Pastroje shpirtin!

110

Ulvi Fejzullahu

Gjëja më e mirë është dëshira dhe vullneti për ta korrigjuar dhe pastruar shpirtin nga gjërat e pista si: shirku dhe mëkatet. Një detyrë serioze kjo, që e kishin mbi vete të dërguarit e Allahut të Lartësuar të cilët pastruan veten me fenë e Allahut të Lartësuar.

“Pa dyshim se do të jetë i shpëtuar ai që është pastruar (nga politezmi, duke iu përmbajtur besimit islam), që e përkujton emrin e Zotit të tij dhe plotëson namazin.” (A’la, 14- 15)

Pejgamberët ia mësuan edhe të tjerëve format dhe mënyrat e pastrimit. Allahu i Lartësuar thotë:

“Është e vërtetë se Allahu u ofroi mirësi të madhe besimtarëve, kur Ai dërgoi ndërmjet tyre një të dërguar (Muhamedin) nga mesi i tyre, që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij (Kuranin), duke i pastruar ata (nga gjynahet e tyre) dhe duke ua mësuar Librin (Kuranin) dhe Hikmetin (urtësinë dhe sunetin), edhe pse para kësaj ata kan qenë në humbje të qartë.” (Ali Imran, 164)

Pejgamberët e Allahut të Lartësuar kishin për detyrë që t’ua mësojnë njerëzve besimin dhe t’i ndihmojnë në pastrimin nga mëkatet. Kështu që, këtë përgjegjësi duhet ta ndiejë në vete çdo musliman, e në veçanti thirrësat islam, pedagogët, mësuesit etj.

Rëndësia e pastrimit shpirtëror

Allahu i Lartësuar dërgoi pejgamberë dhe zbriti libra, me të vetmin qëllim që t’i ofrojë lehtësi dhe komoditet në edukimin, korrigjimin dhe pastrimin e shpirtrave, e kjo arrihet vetëm duke kuptuar obligueshmërinë e adhurimit në Allahun e Lartësuar.

“Me pastrim shpirtëror kuptohet dlirësia e vetes nga çdo gjë e prishur, duke kultivuar të mirën dhe kjo realizohet duke besuar dhe vepruar.”

Vetja e pastruar me modelin islam, meriton të cilësohet me cilësitë më të larta në këtë botë dhe në botën tjetër e të shpërblehet me çdo të mirë.

Kurani na bën me dije më shumë se një herë se shpëtimi i të gjithëve është i varur me pastrimin shpirtëror, ndërsa çdo humbje dhe dështim është me përdhosjen e vetvetes. Allahu i Lartësuar pastrimit i jep rëndësi të veçantë në suren Shems, ku veçon shtatë krijesa duke përsëritur betimin:

“Pasha diellin dhe shkëlqimin (dritën) e tij! Pasha hënën kur vjen pas tij! Pasha ditën kur ai (dielli) e shndërit! Pasha natën kur ajo e mbulon atë (dritën e diellit)! Pasha qiellin dhe Atë që e ndërtoi atë! Pasha tokën dhe Atë që e shtriu atë! Pasha nefsin (njeriun) dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e prishi (poshtëroi) vetveten.” (Shems, 1-10)

Allahu i Lartësuar i thotë Musait (alejhi selam) kur e dërgoi te Faraoni:

“Shko te Faraoni! Vërtet, ai e ka tepruar (në mohim, në politeizëm, në mëkate). Thuaj atij: A do të pastrohesh (nga mëkati i politeizmit)? Të udhëzoj drejt te Zoti yt, e ti t’ia kesh frikën Atij!” (Naziat, 17-19)

Pra, Islami urdhëroi pastrimin e njeriut nga politeizmi, krimi, mohimi, mëkati, njëkohësisht edhe tregoi mënyrën e realizimit të tij. Allahu i Lartësuar thotë:

“Po kështu, Ne ta shpallëm edhe ty (o Muhamed) shpirtin (Kuranin) me urdhërin Tonë. Ti nuk ke ditur çfarë është libri (Kurani) as ç’është imani (besimi), por Ne atë (Kuranin) e bëmë dritë, me të cilën të udhëzuam në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve Tanë. Dhe padyshim, ti (Muhamed) po udhëheq (njerëzimin) në udhën e drejt (në Islam).” (Shura, 52)

Padyshim, Kurani i shpallur Muhamedit (a.s.) është shpirt që gjallëron zemrat, është bazë për jetë, po ashtu, është edhe dritë që ndriçon errësirat.

“Vallë, a është njësoj si ai i cili ishte i vdekur (me mosbeim), ndërsa Ne e ngjallëm (me besim) dhe i dhamë dritë (besimin), me të cilën ai ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësirë (mosbesim) dhe nuk mund të dalë (shpëtojë nga ajo)!?” (Enam, 122)

Njeriu është i vdekur pa besimin e drejtë në Allahun e Lartësuar, pa dyshim që Islami i jep jetë dhe kuptim se është shpirt dhe dritë udhëzimi për ta kuptuar të vërtetën nga e pavërteta dhe të mirën nga e keqja. Fjalët e Allahut të Lartësuar janë ilaç shërues i sëmundjeve të zemrës.

“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj një këshillë (Kurani) dhe shërimi (i padijes, dyshimit) që gjendet në gjokset tuaja (në zemra) dhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57)

Sëmundjet që godasin zemrën janë dy lloje:

  1. Sëmundjet e dyshimit në besim
  2. Sëmundjet e epsheve, dëshirave.

Këto dy forma çorientojnë jetën dhe aktivitetin e besimtarit. Për të rezistuar nga këto, ai duhet t’i kthehet Shpirtit-Kuranit, që është fjalë e Allahut të Lartësuar, duke mësuar dhe kuptuar këshillat e Tij.

Besimtari posedon dy fuqi që Allahu i Lartësuar ia ka dhuruar dhe me to mund të rezistojë, e ato janë:

E para: Forca e të kuptuarit dhe vizionit. Besimtari me anë të kësaj fuqie të dhuruar nga Allahu i Lartësuar mund të formojë vizion të qartë mbi mësimet e Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij. Kështu, sëmundjet e dyshimit dhe dëshirave me diturinë hyjnore mund t’i pengojë apo t’i largojë.

E dyta: Forca e vullnetit. Qëllimi, vendosmëria dhe veprimi duke u ushqyer me vullnetin e mirë e ndihmojnë besimtarin për të gjallëruar me udhëzimet islame dhe forcuar lidhjet me Allahun e Lartësuar.

Kur forca e të kuptuarit dhe vullnetit harmonizohen, atëherë besimtari i përgjigjet Allahut të Lartësuar me bindshmëri të plotë.

“O ju që besuat! Përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të dërguarit Muhamedit) kur Ai ju fton për atë që ju jep juve jetë (ju ngjall) dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij. Tek Ai do të tuboheni!” (Enfal, 24)

 

Shkurt 2017