Për një lindje me shpirt

108

Sistem shëndetësor copy-paste?

Të ndodhesh midis dy realiteteve shpesh herë të bën të reflektosh për situata të cilat shfaqen në njërin, por që në tjerin janë të paimagjinueshme. Kam përshtypjen se në vendin tonë, i cili medoemos përpiqet të arrijë standartet evropiane në shumë struktura të shoqërisë, shpesh herë i kopjon ato në formë shablloni. Për fat të keq, kjo nuk i lejon që të përthithin edhe nuancat që ndryshimet e brendshme të shoqërisë në këto vende përjetojnë dita ditës. Nëse do t’i referohemi sistemit shëndetësor, të vjen natyrshëm bërja e krahasimeve, për të kuptuar se në cilën situatë realisht jemi dhe se në cilin realitet synojmë të shkojmë. Në Shqipëri ka shumë varfëri dhe shumë struktura të papërshtatshme spitalore për të kryer lindje të sigurta për nënën dhe fëmijën. Për këtë arsye një pjesë e madhe e grave shtatzëna kërkojnë të lindin në qendrat spitalore kryesore të vendit apo dhe ato spitale private që garantojnë kushte komode për një lindje të sigurt. Do të ishte e tepërt të vije në dyshim këto struktura, ekzistencën apo modernizimin e tyre në përputhje me standartet perëndimore. Ato janë tepër të rëndësishme në një kohë kur vdekshmëria foshnjore në vendin tonë rezulton të jetë më e madhja në rajon.

Në Shqipëri ka luftë për mbijetesë. Nënat e reja përballen me tregëtimin e shtatëzanisë së tyre.  Maternitetet pasqyrojnë më së shumti degradimin e sistemit shëndetësor. Çdo femër që hyn aty shtatzënë shpreson të jetë fatlume nëse përjeton një lindje pa komplikacione; nëse fëmija i mbijeton “sagllam” lindjes dhe ato vetë “shpëtojnë shëndoshë e mirë”. Janë fatlume nëse bien në dorë të një personeli të përgjegjshëm dhe sadopak human; nëse arrijnë të mbijetojnë pa trauma psikike dhe fizike lindjes së fëmijës së tyre; nëse do të kenë mundësi të mos lindin farë në këto ambiente por të arratisen prej tyre në ndonjë maternitet të huaj brënda apo jashtë vendit. Nevojat e tyre dhe të fëmijëve të tyre pothuajse nuk merren aspak parasysh. Lindja në të shumtën e rasteve është thjesht një proçes mekanik ku të mund të përfitojnë mjekja, infermjerja, mamia, ku edhe pastruesja apo roja. Po a mundet për një moment t’ja lejojmë vetes luksin të hedhim vështrimin përtej këtyre fenomeneve kaq trishtuese, e të mendojmë për ato nëna të cilat kanë mundësi dhe dëshirojnë të kenë jo vetëm një lindje cilësore fizike por edhe shpirtërore.

Në shumë spitale të botës së industializuar vendet e lindjes ofrojnë të tjera standarte. P.sh. fabrikat perëndimore në përgjithësi janë të pajisura me teknologji të lartë dhe kanë nevojë të standartizojnë prodhimin, ashtu edhe maternitetet kanë trashëguar të njëjtin perceptim si fabrikat: edhe ato janë të pajisura me teknologji të lartë, e cila mundëson monitorimin sa më elektronik të proçesit të lindjes gjithashtu vetë proçesi ofron standartizim dhe jo fleksibilitet siç do të ishte e nevojshme. Një analogji e tillë nuk është e rastësishme, por e vështruar në plan të asaj se për ne tashmë standartizimi i proçesit të lindjes dhe kontrollimi elektronik i tij na duket më se i pranueshëm. Si i tillë nuk mund të vihet në dyshim, tamam si një fabrikë për të “prodhuar” qënie njerëzore.

Sot në perëndim, mënyrat standarte të lindjes duket se janë dy, ajo që quhet mënyrë “natyrale” dhe ajo që njihet si prerje cezariane ose me operacion. Në të dyja rastet, medikalizimi është i lartë. Gjatë lindjes pa operacion, gruaja duhet të mbajë një pozicion të caktuar të trupit, në përgjithësi shtrirë në shpinë. Asaj i mundësohen mënyra të ndryshme anestezie, si p.sh. anestezia spinale, apo epidurale. Në disa raste i jepen edhe qetësues të tjerë në formë gazi. Rrahjet e zemrës së fëmijës dhe kontraksionet monitorohen me anë të aparateve elektronike. Gjithashtu me apo pa djeni të saj injektohen hormone sintetike, si p.sh. oksitocina për të shpejtuar lindjen dhe nxjerren jashtë të placentës. Kjo, në spitalet moderne quhet lindje natyrale. Ndërsa gjithmonë e më shumë po shtohen lindjet me operacion cezarian me apo pa arsye shëndetësore. Të gjitha këto proçedura standarte kryhen duke pasur parasysh lindjen vetëm si proces mekanik i cili duhet monitoruar, duhet mbajtur nën kontroll, ku i duhet dhënë drejtimin e duhur dhe mbi të gjitha ku kontrolli i vetë femrës mbi lindjen e saj duhet eleminuar. A thua se trupi i saj nuk di të lindi, por dikush tjetër duhet ta drejtojë këtë proçes nga jashtë dhe ta mësojë se si të marrë frymë, se çfarë pozicioni duhet të zërë, se kur duhet të shtyjë e kur jo, e të tilla diktime.

Mirëpo sot, mbas shumë dekadash lindjeje të standartizuar, kanë nisur të shfaqen zëra autoritar midis mjekëve gjinekolog, mamive eksperte, psikolog, pediatër dhe nëna, të cilët vënë në dyshim metodat e mjekesisë standarte për sa u përket lindjes. Ata kanë nisur të kryejnë një analizë konceptuale se cilat janë nevojat reale të një nëne dhe të femijës që ajo po sjell në jetë. Ka nisur të bëhet një reflektim thelbësor mbi natyrshmërinë e të gjithë proçesit të lindjes në strukturat shëndetësore moderne.

Cila do të ishte atmosfera që do të favorizonte më së shumti një lindje pa trauma fizike dhe shpirtërore për nënën dhe fëmijën? A ka momenti i lindjes dhe mënyra se si është pritur në jetë foshnja ndonjë rëndësi për formimin fizik emocional dhe intelektual tek ai në të ardhmen? Si mundet pra, që përditë e me shumë po shtohen zërat në perëndim për përmbysje të sistemit aktual të lindjeve nëpër maternitete në favor të perkrahjes së një lindje sa më afër natyrales ose më mirë akoma, sa më afër integrales, biologjikes? Këto dhe të tjera pyetje, nuk janë bërë ende copy/paste edhe në vendin tonë.

Revolucion në shtratin e lindjes

Dikur nënat lindnin në shtëpitë e tyre, në një ambjent familjar të mbrojtur, të shoqëruara nga mami, që në të shumtën e rasteve ishin gra eksperte, nga duart e të cilave kishin lindur fëmijët e të gjthë zonës.  Rrallëherë në rastet më të rënda dhe urgjente vinte mjeku që kryente edhe funksionin e gjinekologut ose dërgoheshin me urgjencë në maternitetin e rrethit. Rreziku për infeksion dhe vdekje të nënës apo dhe vetë fëmijës ishte shumë i lartë. Industrializimi dhe për pasojë urbanizimi i shumë zonave ndikoi edhe në përmirësimin e sistemit spitalor, ku garantonte që nëna të kryente lindjen në ambiente sterile, të ftohta nga aspekti human, të largëta dhe të veçuara. Tashmë larg nga ambienti familjar, shpesh herë nëna dhe i porsalinduri izoloheshin në katet e larta të spitaleve aty ku në përgjithësi ishte caktuar vendi i maternitetit, në karantinë të plotë për disa ditë me rradhë. Vdekshmëria foshnjore dhe ajo e nënave u ul ndjeshëm. Në periudhën post komuniste nuk mund të mohohet se degradimi i sistemit spitalor preku edhe degradimin e strukturës spitalore të lindjes. Një dukuri në rritje ishte edhe numri i prerjeve cezariane. Ky fenomen ushqehej më së tepërmi edhe për shkak se fjala “operacion” stafit mjekësor u garanton përfitime më të larta financiare, ndërsa nënave u ofron idenë se në këtë mënyrë do të mund të evitojnë dhimbjet e lindjes. Pak a shumë të njëjtat arsye qëndrojnë në bazë të kësaj zgjedhjeje edhe sot në vendet e industrializuara perëndimore.

I famshmi Frédéric Leboyer do ta quante “lindje e ëmbël”, atë lindje e cila është në përputhshmëri të plotë me nevojat fiziologjike dhe shpirtërore të nënës dhe femijës. Sipas tij ambientet e sotme spitalore janë të vrazhdë si me nënën ashtu edhe me të porsalindurin. Përdorimi i medikamenteve mbi të porsalindurin, agresiviteti i ajrit të kondicionuar mbi lëkurën e tij të njomë e cila shfaqet për herë të parë, ndriçimi i fortë mbi ata sy që shohin dritën për herë të parë, zhurma e mjeteve kirurgjikale dhe zërat e lartë që trondisin veshët e tij të mësuara me zhurmat e thyera të mjedisit të mbrojtur amësor brënda në uterus, ndërprerja e menjëhershme e oksigjenit dhe gjakut me anë të prerjes së kordonit umbelikal para se ai të ketë reshtur së pulsuari, të gjitha këto e të tjerë, kontribuojnë në traumën që i porsalinduri ndjen në lindje. Léboyér nisi një revolucion në sallën e lindjes të cilin ai vete e quajti “një lindje pa dhunë”. Ai si mjek gjinekolog, gjatë lindjeve propozonte të mos i jepeshin anestezik dhe ilaçe nënës, ndriçimi duhet të ishte në dritë-hije jo shumë i fortë për të mos irrituar sytë delikat të fëmijës, salla e lindjes duhet të ishte një ambient i ngrohtë dhe lindja duhej të ishte sa më e ëmbël për nënën dhe fëmijën, kordoni umbelikal nuk pritej menjëherë por në përgjithësi rreth njëzet minuta mbas lindjes, atëherë kur pulsimet e gjakut të kenë reshtur. Këtë ai e shpjegon me të drejtën e fëmijës për të mos ju privuar gjaku i kordonit dhe ai që ndodhet ende në placentë. Ky gjak i përket fëmijës dhe prerja e kordonit umbelikal përpara se ai të reshtë së pulsuari e konsideron si një dhunim të vetë fëmijës duke e detyruar trupin e tij ende të brishtë ta riprodhojë atë sa më parë. Në këtë mënyrë ndodh edhe rënia fiziologjike në peshë e të porsalindurit. Të gjithë ata që vërejtën këtë lloj të re proçedure lindjeje, nuk patën më dyshime mbi mirësitë që solli ajo si tek nëna ashtu edhe tek fëmija. Këto reflektime kanë bërë të mundur që shumë nëna dhe vetë mjekë gjinekolog e mami në spitale të ndryshme, të bëhen të ndjeshëm për këtë aspekt kaq të rëndësishëm të momentit të lindjes.

Duam më shumë oksitocinë

Oksitocina (hormoni i dashurisë), prolaktina (hormoni përgjegjës për prodhimin e qumështit të gjirit) dhe endorfinat (qetësuesit natyral të trupit), të përziera së bashku në doza të harmonizuara, lirohen nga trupi i nënës në çastet kulminante të lindjes. Këto hormone përgatisin trupin që mekanikisht të nxjerri jashtë foshnjen dhe më pas placentën. E njohur ndryshe edhe si hormoni i dashurisë, oksitocina luan rol thelbësor në dashurinë midis nënës dhe fëmijës së saj, ndërsa mekanikisht nxit kontraksionet e uterusit gjatë lindjes. Piku më i madh i çlirimit të saj ndodh që nga nxjerrja e foshnjes e deri një ose dy orë pas këtij momenti. Është e rëndësishme që proçesi i lindjes të kryhet në mënyrë të tillë që të mos e pengojë çlirimin e këtyre hormoneve. Në çastet e para pas lindjes nëse gjithçka do t’i lihej qetësisë dhe natyrshmërisë së këtij momenti kaq delikat, pa ndërhyrjet standarte të jashtme, do të bëhej e mundur shpërthimi i ndjenjës së dashurisë midis nënës dhe fëmijës e favorizuar nga gjëndja hormonale në fjalë. Ky moment kaq delikat, ka marrë emrin “imprinting” dhe realizimi i tij kërkon kushte të veçanta të cilat nëse nuk plotësohen, ky çast i papërsëritshëm në jetën e një individi humbet. Po a mund të arrihet “imprinting” në kushtet e sotme spitalore? Simbas Mishel Odent, gjinekologut të famshëm francez dhe promotori kryesor i lindjes në ujë, gruaja shtatzënë për të kryer me sukses nxjerrjen e fëmijes nga trupi i saj, duhet të stimulojë një pjesë të trurit e cila eshte arkaike, pra hipofiza dhe hipotalami, të cilat punojnë për të liruar hormonet e duhura për mbarëvajtjen e lindjes. Rol të kundërt me këtë luan neokorteksi ose truri mendor i cili frenon trurin arkaik. Ky prizëm na lejon të interpretojmë një gjëndje që shumë mami e njohin mirë: në momentet e lindjes pa ndërhyrje të medikamenteve, duket sikur gruaja shkon në një “botë tjetër”, guxon të shprehet siç nuk është shprehur ndonjëherë në jetën e saj e të marrë pozicione të jashtëzakonshme për të, shpërqendrohet nga realiteti ku ndodhet dhe përqëndrohet totalisht në vetvete dhe në momentin që po përjeton. Për të arritur këtë gjëndje, gruaja nuk duhet të stimulohet nga ambjenti i jashtëm me fjalë të kota, me pyetje të ndryshme, me nxitje, etj, por ambienti duhet të jetë sa më intim dhe ajo nuk duhet të ndihet e vrojtuar apo në rrezik. Kjo do të stimulonte neokorteksin dhe çlirimin e adrenalinës e cila kundërshton dhe frenon oksitocinën duke vështirësuar vetë procesin e lindjes. Pra, sipas Odent për mbarëvajtjen e lindjes ekziston një rregull i artë: “Mos stimulo neokorteksin e një gruaje që është duke lindur!” Kjo do të thotë se ajo duhet të ndihet sa më rehat dhe e lirë për të përballuar dhimbjet në mënyrë fiziologjike dhe autonome. Në këto kushte çlirohen koktejli i hormoneve që favorizojnë një lindje sa më të shpejtë dhe sa më të lehtë. Në rast se gruaja nxitet nga faktor të jashtëm dhe humb përqëndimin e saj në proçesin që po kryen duke e lënë veten në dorë të personelit mjekësor, prishet ajo balancë hormonesh kaq delikate dhe vetë proçesi i lindjes vështirësohet. Bëhet i nevojshëm përdorimi i anestezive, hormoneve oksitocine artificial, të cilat bllokojnë prodhimin e oksitocinës natyrale nga trupi i gruas, apo dhe e mjeteve mekanike (si forcepsi apo ventosa) për të mos thënë dhe përfundimi në operacione cezariane urgjente. Kështu, fëmija nxirret nga trupi i nënës mekanikisht, menjëherë pritet kordoni umbelikal, lahet, pastrohet, peshohet, matet vishet mbulohet, i jepet nënës për disa momente dhe së fundmi vendoset në djepin e tij për të mundësuar qetësimin e nënës…industrializim i lindjes.

Willi Maurer, kundërshton kategorikisht këto praktika si shumë të dëmshme për arritjen e “dashurisë fiziologjike” midis nënës dhe fëmijës. Sipas tij, të gjitha këto ndërhyrje shkatërrojnë momentin e jashtëzakonshëm të imprinting me ndërhyrje të jashtme. Këto ndërhyrje mund edhe të vonohen për të mundësuar takimin e menjëhershëm nënë-fëmijë. Sipas Odent, nëse lindja është vërtetë natyrale, pa ndërhyrje të medikamenteve, anestezisë, hormoneve artificiale prerjeve cezariane apo dhe proçedurave standarte mbas lindjes, dhe fëmija menjëherë të vendoset në kraharorin e nënës së tij për të gjetur vetë gjirin e saj, i lënë në kontakt intim mbi lëkurën e zhveshur të nënës duke nuhatur dhe prekur njëri tjetrin me kordon umbelikal ende të pa prerë dhe pulsant do të mund të arrihej ajo që ai quan lindje integrale e plotë. Kjo do të ndihmonte që oksitocina, hormoni i dashurisë, qetësisë, rehatisë dhe lumturisë shpirtërore të përçohej fuqishëm tek nëna dhe fëmija duke bërë të mundur lidhjen e fortë dashurore midis trupit dhe frutit që ka gjeneruar.

Kjo nuk është fantazi, por realitete që përjetohen çdo ditë nëpër spitalet perëndimore të cilat kanë një mentalitet të hapur dhe përpiqen të jenë sa më pranë nevojave të nënës dhe foshnjes së porsalindur.

JANAR – SHKURT 2014