Patologjia e kumarit apo varësia ndaj kumarit

99

Anxhela Peza, psikologe

Patologjia e kumarit apo varësia ndaj kumarit është një nga veset më të vështira dhe pothuajse të pandreqshme për njeriun. Vesi i një sjellje shkatërruese ku njerëzit shpenzojnë kaq shumë kohë dhe para në vendosjen e basteve, të cilat po shkaktojnë dëm në aspektet e tjera të jetës në veten e tyre, familje dhe punë. Specika e kësaj loje psikologjike dhe kurthi është që të fitohet nga ata që e kanë krijuar “bastin”, jo të fitojë populli e individi në këtë rast. Kumari përfshin meshkujt në përqindjen më të lartë dhe me një përqindje të vogël përfshin femrat.
Gjithçka fillon si lojë argëtim, më pas fiton diçka, e kjo e fundit të pëlqen. Më pas kur pëson humbjen e para ngushëllon veten se le 5 dhe fitove 3, efekti është sikur ke fituar por në fakt ke humbur 2.
Varësia ndaj kumarit është një lloj çrregullimi i kontrollit të impulseve. Këta njerëz nuk mund ta kontrollojnë impulsin kur vjen puna për të luajtur kumar, edhe nëse ai po i dëmton ata dhe të dashurit e tyre, familjen e cila ka pasojën më të madhe. Njerëzit e varur nga kumari mendojnë vetëm për të dhe dëshirojnë vetëm të luajnë, pavarësisht pasojave. Ata vazhdojnë të luajnë kumar në çdo situatë dhe në çdo gjendje shpirtërore. Edhe kur ata e dinë se shansi është kundër tyre, ata s’mund ta pranojnë humbjen dhe nuk mund t’u rrinë larg kazinove ose qendrave të basteve.

Megjithatë ekziston edhe një shkallë më e ulët e atyre që luajnë kumar. Këta janë njerëz që kanë një problem me bastet dhe lojërat e fatit, por nuk kanë dalë tërësisht jashtë kontrollit. Problemet e kumarit janë çdo lloj sjelljeje që lidhet me kumarin dhe që shkaktojnë dëme në jetën e atyre që luajnë. Nëse ju jeni të dhënë pas kumarit, shpenzoni gjithnjë e më shumë kohë dhe para pas tij dhe nuk hiqni dorë pavarësisht pasojave, atëherë keni problemin e të luajturit kumar.
Kjo varësi nuk mund të kuptohet menjëherë, për shkak se nuk ekzistojnë shenja të dukshme fizike apo simptoma si te përdorimi i drogës dhe alkoolit. Ata qëndrojnë të fshehur, kumarxhinjtë zakonisht e mohojnë ose e zvogëlojnë problemin. Ata madje shkojnë shumë larg për të fshehur zakonin e keq të kumarit.
Në vendin tonë ka shumë kazino dhe bar-baste të hapura edhe pa sens të cilët bëhen objekte për të mbledhur dhe stimuluar papunësinë, elementë të rrugës dhe stimulimin basteve e luajtjen e kumarit. Një kliente e imja, pohonte se po të mos jetonte në Shqipëri por diku tjetër burri i saj nuk do të kishte mundësinë të luante kumar me shumën e vogël që ai kishte. Këtu njerëzit luajnë kumar edhe me një pagë të vogël mujore.
Raste ekstreme janë kur individët vendosin familjen në rrezik, duke vjedhur shtëpinë, duke lënë peng pasuritë e patundshme deri sa ju kërcënohet jeta e tyre dhe e fëmijëve për motive të mos pagesës së borxheve të marra.

Revista Familja, mars 2017