolucione, por jo me karakter politik e ushtarak, që përmbysin sistemet dhe gjithçka tjetër brenda natës, mirëpo të tilla revolucione ideologjike e kulturore, që ndodhin me ngadalësi, e të cilat gërryejnë pandalur në kështjellën e vlerave dhe prekin palcën kurrizore të kulturës së popullit, etikën dhe traditën e paprekshme për shekuj me radhë. Këto fenomene do të vazhdojnë të krijojnë divergjenca e thyerje të thella shoqërore, simptomat e të cilave i vërejmë që tani, por pasojat pak më vonë. Të njëjtat do të gërryejnë në thelb edhe atë kohezionin e çmuar social, nën ombrellën e të cilit kemi jetuar në paqe e qetësi deri para pak viteve. Shpresojmë se atë do ta ruajmë edhe për të ardhmen e brezave të rinj!

Mars 2018