Pasioni im për vullnetarizmin dhe gazetarinë -Intervistë me aktivisten Nada Dosti

681

Nada, pse ke zgjedhur të prezantohesh në këtë intervistë si aktiviste dhe jo si gazetare?

Zgjodha termin aktiviste pasi mendoj se më përfaqëson më shumë. Si gazetare kam punuar vetëm një vit dhe tashmë jam në fund të studimeve të mia në degën e Gazetarisë, Master, më saktë në periudhën e mbrojtjes së tezës. Kam plot eksperienca të tjera në fushën e gazetarisë si trajnime, kurse dhe një numër artikujsh të publikuara vetëm për audiencën shqiptare. Kam patur fatin të punoj me mjeshtër të komunikimit dhe gazetarisë si Olsi Jazexhi, Ermir Hoxha dhe Ajni Sinani, të cilëve u jam shumë mirënjohëse dhe prej të cilëve kam përfituar shumë.

Ndërsa aktiviste kam qenë gjatë gjithë jetës. Gjithmonë kam qenë fëmijë aktiv në nisma vullnetare dhe aktivitete jashtëshkollore që nga fillorja. Ndërkohë eksperiencën time të parë në fushën e aktivizimit social e kam fituar gjatë një periudhe tre vjeçare si vullnetare fillimisht në shoqatën kulturore “Ardhmëria” dhe ndërkohë tek qendra “Emtec”, AIITC etj. Njëkohësisht jam munduar të jem aktive edhe në shoqata jasht Shqipërie, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni.

Kam frekuentuar shoqata të ndryshme pavarsisht politikave të tyre të brendshme, kritereve apo grupit të cilit i përkisnin. Nuk kam patur paragjykim ndaj asnjërës prej shoqatave, por jam munduar të marr më të mirën dhe të jap sa më shumë.

Po në Turqi?

Në Turqi gjithashtu. Pas transferimit në Turqi u “punësova” si vullnetare e rregullt në dy shoqata njëkohësisht: njëra me aktivitet vendas dhe tjetra ndërkombëtare. Puna ime si vullnetare ka qenë kryesisht përpiluese dhe drejtuese projektesh, mentore vullnetarësh të rinj, përfaqësuese e shoqatës në aktivitete jashtë vendit etj.

Nga të lindi dëshira për t’u marrë me aktivizëm dhe përse vazhdon ta bësh?

2

Nga natyra ime gjithmonë duke i parë gjërat me kriticizëm kuptova se të kritikosh pa reaguar është e kotë. Që kur e kam lexuar për herë të parë, më ka mbetur në mendje kjo thënie:

“Ka të drejtë për të kritikuar, kush ka një zemër për të ndihmuar.”  Abraham Lincoln

Gjithashtu kam qenë gjithmonë tip që nuk kam ditur t’i them kurrë jo kërkesës së dikujt për ndihmë. Mirëpo në shumë raste më ndodhte që të tjerët abuzonin nga zemërgjërsia ime, ose duke mos ditur të menaxhoja prioritetet (duke lënë gjërat parësore për veten në ndihmë të dikujt tjetër),  si dhe duke parë se përpjekjet për ndihmë ishin të dështuara sidomos kur personi tregohej mosmirënjohës ose në të shumtën e rasteve hiqte vetë dorë nga ajo për të cilën kishte kërkuar ndihmë. Kështu gjeta tek aktivizmi një formë të organizuar të vullnetarizmit. Kuptova se cila ishte kauza ime, sa dhe ku mund të kontribuoja si dhe gjeta persona të frymëzuar për të mbështetur të njëjtën kauzë.

Vazhdoj ta bëj sepse e ndjej përgjegjësi si besimtare muslimane. Thënia profetike e cila ka qenë gjithmonë një frymëzim dhe nxitje për mua tregon se si njeriu me besimin më të dobët rrin pa reaguar por mjaftohet me urrjetjen e të keqes, dhe ajo është: “Nëse shikon diçka të keqe ndryshoje atë me dorën tënde, e nëse nuk mundesh me gjuhën tënde e nëse nuk mundesh urreje me zemrën tënde dhe kjo është grada më e dobët e besimit”.

 … Dhe cila ishte kauza jote?

dsc00933

Pasi mbarova klasën e tetë vendosa të mbulohesha mirëpo kjo gjë nuk u prit mirë nga familja dhe nga rrethi shoqëror, madje kam kaluar sprova, sfida dhe peripeci të ndryshme. Këto ngjarje traumatike lanë shenjë në jetën time si adoleshente në atë kohë dhe kushtëzuan gjithë të ardhmen time. Sot kauza ime është mbrojtja e të drejtave të femrave muslimane, ngritja e imazhit të tyre dhe integrimi në jetën shoqërore.

Mendoj se në shoqërinë ku jetojmë, plot paragjykime dhe diskriminime, në një shoqëri islamofobe dhe e cila gjykon nga paraqitja dhe jo nga përmbajtja, jemi të detyruar t’u tregojmë të tjerëve se kush në të vërtetë jemi para se ta bëj dikush para nesh, siç dhe rëndomtë po ndodh nga persona me ndikim apo nga njerëz të rëndomtë rrugëve të kryeqytetit.

Kauza ime ka qenë që unë, si femër me mbulesë, të çaj në jetë, të hap dyer të reja vetes dhe t’i lë ato të hapura për të tjerat pas meje.

A ke pasur shembuj frymëzues, mund të na përmendësh dikë?

Shembuj femrash frymëzuese mund të hasim çdo ditë në përditshmërinë tonë, mjafton të jemi të kujdesshme në vëzhgim. Por megjihtatë dëshiroj të veçoj këtu, në radhë të parë shembuj muslimanesh shqiptare nga ato që unë i quaj brezi i parë dhe që janë: Anjeza Xhaferaj, Klodi Smalaj, Migena Balla, Sabina Tufa e shumë të tjera. Për mua kanë qenë frymëzuese në shumë aspekte, disa i kam njohur nga afër dhe disa jo, por megjithatë kanë ndikuar në krijimin e një imazhi të femrës muslimane që unë doja të bëhesha.

Ndër shembujt e muslimaneve të huaja mund të përmend Tawakkul Karman (jemenase) si aktiviste, Dzevada Susko (boshnjake) në fushën akademike, Zehra Göçkün Adilovic (turke) në fushën e gazetarisë, Sonya Emilova (bullgare) në mëmësi.

12963666_10207908242517934_7251097393744619083_n

Mund të na e sqarosh më shumë këtë të fundit?

Po, atë e kam takuar për herë të parë në një kamp për studentet e Ballkanit teksa ligjëronte dhe djali i saj lodronte nëpër sallë. Kjo skenë më ka mbetur në mendje dhe ja vura qëllim vetes që dhe unë do e vazhdoja aktivizmin edhe nëse një ditë do të bëhesha nënë. Sonya më ka frymëzuar sepse është një nënë e përkushtuar dhe aktiviste e palodhshme. Nuk ka aktivitet apo udhëtim që mos ta marri fëmijën me vete. Të njëjtën kam vepruar dhe unë vite më pas dhe kam gjetur shumë përfitime si forcimi i lidhjes nënë-fëmijë, zhvillimi i fëmijës i rritur në një ambient me diversitet dhe me dije, si dhe dhënia e një shembulli frymëzues për dikë tjetër ashtu siç unë u frymëzova nga Sonya.

Jo të gjithë e bëjnë këtë. Shumë nëna preferojnë të zgjedhin rrugët më të shkurtra dhe më të rehatshme: si të qëndruarit në shtëpi duke hequr dorë nga mundësitë që ju ofrohen përditë ose e kundërta të përfitojnë nga mundësitë duke hequr dorë nga përkujdesja për fëmijën. Nuk paragjykoj asnjërën nga të dyja palët, por thjesht dua të them se kërkon një sakrificë dhe mund të madh dhe e gjitha për t’i mundësuar fëmijës një shembull për të ardhmen dhe një ardhmëri sa më të mirë.

Dëshiron të na flasësh pak më shumë për të jetuarit në Turqi?

Në Turqi kam ardhur në vitin 2012, pra bëhen më shumë se katër vjet që jam këtu dhe eksperiencën time në këtë vend do e kisha përshkruar si mundësia më e mirë që më është dhënë. Kjo për shkak të mundësisë për bursë të mirë, njohja me shumë njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme, mundësia për të marrë dije dhe eksperiencë në karrierë. Mirëpo nga ana tjetër këtë dy vitet e fundit, sidomos pas shpërthimeve të sulmeve terroriste në çdo cep të Turqisë, kriza siriane dhe pasoja e këtyrë që përmenda në politikën dhe në ekonominë vendase ka ndikuar shumë në qëndrimin tonë, si studentë të huaj. Gjërat kanë ndryshuar thuajse 100 %. Pas grusht shtetit situate në Turqi është shumë e tensionuar. Vendi po kalon një gjendje të jashtëzakonshme që mund ta përjetosh vetëm duke qenë pjesë e këtij realiteti. Kështu që, mendoj se ka ardhur koha për të lëvizur…

Të pëlqen të udhëtosh?

Jo, në fakt jo. Udhëtoj shpesh por nuk më pëlqen procesi i udhëtimit sepse vuaj nga rruga. Nuk e mohoj që më pëlqen të vizitoj vende të reja, të njoh kultura të reja, të provoj shije dhe të nuhas aroma të reja. Por më shumë udhëtimin e kam parë si domosdoshmëri. Një mundësi për të krijuar lidhje të reja, për të hapur mendjen dhe për të luftuar paragjykime. Mbi të gjitha për të njohur veten më mire, për të parë se ku jam dhe ku duhet të jem.

dscf0156

Ku e shikon veten pas 5 vjetësh?

Me siguri larg Turqisë. Shpresoj që të kem realizuar ëndrrën për të bërë doktoraturën prej të cilës hoqa dorë në momentin kur mora vesh për ardhjen e tim biri. Doktoratura kërkon angazhim, punë sistematike dhe shumë vite lexim dhe kërkime. Shpresoj gjithashtu që deri atëherë të kem hedhur bazat për të realizuar projektin tim për të themeluar një organizatë dedikuar femrës muslimane në Shqipëri për të kontribuar sado pak për kauzën time. Ajo që unë kam në plan nuk është lloji i shoqatës së zakonshme specializuar në fushën e bamirësisë por diçka më konkrete në fushën e advokimit/mbrojtjes dhe reagimit.  Për momentin po punoj për të shtuar eksperiencat e mia në këtë fushë dhe për të krijuar rrjetëzim dhe mbështetje.

Çfarë këshille u jep vajzave tjera në lidhje me fushën e aktivizmit?

Përkrahni njëra-tjetrën në kauzat tuaja të përditshme, promovoni përpjekjet e secilës prej jush dhe kur të gjeni një derë të hapur ndajeni atë dhe me të tjerat. Nëse bashkëpunojmë mes nesh mund ta arrijmë shumë në dashtë Zoti. Nuk ka gjë më të dhimbshme se kur një femër has pengesa dhe vështirësi nga femrat e tjera.  Ndajini historitë tuaja!  Keni plot mundësi dhe platforma për ta bërë këtë. Duke ndarë historitë tuaja mund të bëheni frymëzuese për të tjerat.

Revista “Familja”, nentor 2016