Për herë të parë në Shqipëri ekspozita me temë ‘‘Mrekullitë Shkencore të Kuranit’’

42

Nga Anisa Kolgjini

Për herë të parë në Shqipëri përfundoi me sukses ekspozita me temë “Mrekullitë Shkencore të Kuranit”. Ekspozita u organizua nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar të Mrekullisë Shkencore në Kuran (KNMSH)- Komisioni i grave, Xheda.

Ekspozita u zhvillua në datat 20–24 Prill 2015 në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar.  Kjo ekspozitë kishte si qëllim demostrimin  e mrekullive shkencore të pasqyruara në librin e shenjtë të Kuranit dhe lidhjen e tyre me zbulimet e shkencës bashkëkohore, përmes ekspozimit të 60-të posterave të ilustruar, broshurave, botimeve, materialeve filmike dhe ligjëratave të ndryshme.

Përgjatë një jave, në kuadër të ekspozitës u organizua:

  1. Ditën e hënë 20 Prill, ceremonia zyrtare e hapjes.
  2. Ditën e martë 21 Prill, ligjërata për lidhjen e Kuranit me shkencën nën zbulimet e reja bashkëkohore nën referimin e Prof. dr. Ali Iljazi.
  3. Ditën e mërkurë 22 Prill, ligjërata për farmacinë profetike nën referimin e Prof. dr. Ruzhdie Qafmolla.
  4. Ditën e enjte 23 Prill, ligjërata për masat profilaktike dhe normat e pastërtisë në Islam nën referimin e Prof. Dr. Bedri Bylykut.
  5. Ditën e premte 24 prill, promovimi i librit ‘‘Muhamedi: Kush është ai’’ nën prezantimin e dijetarit Mahmud Abdulkadir Arnaut.

11181424_10205080097335500_394756070_oCeremonia e hapjes u çel nga Drejtori i AIITC-së, Dr. Ramiz Zekaj i cili përshëndeti dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë event, që synon evidentimin e fakteve shkencore të pamohueshme, mbi raportin e drejtë që ekziston ndërmjet besimit dhe shkencës. Ceremonia u përshëndet edhe nga përfaqësuesja e KNMSH-së Dr. Tahany Elzeyat, e cila shprehu kënaqësi për zhvillimin e ekspozitës në Shqipëri. Gjatë ceremonisë u akordua çmimi ‘‘Hoxha Hasan Tahsini’’, për merita të vecanta humane në karrierën e tyre të gjatë si mjekë dhe për kontributin e vyer në zhvillimin e shkencave mjekësore. Tre personalitetet, Prof. dr. Ali Iljazi, Prof. dr. Ruzhdie Qafmolla dhe Prof. dr. Bedri Byluku u akorduan me një çertifikatë dhe me një çek prej 1000 euro.

Zbulimi i lidhjeve mes Kuranit dhe shkencës moderne qëndroi në thelb të referimit shkencor që mbajti prof. Dr. Ali Iljazi në ditën e dytë të ekspozitës “Mrekullitë shkencore të Kuranit”. Dr. Iljazi i cili shquhet për studimet dhe hulumtimet që ka kryer në lidhje me tematikën e ekspozitës, e shtjelloi referimin e tij me dhjetëra vargje kuranore, të cilat përshkruajnë dukuri të ndryshme që kanë të bëjnë me krijimin e njeriut, të natyrës dhe të gjithësisë.

11158170_10205063165832223_1664084100_nFarmacia profetike, pjesët përbërëse të saj dhe faktet e argumentet e vërtetuara shkencërisht, qëndruan në pikëpamjet themelore të Prof. dr. Ruzhdie Qafmolla, të pasqyruara në ligjëratën shkencore të mbajtur në ditën e tretë të ekspozitës ‘‘Mrekullitë shkencore të Kuranit’’.

Për stomatologen, feja islame, përbën një rast unik për nivelin e shtrirjes së saj në jetën e njeriut. Ajo ka përfshirë në një rend të vetëm, thuajse çdo hapësirë të jetës njerëzore, duke rregulluar të gjitha raportet e saj në një sistem harmonik.

Nën ligjërimin e Prof. Dr Bedri Bylukut  në ditën e katërt të ekspozitës vizitorë të ndryshëm të ekspozitës u njohën me normat e pastërtisë të parashikuara në ligjet islame por njëherazi të vërtetuara edhe nga shkenca.

Në kuadër të ekspozitës dita e fundit e saj u mbyll me promovimin e botimit më të fundit të AIITC, ‘‘Muhamedi: Kush është ai’’.

Ky libër xhepi është një nga librat piktoreske më të përmbledhur dhe më të plotë rreth profetit të Islamit Muhamedit (paqja qoftë mbi të). Ai siguron një biografi të gjerë dhe informacion të përmbledhur mbi Muhamedin (a.s.) siç mund të jetë karakteri dhe të dhënat personale të tij. Përveç kësaj, ky libër udhëzues i ilustruar “jep një pasqyrë të gjerë në lidhje me mësimet e profetit dhe ngjarjet kryesore në jetën e tij.  Libri “Muhamedi, Kush është ai” është shkruar posaçërisht për ata që do të donin të merrnin një informacion përmbledhës rreth themeluesit të fesë islame dhe mësimeve të tij nga burimet autentike islame.

I ftuar special në këtë eveniment ishte dijetari i njohur Mahmud Abdulkadir Arnauti, i cili mbajti ligjëratën me temë ‘‘Kultura e lartë e Profetit dhe Mrekullitë që shoqëruan zbritjen e Kuranit’’.  Përveç dijetarit me një prejardhje shqiptare por i rritur dhe i lindur në Siri, në promovim mori pjesë edhe publicisti e opinionisti i njohur Agim Baçi.

Gjatë gjithë javës së zhvillimit të ekspozitës qindra qytetarëve, studentëve dhe vizitorëve të ndryshëm të saj iu shpërndanë botimet e fundit të AIITC, libra të ndryshëm fetarë por njëkohësisht edhe libra që tregonin lidhjet e Kuranit me Shkencën.

Ndër më kryesoret mund të përmendim librin e përkthyer enkas për ekspozitën ‘‘Kurani dhe shkenca’’ një libër i cili pasqyronte të gjithë ekspozitën në të dhe broshurat për lidhjet e Kuranit me shkencën dhe vetitë shëruese profetike.

Broshurat në mënyrë përmbledhëse dhe të qartë shpjegonin sesi Kurani ka shpjeguar disa fakte shkencore 1400 vjet më parë dhe sesi profeti Muhamed shekuj më parë përmendi disa bimë dhe na tregoi për vetitë shëruese të tyre gjë që shkenca e promovoi vetëm në shekullin e fundit.

 Rev. Familja, maj-qershor 2015