Pastërtia te meshkujt (synetimi)

55

Udhëzimi i Allahut është feja e natyrshme që ka preokupuar zemrat e njerëzve me njohjen dhe dashurinë ndaj Allahut dhe me praktikimin e sinqertë të fesë vetëm për Të. Në këto praktika futet dhe synetimi, i cili është plotësimi i fesë së natyrshme, në të cilën janë krijuar njerëzit. Synetimi është traditë profetike dhe veçori e pejgamberëve, e cila tek popujt joarabë është huazuar nga fjala sunnet (traditë e Profetit). Ai bën pjesë në ritualet e mira, të cilat i ka përcaktuar Allahu i Madhëruar për krijesat e Tij.
Në terminologjinë fetare “synetim” do të thotë, prerje e pjesës shtesë (të tepërt) në organin gjenital mashkullor, në të cilën mblidhet pjesa e mbetur e urinës, ku nuk mund të pastrohet nga brendësia dhe as të largohet era e saj e pakëndshme në tjetër mënyrë. Në një transmetim prej Ahmedit ka ardhur qartë dhe pa asnjë dyshim hadithi: “Pesë gjëra janë nga natyrshmëria”. Këto pesë gjëra, të cilat nuk janë të vetme, kanë rëndësi shumë të madhe për jetën higjenike. Allahu e ka bërë synetimin shenjë të atij që ka pranuar fenë e drejtë.

Dy gjëra i përkasin natyrës së pastër njerëzore: e para i përket zemrës, që është njohja e Allahut dhe dashuria ndaj Tij, kurse e dyta është rituale dhe ka të bëjë me pesë detyrime që nga lindja. Me të parën pastrohet shpirti dhe zemra, ndërsa me të dytën pastrohet trupi, ndërsa ato së bashku plotësojnë njëra-tjetrën. Gjëja e parë që i përket trupit është synetimi.

Esenca e lejueshmërisë së synetimit është dhe plotësimi i fesë. Allahu i Lartësuar i premtoi Ibrahimit se do ta bëjë imam të njerëzve, nga pasardhësit e tij do të ketë pejgamberë dhe sundues, dhe ndërmjet tij dhe pasardhësve të tij do të marrë betimin, i cili do të jetë shenjë në trupat e tyre, dhe ky është synetimi i foshnjave. Kjo përputhet me komentimin e fjalës së Allahut: “Përkujto (o i dërguar) kur Zoti i vet, Ibrahimin e provoi me disa obligime, e ai i përmbushi ato” (Bekare, 124). Këtë ajet Ibni Abbasi e komenton: “Allahu e obligoi Ibrahimin me pastërtinë e pesë gjërave në kokë dhe pesë në trup. Sa i përket atyre të trupit ato janë: prerja e thonjve, pastrimi i qimeve në organet gjenitale, synetimi, largimi e qimeve nënsqetull, si dhe pastrimi i vendit te nevojës së madhe dhe të vogël fiziologjike me ujë.” Dhe Ibrahimi ishte i pari që i kreu këto rite. Këtë e argumenton dhe hadithi i Pejgamberit (alejhi selam) që e transmeton Ebu Hurejre: “Pesë gjëra janë prej fitres (natyrshmërisë njerëzore): sunetimi, heqja e qimeve në pjesët e turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve, heqja e qimeve nën sqetulla (Transmeton Buhariu dhe Muslimi) .

Një historik i shkurtër rreth synetimit:

Burime historike tregojnë se popuj të lashtë e kanë njohur synetimin. Ndërsa në ungjillin e Bernabës shënohet se njeriu i parë që ishte bërë synet ishte Ademi (alejhi selam). Ndoshta pasardhësit e tij më vonë e kanë lënë këtë praktikë, derisa Allahu i Lartësuar urdhëroi Ibrahimin (alejhi selam) që ta ringjallë atë përsëri. Kështu synetimi është bërë pjesë e natyrës së lindur që do të zgjaste deri në Ditën e Gjykimit. Synetimin e kanë  propaganduar të gjithë pejgamberët, në mesin e tyre edhe Isai (alejhi selam), i cili me këtë vepër e pasoi Ibrahimin (alejhi selam).

Synetimi ka ekzistuar dhe për popullin hebre, madje hebrenjtë i kanë dhënë rëndësi të madhe bërjes synet, sa që Teurati atë person që nuk është i bërë synet e konsideron se është nga idhujtarët dhe të këqijtë. Në të thuhet: “Bëhuni synet për hir  të Zotit dhe largoni nga zemrat tuaja pëlhurën (e mosbesimit), o burra jehudë dhe banorë të Orshlimit” .

Në Ungjillin të Bernabës tregohet se Isai (alejhi selam) ishte bërë synet dhe i urdhëroi pasuesit e tij të bëheshin synet, por të krishterët bashkëkohorë nuk e praktikojnë këtë ritual dhe bërja synet nuk është me pjesë e fesë së tyre.

Tek popujt arabë synetimi ka mbetur deri sot, duke pasuar traditën e paraardhësit të tyre, Ibrahimit (paqja Zotit qoftë mbi të) dhe sipas mendimit të dijetarëve thuhet se Ibrahimi është i pari që është bërë synet, bazuar kjo në ajetet e Kuranit të shenjtë dhe hadithin e Muhammedit (alejhi selam): Transmeton Ebu Hurejre se Profeti (paqja e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “I pari që është bërë synet ishte Ibrahimi, gjithashtu ai është i pari që i janë zbardhur flokët, i ka shkurtuar mustaqet dhe që i ka mënjanuar qimet nga vendet e turpshme” (Transmeton Maliku dhe Buhariu, në librin “Edebu mufred” dhe Bejhakiu).

Cila është Dispozita mbi synetimin

Ibën Kajimi thotë: “Dijetarët kanë disa mendime të ndryshme rreth synetimit.” Ndërsa Neveviu thotë: “Bërja synet është vaxhib, për shkak të thënies së Allahut të Lartësuar: Unë pasoj (ndjek) fenë e pastër të Ibrahimit” (Nisa, 125). Me këtë ajet muslimanët u urdhëruan ta pasojnë fenë e Ibrahimit (alejhi selam), dhe nga feja e tij ishte edhe synetimi.

Shumica e dijetarëve mendojnë, se ky ritual në të cilin fton Islami është prej natyrshmërisë njerëzore, ndaj këtë detyrë gjinia mashkullore nuk bën ta braktisë. Ibn Abbasi e ka quajtur synetimin të obligueshëm.

Dëmet në adhurim, nëse lihet synetimi

Pa kryerjen e synetimit nuk arrihet pastërtia e plotë, me të cilën kryhen edhe obligimet më të mëdha fetare. Personi i pa synetuar i nënshtrohet mundësisë të prishjes së abdesit, si pasojë dhe namazit. Qëllimi i synetimit është mbrojtja nga mbetja e urinës nën lëkurën e organit gjenital mashkullor, pasi kjo papastërti humb vlefshmërinë e abdesit dhe namazit, ndaj kushtëzohet me synetim. Ibën Kajimi shton: “… nëse nuk bëhet synet, tek meshkujt mbetet një sasi urine dhe nuk plotësohet si duhet pastrimi, i cili është i kërkuar për muslimanin në çdo kohë dhe për çdo namaz”. Islami është fe e pastërtisë. Fe, në të cilën Krijuesi shpreh qartë se Ai i do të pastërtit: “Allahu i do ata që pendohen dhe i do ata të pastërtit” (Bekare, 222).

Në Islam pastërtia është gjysma e besimit, e kjo e bazuar në fjalën e Muhammedit (paqja e Allahut qoftë mbi të): “Pastërtia është gjysma e besimit” (Muslimi) .

Synetimi është rituali me të cilin dallohen të krishterët dhe adhuruesit e zjarrit nga pasuesit e fesë së natyrshme islame, e cila është bartur nga një gjeneratë në tjetrën prej pasardhësve të Israilit nga Ibrahimit alejhi selam, dhe ne si muslimanë nuk na lejohet t’i përngjajmë popujve të tjerë, të cilët humbën vetveten.

Katadeja thotë: “Hebrenjtë fëmijët e e tyre i fusin në judaizëm, të krishterët femijët e tyre i fusim në krishterizëm, ndërsa udhëzimi i Allahut është islami dhe nuk ka udhëzim më të mirë e më të pastër se islami”.

Ibn Kajjim el Xheuzije thotë se sunetimi është një prej virtyteve të fesë, në bazë të së cilës dallohet muslimani nga mosbesimtari. Muslimanët e kanë të ndaluar që të presin një pjesë të trupit të tyre, pavarësisht përmasës së saj e cila mund të jetë fare e papërfillshme, vetëm nëse këtë e urdhëron Allahu, si në rastin e synetisë.

Cila është koha më e përshtatshme e synetimit të fëmijës?

Për kohën e bërjes së synetimit ekzistojnë mendime të ndryshme nga dijetarët islam. Shumica e tyre janë të mendimit se synetimi nuk ka kohë të caktuar, por preferohet që të kryhet kur fëmija është ende i vogël, sepse kjo është më lehtë dhe më mirë për të.

Disa të tjerë e preferojnë kryerjen e tij në ditën e shtatë të lindjes, për arsye se fëmija në këtë moshë nuk ndjen dhembje. I këtij mendimi është dhe Imam Neveviu. Nëse foshnja është e dobët dhe nuk mund ta përballojë, atëherë më mirë është të shtyhet derisa të forcohet fizikisht. Të tjerët mendojnë më të përshtatshme kohën kur fëmijës i dalin dhëmbët. Dr. Muhamed Ali el Barr thotë se, sa më shumë që të vonohet bërja sunet, aq më shumë është i mundshëm infektimi në organ dhe në kanalet urinare. Është  me dobi kryerja e tij sa më herët, duke filluar në ditët e para të lindjes së tij. Po kështu ka deklaruar edhe Ebu El Ferexh Es Serehsij, i cili pohon se: “Synetimi i fëmijës së mitur ka dobi. Së pari lëkura e tij është e njomë (dhe është më lehtë per t’u prerë), ndërsa kur të rritet ajo bëhet më e vrazhdë.”

Kur bie obligueshmëria e synetimit?

  1. Nëse fëmija që lind, në organin e tij gjenital nuk ka tepricë të lëkurës, ai nuk e ka të nevojshme bërjen synet, për shkak se nuk e posedon atë që është e obligueshme të largohet. Nëse gjatë lindjes lëkura nuk e mbulon majën e organit gjenital, atëherë nuk ka nevojë për synetim.
  2. Për shkak të dobësisë fëmija nuk e përballon synetimin dhe synetimi mund të ndikojë kobshëm në shëndetin e fëmijës, ky detyrim lihet.
  3. Nëse personi i rritur e pranon islamin dhe ka frikë se synetimi mund të lërë pasoja negative tek ai, prej tij bie kjo detyrë. Kjo bazuar në mendimin e Imam Ahmedit: “Nëse mashkulli i rritur e pranon islamin, por ka frikë që të bëhet synet, ai sipas mendimit tim ka arsyetim”.

Kryerja e synetimit në peshoren e mjekësisë

Synetimi (circumcisioni) gjatë historisë ka qenë temë që shpesh ka provokuar debate edhe njëkohësisht ka kaluar në hulumtime të mëdha, derisa në vitet e fundit vërehet dukshëm kthimi i mjekëve në praktikimin e synetimit tek të porsalindurit. Praktikimi i synetisë, si një vepër e shëndetshme e zbatuar nga Muhamedi (paqja e Allahut qoftë me të), e kanë vërtetuar shkencëtarët bashkëkohorë pas 14 shekujve si të tillë. Është fakt i qartë se shkaku i rritjes së rrezikut nga infeksioni te meshkujt që nuk janë bërë synet, qëndron në atë se pjesa e kokës së organit mashkullor e mbuluar me lëkurë, përshpejton rritjen dhe zhvillimin e mikroorganizmave. Por vetëm gjatë fillimit të viteve tetëdhjetë, studimet mjekësore vërtetuan se infektimi te fëmijët e pabërë synet ishte më i madh se te të tjerët. Studime e reja mjekësore kanë vërtetuar se ekzistojnë sëmundje të shumta në organet riprodhuese (seksuale), sëmundje të cilat janë edhe shkatërruese për njeriun. Shumica e këtyre sëmundjeve janë prezentë te njerëzit që nuk janë të synetuar, ndërsa te të synetuarit këto lloje sëmundjesh janë të rralla.

Pasojat e mosbërjes synet nga ana shkencore:

  1. Tek meshkujt është faktori më i madh i rrezikut për infektimin me virusin e HIV – it.
  2. Rreziku është më i madh në infektimin e rrugëve urinare, të cilat tek fëmijët e porsalindur mund të shkaktojnë edhe vdekje. Gjithashtu sjell një sërë sëmundjesh të tjera mjaft të rrezikshme, të cilat do t’i përmendim pak më poshtë shkurtimisht.

Synetimi është mbrojtës nga infektimet

Lëkura e tepërt që pritet gjatë synetimit është vendi në të cilën grumbullohen sekrecione (lëngje) të ndryshme. Aty krijohet edhe një lëng që quhet SMEGMA,  po ashtu edhe urina mbetet aty. Të gjitha këto pas një kohe ndikojnë në krijimin e mikrobeve dhe baktereve të ndryshme, që shkaktojnë infektimin e organit, ku synetimi bëhet i domosdoshëm, nëse dëshirojmë shërimin. Tek fëmijët e pasynetuar, është e mundur që infektimi të zgjerohet edhe në uretër (kanalet urinare), ku në 95%  e rasteve ndodhin tek ata që nuk janë bërë synet. Nga infektimet e kanaleve urinare te fëmijët 35% të rasteve mund të shkaktojnë infektimin e gjakut, si rrjedhojë dhe sëmundjen e meningjitit dhe të veshkave. Fëmijët e pasynetuar janë ata që më së shumti u ekspozohen infektimeve në  phemosis, se sa të atyre që janë të synetuar. Synetimi është mbrojtës edhe nga tumoret e prostatës në moshat e mëvonshme.

Këto edhe mjaft studime të tjera, tregojnë obligueshmërinë e synetimit tek fëmijët, me qëllim që të reduktohen sëmundjet e traktit urinar. Bakteriet, të cilat strehohen në lëkurën e tepërt dhe të paprerë të organit mashkullor, shkaktojnë infektimet më të shpeshta të traktit urinar. Komplikimet e sëmundjeve të rrugëve urinare janë: ndërprerja e punës së veshkave, inflamimet kronike të veshkave, deri te insuficienca renale. Është vërtetuar se edhe me masat më të rrepta higjenike nuk mund të mënjanohen këto lloj bakteriesh, ato eleminohen vetëm me kryerjen e synetimit.

Synetimi shmang infektimin me AIDS

Sipas të dhënave të organizatës botërore të shëndetësisë, synetimi (rrethprerja) i meshkujve e zvogëlon mundësinë e infektimit me virusin HIV në masën 50%, por edhe një numër të madh të sëmundjeve të tjera seksuale. Gjithashtu, këtë statistikë na përforcon edhe Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri nga Instituti i Statistikës dhe Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë, në të cilin thuhet: “Ka prova gjithnjë e më të shumt,a për pasojë është në vëmendjen ndërkombëtare që bërja synet e meshkujve është një strategji që pakëson mundësinë e transmetimit të STI dhe HIV”. Po ashtu analiza shkencore që publikoi Agjencia Ndërkombëtare e Fondit për Zhvillim, të bëra kryesisht në Afrikë, ka konstatuar se meshkujt e pasynetuar janë dy herë më të rrezikuar nga virusi HIV krahasuar me meshkujt e synetuar. Të dhëna këto të marra nga gazeta “New York Times”.

Synetimi dhe mbrojtja nga kanceri i organeve

Studime mjekësore vërtetojnë se synetimi është mbrojtës ndaj kancerit të organit, i cili shkaktohet nga lëngu që akumulohet pikërisht në brendësinë e lëkurës së organit mashkullor që këshillohet të pritet gjatë synetimit. Këto studime vërtetojnë që ky lëng stimulon krijimin e virusit HPV, i cili është ndikues i fuqishëm në fillimin e kancerit. Me kryerjen e synetimit, i cili aplikohet te meshkujt në vitet e hershme të tyre, e ul dukshëm shkaktimin e kancerit në organ, gjë që e bën synetimin një praktikë të domosdoshme për t’u mbrojtur nga të shkaktuarit e tumoreve të rrezikshme.